Kur drejtori i Komunales flet për Teatrin dhe harron Kullat
Përsërit se diçka do të mbetet. Kryebashkiaku Erion Veliaj e ka bërë të vetën këtë aksiomë edhe për çështjen e Teatrit Kombëtar. Zoti Veliaj flet për amanete aktorësh, por nuk di të thotë cilat janë ato, u janë shkruar dhe kujt i janë lënë?
Z. Veliaj flet për nostalgjikë dhe bën krahasimin e trashë me rikonstruksionin e një rruge në Tiranë, duke harruar se çështja kryesore këtu është shkelja e ligjit që po bëhet me të dyja këmbët. Z. Veliaj nuk thotë asgjë për ligjin ku është vënë të bilbilojë, as për kullat ku do të vendosë firmën e vet, apo të ndonjë tjetri, por mendon ta zhvillojë luftën me “pakicat e zhurmshme”. Por këto pakica në fakt kanë një pyetje që z. Veliaj nuk di t’i përgjigjet: Pse duhen përligjur kullat me shkatërrimin e godinës së Teatrit Kombëtar? Pse duhet ligj i posaçëm për ndërtimin e një teatri dhe të disa kullave?
Pse nuk bëhet publik projekti, përfshirë bilancet e kompanisë së tij të preferuar “Fusha”: a i ka këto para kompania apo jo?
Z. kryetar i Bashkisë nuk preferon të flasë për këto gjëra, sepse aty edhe fshihet lepuri i hilesë së trashë që sot po imponohet me forcë në mes të Tiranës. Është e tepërt të kërkohet transparenca nga një individ i këtillë, por meqenëse do të identifikohet si njeri i punëve komunale, z. Veliaj bën mirë të prononcohet për kullat sesa për Teatrin, nga i cili edhe nuk ja thotë shumë. Le t’ja lërë këtë artistit në qeveri apo ministres së Kulturës.
Add new comment