"Buxheti i shtetit është në dispozicion të trafikantëve të drogës"
Partia Demokratike deklaron se Edmond Bego, biznesmeni i arrestuar në Greqi dhe i liruar më pas, i pranuar si mik nga Taulant Balla, kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, ka përfituar miliona euro nga tenderët publikë që nga viti 2015.
Të dhënat zyrtare tregojnë se kompania “Inerte Express”, me pronar trafikantin e drogës dhe mikun e familjes së Taulant Ballës, nuk ka përvojë në ndërtimin e nënstacioneve elektrikë dhe se këtë funksion ai e shtoi në fund të dhjetorit 2017.
Pak muaj më vonë, kompania pa përvojë e mikut trafikant droge të Taulant Ballës përfitoi një tender publik nga Operatori i Sistemit të Transmetimit.
Dokumentat tregojnë se tenderi i OST-së me vlerë 100 milionë lekë i është dhënë trafikantit të dënuar me 21 vjet burg për drogë, në fillim të verës, në zemër të zonës elektorale të Taulant Ballës, në Librazhd
akuzoi sot deputeti i PD-së, Edmond Spaho.
Edhe më të rënda kanë qenë akuzat e deputetit tjetër, Gent Strazimiri, i cili ka publikuar disa dokumente që e nxjerrin Begon përfitues të 10 milionë eurove për punime në autostradën e Elbasanit.
Sa më shumë të heshtë Taulanti pa sqaruar çfarë e lidh atë me miqësi familjare me një trafikant të rrezikshëm droge, që autoritetet italiane e kanë dënuar me 21 vjet burg, aq më shumë forcohet bindja për rolin e Taulant Ballës si sekser të miliona eurove që ia merr shqiptarëve për t’i ndarë me trafikantin e drogës.
Kjo qeveri ka vënë buxhetin e shtetit në shërbim të trafikantëve të drogës, të vrasësve, të dënuarve për përdhunim dhe trafik vajzash e fëmijësh.
…Rasti më flagrant është ai i ndërtimit të autostradës së Elbasanit. Partia Demokratike ka vërtetuar se kompania “Inerte Express” e trafikantit të drogës dhe mikut të familjes së Taulant Ballës ka përfituar 10 milionë euro që nga viti 2015 deri më sot nga paratë e taksapaguesve shqiptarë
tha Strazimiri.
Add new comment