Zaev denoncon përpjekje të Rusisë për destabilizim të Maqedonisë
Përpjekje të Rusisë për të sabotuar referendumin për emrin në Maqedoni ka denoncuar kryeministri Zoran Zaev, duke folur për përfshirje të biznesmenëve të fuqishëm grekë në nxitje trazirash, por pa përmendur emra.
Zaev tha në një intervistë për Buzzfeed se qeveria e tij ka marrë shumë ankesa se "biznesmenët grekë me lidhje të ngushta me Rusinë kanë paguar nga 13 000 deri në 21000 dollarë për të nxitur "incidentet të dhunshme "para referendumit.
Këto akuza vijnë vetëm disa ditë pas takimit të NATO-s në Bruksel, ku Maqedonia mori një ftesë zyrtare për të filluar bisedimet e pranimit. Zaev konfirmoi se kërkoi ndihmën e Presidentit Amerikan për çështjen e referendumit. Kryeministri maqedonas refuzoi të zbulojë emrat që fshihen pas financimit të trazirave, duke thënë se qeveria e tij u informua në lidhje me përfshirjen e biznesmenëve grekë, pas përleshjeve të dhunshme jashtë parlamentit në qershor.
Javën e kaluar Athina dëboi dy diplomatë rusë pas dyshimeve për ndërhyrje në çështje të sigurisë kombëtare. Ky vendim nuk u prit mirë nga Moska që deklaroi se do përgjigjet me të njëjtën monedhë, madje ka kërcënuar me bllokim të marrëveshjes në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Add new comment