Mallkimi i dëshmive
Të njëjtën praktikë që ndoqi me dekriminalizimin, PD duket se po e zbaton edhe me Vetting-un dhe trupën e përgjedhur për të verifikuar gjyqtarët dhe prokurorët e sistemit. Opozita po publikon prova dhe fakte që deligjitimojnë procesin e trumbetuar deri më tani si pastrim i Pallatit të Drejtësisë. Njerëzit e përzgjedhur në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit rezultojnë me probleme, të paktën sipas denoncimeve të PD.
“Anëtari i vettingut Lulzim Hamitaj rezulton se në vitin 2016 ka aplikuar për pedagog pranë Univeristetit Europian të Tiranës, ku ka deklaruar se zotëron nivelin fillestar B1 të gjuhës angleze. Ndërkohë një vit më vonë, në 2017-ën, kur aplikon për pozicionin e Komisionerit të vettingut, Lulzim Hamitaj depoziton një çertifikatë të zotërimit të gjuhës angleze në nivelin më të përparuar, C1, të lëshuar në vitin 2015 nga Qendra e Gjuhëve të Huaja Tiranë. Kjo provohet nga dokumentat e dosjes së tij, e marrë prej nesh në rrugë zyrtare nga Kuvendi. Nga verifikimi i të dhënave të sistemit TIMS, rezulton se shtetasi LulzimHamitaj, në datën 6 Prill 2015, ku pretendon se ka dhënë provimin dhe është pajisur me çertifikatë të zotërimit të gjuhës angleze, nuk ka qenë në Shqipëri”-thuhet në deklaratën e PD-së.
Nëse provohet falsifikimi, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit janë para një prove besueshmërie për më tepër që Vettingu po kontestohet nga PD si një proces me standarde të dyfishta. Në rastin e zyrtarëve të denoncuar për probleme me të kaluarën kriminale qeveria u mbrojt me dëshmitë e pastra të penalitetit, ndërsa nuk është çudi që edhe këtë radhë mbrojtja të justifikohet me alibinë se sulmet vijnë nga ata që nuk e duan vetting-un.
Pas denoncimit te Partise Demokratike ka reaguar edhe Prokuroria e Pergjithshme. Ne njoftimin per mediat thuhet se “Prokuroria e Përgjithshme u njoh me parashtrimin e rastit te komisionerit Lulzim Hamitaj, me materialet dokumentare te publikuara nga Partia Demokratike. Prokuroria e Pergjithshme kerkoi vlerësimin e rastit duke ia përcjellë Prokurorisë kompetente për verifikim”
Add new comment