Pikëpyetja "Macron" për zgjerimin e Bashkimit Europian
Strategjia duket se është “sporti” i preferuar i presidentit francez Emmanuel Macron. Qysh kurse ka ardhur në detyrë, Macron ka kthyer në lajm vizita e tij në vende të ndryshme, ku mban fjalime programatike për Europën dhe shpalos strategji për mbarë Perëndimin. Kësaj radhe Macron ka folur nga Lisbona ku ka zbuluar atë që po quhet vizioni i tij për Europën dhe Bashkimin Europian. Sipas raportimit të mediave, propozimi i presidentit francez konsiston në një rregullim që do ta ristrukturojë Europën në tre rrathë. Në qendër qëndron Franca dhe Gjermania, të cilat do të jenë çelësi i stabilitetit edhe të Eurozonës. Në rrethin e dytë do të vijnë anëtarët e Bashkimit Europian
në një treg unik të fuqishëm, diku mes BE-së dhe Eurozonës, të cilët nëse duan dhe bëjnë progress ekonomik dhe politik, mund të hyjnë në zonën e euros me një buxhet special dhe një strukturë politike më të fortë
Në rrethin e tretë, Macron përfytyron një klub vendesh që bashkohen nga vlerat e përbashkëta, parimet demokratike dhe liritë ekonomike. Ky rreth është diku mes BE-së dhe Këshillit të Europës që mund të jetë më pak i integruar dhe mund të përfshijë edhe Rusinë dhe Turqinë, por me kushtet e adoptimit prej tyre dhe të respektimit rigoroz të atyre që Macron i quan “vlerat demokratike europiane”.
Lisbona është stacioni i parë i kreut francez që ka planifikuar një tur europian për të shpjeguar idetë e tij për reformimin e Europës që ndodhet në një krizë të vërtetë identiteti.
Nëse platforma e tij do të merret në konsideratë, atëherë zgjerimi i BE-së do të shtyhet me siguri, pasi Macron është i mendimit se pa forcim dhe stabilizim nuk mund të ketë shtrirje në Lindje. Kjo politikë bie ndesh me analizën e sigurisë që vjen po nga Europa që e sheh Ballkanin si rajon ku kryqëzohen interesa të ndryshme dhe ku zgjerimi duhet përshpejtuar. Kjo u konfirmua sot edhe nga ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas, në takim me homologun shqiptar, Bushati, çka thekson se në BE tanimë po përballen ide të ndryshme për të ardhmen dhe se për këtë shkak integrimi i vendeve si Shqipëria është vënë seriozisht në rrezik. Ose ka kaluar në fund të axhendave europiane.
Add new comment