Udhëzimi për kalimin e të drejtës së pronës, përjashtohet trashëgimia. Nuk ka regjistrim në hipotekë pa pagesën e tatimit 15%

Postuar në 04 Shtator, 2018 13:51

Në datën 30 korrik, Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Financave kanë miratuar një Udhëzim të përbashkët që përcakton detyrimet tatimore që rrjedhin nga kalimi i të drejtës së pronësisë. Sipas këtij akti, tatimi për çdo kalim do të jetë 15% të fitimit që realizohet nga diferenca pozitive mes vlerës së shitjes dhe asaj të blerjes. Udhëzimi po ashtu sanksionon se pronat e paluajtshme që i nënshtrohen procedurave të kalimit të së drejtës, qofshin këto tokë bujqësore, truall apo ndërtesë, nuk do të regjistrohen nga hipotekat nëse nuk kryhet pagesa në fjalë. Pika 2 e Udhëzimit ka rëndësi:

Me kalim të së drejtës kuptohet akti i shitjes, dhurimit apo heqjes dorë nga pasuria e paluajtshme

Nga ky përcaktim përjashtohen investitorët në fushën e ndërtimit që paguajnë taksën vendore, ndërkohë që edhe njëherë qeveris po vepron me hile. Në pikën 6 të Udhëzimit ridefinohet praktika e çmimeve referuese në rastet kur vlera e shitjes qëndron më poshtë se çimet referuese, duke marrë për llogari këto të fundit.

Me këtë rast udhëzimi përcakton edhe sesi llogariten çmimet referuese sipas kategorive të pasurive të cilat nuk janë apartamente banimi.

Konkretisht:

Çmimi për metër katror sipërfaqe ndërtimi për veprimtari tregtimi dhe shërbimi është 1.5 (një e gjysmë) herë më i lartë se çmimi i sipërfaqeve të banimit sipas qyteteve. Në këtë kategori do të përfshihen edhe ndërtesa tregtare, ku njëkohësisht realizohen edhe procese të përziera prodhim, tregtim ose/edhe shërbime me pakicë. Në zonat që përfshihen në Bashkinë Tiranë, ky koeficient është 2 (dy) herë më i lartë.

b) Çmimi për metër katror sipërfaqe ndërtimi për parkim të mbuluar dhe bodrume është 70 (shtatëdhjetë) për qind e çmimit të sipërfaqeve të apartamenteve të banimit sipas qyteteve.

c) Çmimi për metër katror sipërfaqe ndërtimi për parkim i hapur është 30 (tridhjetë) për qind e çmimit të sipërfaqeve të apartamenteve të banimit sipas qyteteve.

ç) Çmimi për metër katror sipërfaqe ndërtimi  të destinuara për veprimtari industriale, si: prodhim, përpunim ose magazinim të mallrave industrial, duke përfshirë fabrikat, depot, magazinat dhe objektet e tjera të ngjashme, është 50 (pesëdhjetë) për qind e çmimit të sipërfaqeve të banesave të zonës përkatëse sipas qyteteve.

d) Çmimi për metër katror sipërfaqe ndërtimi që përdoren për bujqësi dhe blegtori, apo veprimtari mbështetëse, si grumbullim, magazinim dhe ruajtje të produkteve bujqësore dhe blegtorale, është 30 (tridhjetë) për qind e çmimit të sipërfaqeve të banesave të zones përkatëse, me përjashtim të përpunimit ushqimor. 

dh) Çmimi për metër katror sipërfaqe ndërtimi të destinuara për banim në njësitë administrative jashtë qytetit përkatës, të cilat iu bashkuan njësive të qeverisjes vendore pas hyrjes në fuqi të ligjit nr. 115/2014, reduktohet në 35 (tridhjetë e pesë) për qind, krahasuar me çmimin e zonës më të afërt, përjashtuar zonat rezidenciale. Në zonat që përfshihen në Bashkinë Tiranë, ky reduktim është 30 (tridhjetë) për qind krahasuar me çmimin e zonës më të afërt.

e) Për ndërtesat e privatizuara me ligjin nr. 7652, datë 23.12.1992 “Për privatizimin e banesave shtetërore”, i ndryshuar, çmimi për metër katror është 70 (shtatëdhjetë) për qind e çmimit sipas zonave të tabelës, vetëm në rastin e shitjes së parë. Nëse vlera e llogaritur sa 70% e çmimeve të referencës sipas zonave të tabelës është përdorur njëherë, qoftë dhe në rivlerësimin e pasurisë, në vijim nuk do përdoret më si çmim reference.

Në udhëzim jepen edhe shembuj konkretë për tatimin që paguhet në raste të ndryshme, duke nënvizuar rëndësinë e procesit të rivlerësimit të pasurisë në uljen e vlerës së tatimit nga qytetarët. Udhëzimi është i rëndësishëm sepse rregullon një pjesë të madhe të transaksioneve të pronës që vijojnë të kushtëzohen nga çmimet referuese që aplikohen edhe në rastin e dhurimit. Nga ana tjetër udhëzimi nuk përfshin në këtë kuadër trashëgiminë e pronës që sërish është process kalimi të drejtash.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.