Shën Kozmai nuk e mallkoi kurrë Shqipen. Lufta ndaj tij, nga Janullatos dhe klane myslimane shqiptare në SHBA*

Postuar në 27 Gusht, 2018 14:15
At Foti Cici

Prej disa kohës në rrjetin social, Facebook, vepron një profil – Shqiptar Ortodoks që vetëidentifikohet si faqe fanoliane.

Faqja në fjalë propagandon fenë ortodokse, i shërben asaj, por duket u përqendruar në karakterin kombëtar të KOASH, për të cilin sot akuzon se është tjetërsuar nën drejtimin e kryepeshkopit Janullatos. Ajo drejtohet nga At Foti Cici, i njohur edhe për mediat shqip me shkrimet e veta për çështje të ortodoksisë. Më poshtë po përcjellim një shkrim- shënim të Cicit për Shën Kozma Etolin, që anatemohet shumë në disa mjedise në Shqipëri dhe që cilësohet prej tyre si propagandues i helenizmit. Pa hyrë në diskrecionin e një lëmi që kërkon njohje të posaçme, po e publikojmë shënimin si shenjë e nevojës për të hedhur dritë mbi një debat që është polarizuar ndoshta pa të drejtë kohët e fundit. Shkrimi është marrë nga faqja në fjalë(shënim i ResPublica). 

***

Për ata që janë idhnuar me postimet e faqes sonë mbi Shën Kozmain, dhe vazhdojnë të na godasin me shigjeta helmuese, po rendis këtu disa pika fare të rrokshme, në pamundësi t'iu përgjigjem të gjitha mesazheve në privat, apo të lejoj komente që shpërndajnë paragjykime dhe urrejtje:

1. Shën Kozmai nuk i shkroi vetë ligjërimet e tij, prandaj dhe disa pika të fjalëve të tij, sidomos ato jashtë besimit fetar, janë shtrembëruar nga shkruesit dhe kopjuesit me synime politike.

2. Oshënari nuk e ka mallkuar kurrë gjuhën shqipe. Kjo do të bëhej nga disa hierarkë ortodoksë shumë më vonë, mbas themelimit të shtetit grek, si për shembull në rastin e Petro Nini Luarasit, librin e të cilit shqip mund ta shfletoni në bibliotekën tonë, siç ju përcjell në fund të këtij postimi.

Këtë të vërtetë e dinin më mirë se ne tre Etërit e Ortodoksisë Shqiptare: Visarion Xhuvani, Kristofor Kissi dhe Fan S. Noli, të cilët e njihnin dhe e nderonin Shën Kozmain.

Imzot Noli e përfshiu shërbesën e Shën Kozmait, përkthyer nga Imzot Kissi, në librin Kremtore, madje për përdorim në Kishë! Ky botim është i vitit 1947, kur ai ishte plotësisht i pavarur dhe nuk ekzistonte asnjë shtrëngesë për ta bërë.

Kush jam unë, që më kërkoni të dal mbi Tre Etërit e Kishës Ortodokse Shqiptare, e të matem me Shën Kozmain?

3. Shën Kozmai ishte një murg asket, i varfër dhe pa pretendime as për gjërat thelbësore të jetës së përditshme, edhe pse erudit dhe poliglot. Mbi të gjitha, kishte dhunti jo të kësaj bote, gjë që e nxiti të braktisë jetën e veçuar të murgut e të dalë “në botë”, por jo për t’u përzier me vatrat dhe rrethet intelektuale të kohës së vet, as për t’u veshur me pushtet kishtar, edhe pse e kishte gjithë potencialin dhe mundësitë, por për të rrezikuar jetën në vise të largëta, shpesh duke udhëtuar i vetëm në këmbë, në fusha, pyje e male, i bindur se ishte thirrur në një mision providencial.

4. Kozmai ishte një misionar "endacak", krejt e kundërta me cilësinë e sotme të hierarkisë ortodokse në Shqipëri: pushtet politik dhe ekonomik, makina të blinduara, lluks, administrim privat i parave të Kishës, korrupsion, mashtrime, nepotizëm, spiunazh dhe imoralitet!

5. Është më se e vërtetë, se Kozmai tkurri islamizimin e popullsisë ortodokse dhe kjo është arsyeja kryesore e urrejtjes ndaj tij. Mjaft prej atyre që luftojnë Shën Kozmain, nuk na duan të ekzistojmë fare si komunitet. Nuk përbën çudi fakti se lufta kundër Shën Kozmait nisi para 12 vjetësh nga klane myslimane shqiptare në ShBA, si përpjekje për të përkeqësuar marrëdhëniet shqiptaro-greke, duke përdorur gjithmonë brishtësinë e komunitetit ortodoks. Kjo luftë e zhdrejtë vazhdon ende sot, në përpjekje për të ndezur sentimente njerëzish që janë të padijshëm në historinë dhe besimin e komunitetit ortodoks, apo për të çoroditur njerëz të zhgënjyer politikisht e të hallakatur emocionalisht, gjithmonë për përfitime elektorale të disa formacioneve politike me kahje otomaniste.

6. Për të bërë të mundur komunikimin me popullin, Shën Kozmai duhet të merrte leje nga qeveritarët dhe hierarkët vendorë kudo ku shkonte, gjë që e lidhte me ligjet dhe rregullat perandorake dhe kishtare. Hierarkia greke dhe pushtuesi turk nuk jepnin leje për predikime në të folmet jo greke, si shqipja, vllahishtja, etj. Tekstet ishin vetëm në greqishtje dhe kjo ishte e vetmja mënyrë për të mësuar e fuqizuar besimin, për t'i bërë ballë femohimit.

Greqishtja atëbotë ishte jo vetëm gjuhë perandorake, gjuha zyrtare e komunitetit multietnik ortodoks, por konsiderohej si gjuhë e shenjtë, "e kulluar", si arabishtja për myslimanët shqiptarë sot. Përdorimi i greqishtjes nga Shën Kozmai në shekullin e 18-të, mund të kuptohet me realitetin e sotëm në komunitetin mysliman, ku lutjet arabisht bëhen edhe në Sheshin Skënderbej. Sidoqoftë, njerëzit gjykohen nga veprat dhe nga trashëgimia që iu lënë brezave, pavarësisht nga gabimet dhe rrëshqitjet njerëzore, sidomos kur këto shihen me komoditetin e sotëm.

7. Komuniteti ortodoks në Shqipëri e ka nderuar historikisht Shën Kozmain, gjë që nuk mundi ta shkulë as diktatura ateiste. Ne u rritëm me legjendat e tij si prani historike, sepse në fshatrat tona ku ai shkeli, kishte jo vetëm gojëdhëna dhe profeci për ngjarje e fise konkrete, por dhe shenja fizike të kalesës së oshënarit në anët tona.

8. Të njëjtat keqkuptime që ndeshen sot në botën shqiptare mbi Shën Kozmain, ekzistojnë edhe në Greqi. Madje në të gjallë të tij, kishte vende ku ai nuk u mirëprit, si për shembull në Zakinthos, ku paria e vendit e dëboi nga ishulli.

9. Nuk ekziston besimtar ortodoks shqiptar që të mos nderojë Shën Kozmain, pavarësisht nëse shumica e pranon në plotëri, ndërsa të tjerë në mënyrë përzgjedhëse. Ai është pjesë e simbolikës vendore dhe luajtja me simbolet e një komuniteti nuk ka pasoja konstruktive. Si rrjedhojë, nuk ekziston asnjë mundësi që dikush të përzihet dhe të influencojë komunitetin ortodoks sot, duke sulmuar Shën Kozmain.

10. Përgjegjësi kryesor për dëmin moral ndaj Shën Kozmait, është vetë Kryepeshkopi Anastasios, i cili vazhdimisht provokon nacionalistët shqiptarë dhe ëmbëlson ata grekë, duke e mbajtur të ndezur luftën kundër oshënarit, duke e paraqitur projektin e vet shkombëtarizues si "vazhdimësi dhe finalizim" të misionit të Shën Kozmait në Shqipëri; për të përçarë e për të përfituar.

*Titulli është i ResPublica

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Si tha Enveri? Vetem shen Kozmai ben cudira! Kot s'e ka thene!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.