Manipulimi me Teatrin dhe alibia e 52 firmëtarëve
Regjisori Sokol Angjeli denoncon atë që e quan manipulim me sipërfaqen e Teatrit Kombëtar dhe alibinë pas së cilës fshihen 52 artistët firmëtarë për shembjen e godinës aktuale. Në një intervistë për Panorama, regjisori zbulon se manipulimi është me planvendosjen e Teatrit të Ri.
"po ta analizojmë si qëndron situata, TK-ja ka një sipërfaqe drejtkëndore, me një orientim nga lindja në perëndim, nga Dajti në Durrës. Në planin për teatrin e ri, ky orientim lëviz dhe bëhet veri-jug. Në qoftë se drejtkëndëshi aktual spostohet në orientimin e ri, i bie të shtrihet nga cepi i godinës aktuale të TK-së, në mesin e godinës së GKA-së. Është e palogjikshme të mendosh se kjo mund të ndodhë. Është një utopi. Këta njerëz e kuptojnë këtë?! Sigurisht që po, por bëjnë sikur nuk e kuptojnë dhe bëjnë punën e strucit, fusin kokën në rërë, siç bën edhe struci, me idenë që ia hodhën rrezikut"- shprehet Angjeli.
Të ashtuquajturit artistë që kanë firmosur sipas Angjelit e kanë bërë me vetëdije, madje dhe alibinë e kanë gati pas shembjes. "Unë mendoj që këta 52 firmëtarë, që e kuptojnë se si është e vërteta e këtyre centimetrave, për të cilat dalin garantë se nuk do të na hahen, bëjnë rolin e strucit dhe nuk i thonë të vërtetën publikut dhe kur kjo të bëhet realitet, do të thonë: epo na e hodhi kryetari i bashkisë"- thekson regjisori.
Natyrisht prestigjatori i filmave dhe peticioneve nuk është tjetër veç Erion Veliajt që ka marrë përsipër të dalë mbi ekspertët dhe institucionet.
"Ai është edhe kryebashkiak, edhe ministër i Kulturës, edhe urbanist dhe t’i nxjerrë jashtë loje të gjithë, edhe arkitektët italianë. Projekti italian për teatrin mbretëror ishte te Lulishtja e Vëllezërve Frashëri. Pasi ata që ndërtuar bulevardin dhe ministritë, e menduan teatrin pikërisht pranë këtij bulevardi. Dhe nëse ne i kthehemi këtij mendimi dhe vëllezërve Frashëri u gjendet një vend po aq dinjitoz, përse të mos ngrihet teatri i ri aty?!"-thekson Angjeli. Regjisori përshëndet vendimin e presidentit Meta për të mosdekretuar ligjin edhe pse qeveria nuk duket e preokupuar nga shkeljet e evidentuara dhe kërkesat për informim që ka marrë nga Bashkimi Evropian për këtë çështje.
Add new comment