Historia e përbashkët
Historianët bullgarë dhe maqedonas ende nuk kanë arritur të gjejnë një konsensus të plotë rreth historisë. Ata ende kanë dilema të definojnë se çka është histori e përbashkët dhe çka është e veçantë për këto dy etni sllavishtfolëse. Bullgaria dhe Maqedonia për aq sa kanë histori të përbashkët, që i takon kryesisht periudhës së Perandorisë Osmane, po aq kanë edhe histori të ndërthurur, që në instancë të fundit del të jetë diku-diku edhe e veçantë.
Shikuar nga aspekti politik e sociologjik, gati të gjithë popujt e Ballkanit në periudha të caktuara kanë patur histori të përbashkët. Sidomoskjo i përket historisë së përbashkët në Perandorinë Osmane, në Mbretërinë Serbo-Kroate-Sllovene dhe në Jugosllavinë e Titos e kështu me radhë. Por, këta popuj patën edhe historitë specifike e autentike të zhvillimit të tyre etno-social.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes së fqinjësisë së mirë në mes të Maqedonisë dhe Bullgarisë, është lënë hapur shtegu për formimin e një Komisioni të përbashkët multidisiplinor të ekspertëve, “për interpretimin shkencor të ngjarjeve historike dhe për organizime të përbashkëta për ngjarje historike”.
Pasi të “hekurosen” të gjitha këto tema të hapura, të dy shtetet do të kenë tekste shkollore nga historia të cilët nuk do të lënë hapësirë për interpretime dualiste të ngjarjeve e personaliteteve, siç ka qenë praktikë në periudhën e kaluar, kur për të njëjtën ngjarje dhe personalitet edhe bullgarët edhe maqedonasit organizonin manifestime të ndara që krijonte në opinion publik një lajthitje se gjoja bëhet fjalë për personalitete e ngjarje të ndryshme.
Po historia e shqiptarëve si mësohet nga nxënësit shqiptarë në Maqedoni? A kanë shqiptarët histori më të përbashkët se çdo popull tjetër i Ballkanit?
Pse edhe sot në Maqedoni, në Shqipëri, në Kosovë, në Luginë të Preshevës, në Mal të Zi dhe në diasporë, shqiptarët historinë e tyre e mësojnë prej librave e autorëve të ndryshëm.
Në Maqedoni madje dominojnë autorët maqedonas, të cilët fusin edhe ndonjë njësi mësimore për shqiptarët, si përmbajtje fakultative që është shumë larg interesit pedagogjik, didaktik e shkencor të nxënësve shqiptarë për të nxënë historinë e tyre.
A duhet edhe Maqedonia si në rastin e Bullgarisë të nënshkruajë një Marrëveshje të posaçme me Kosovën e Shqipërinë, me të cilën do të rregullonte hapësirën e përbashkët kulturore-historike të shqiptarëve në Ballkan, sepse ajo hapësirë është një dhe e pandarë?
Pavarësisht faktit se shqiptarët jetojnë në disa shtete, ata e kanë një histori, kulturë dhe gjuhë të përbashkët. Çfarë sensi ka që nxënësit shqiptarë në Maqedoni historinë e tyre ta marrin në formë të sandviçit në librat shkollorë në të cilat dominojnë dromcat mitike për komitët e “çorbaxhinjë” maqedonas?
Procesi i integrimeve europiane nuk nënkupton prirjen globaliste për fshirjen e identiteteve etnike kulturore të popujve. Maqedonia nuk mundet të bëjë përjashtim në këtë drejtim, aq më tepër kur politikanët dhe historianët maqedonas po angazhohen që fëmijët e tyre në të ardhmen të kursehen nga lajthitje e padobishme që mund t’i sjellë mësimi parcial e jointegrues i historisë kombëtare.
Për rrjedhojë edhe nxënësit shqiptarë kanë më së paku nevojë që historinë e popullit të tyre ta mësojnë prej autorëve maqedonas, në vend se kjo të bëhet me tekste të përbashkëta të të tre shteteve ku do të dominonte dioptria shkencore e distancës kohore dhe gjithpërshfirjes hapësinore.
Zëri.info
Comments
Ca gjera i ke mire ti, por
Ca gjera i ke mire ti, por here tjeter jo kaq te pergjithshme, por me konkrete!
Add new comment