Nuk lexohen më libra? Lexohen statuset e politikanëve
INSTAT jep sot një raportim shqetësues. Vitin që lamë pas u lexuan pak libra, madje 1 milionë shqiptarë nuk lexuan asnjë libër të vetëm. Shqiptarët që kanë lexuar mjaftueshëm mirë, 5-10 libra jnanë rreth 102 mijë, kurse më shumë sesa 10 libra janë 44 mijë.
Shifrat janë jo shumë optimiste edhe për leximin e gazetave: 583 mijë raportuan se lexojnë gazeta çdo ditë, duke përfshirë edhe leximet online. Ndërsa një pjesë e madhe e shqiptarëve, 213 mijë, raportuan se lexojnë lajme njëherë në muaj dhe më rrallë se kaq lexojnë 127 mijë shqiptarë.
Mediat e kanë përcjellë me një lloj fryme alarmizmi këtë statistikë edhe pse niveli i gazetarëve në përgjithësi dëshmon se statistika e mosleximit i përfshin edhe ata.
Në të vërtetë shifrat nuk janë alarmante, ato janë realiste. Një ekonomi si Shqipëria me bazë financimin nga krimi, nuk ka nevojë për kualifikim, apo për njerëz të kultivuar. Një ekonomi ku tregu është në dorë të katër – pesë njerëzve dhe dy partive, nuk e ka të nevojshme bazën e njerëzve me formim, as teoricienët, as kulturën klasike e të tjera si këto. Nuk ka nvojë madje as për teknicienë sa kohë legjislacioni thjesht përafrohet, kuadri rregullator shkruhet sipas midesë së atyre që kanë koncesione dhe kur kompanitë kryesore nuk kanë ndonjë garë reale.
Shqipëria nuk ka ndonjë trashëgimi të madhe monumentale apo arti, që të kërkojë për rrjedhojë njerëz që apasionohen pas artit dhe kulturës së hollë. Një shoqëri konsumi që bart me vete simptoma feudalizmi, në të vërtetë e ka luks, apo inerci pa dobi leximin e librave. Vetë libri ka humbur terrenin si mjet edukimi dhe aq më tepër do të bien këto shifra kur mbajmë parasysh një tendencë përherë e në rritje ikjeje.
INSTAT do bënte mirë të sillte statistika sesa shqiptarë lexojnë dhe komentojnë statuset e politikanëve në rrjetet sociale, sa bëjnë share dhe sa reagojnë. Sepse duhet ta pranojmë aty krijohet kultura politike e sotme, aty formohet “debati” dhe aty rekrutohet “mendimi” i votuesit. Libri as konkuron dot dhe as penetron dot në një botë si kjo e sotmja e ekzistencës praktike, të çastit dhe në një vend që universitetet apo shkollat e mesme i ka si fast food, argëtim dhe kalim kohe.
Add new comment