Dossier/1964, propozimet antisovjetike të Enver Hoxhës adoptohen si strategji veprimi nga Kina
Politika e jashtme e regjimit të Enver Hoxhës pas prishjes me sovjetikët, duket se udhëhiqej nga disa aspekte pragmatiste, të mbijetesës, por edhe të një lloj strategjie më afatgjatë. Kjo mund të shpjegojë deri diku edhe lidhjen e vendit tonë me Kinën e Mao Zedong, lidhje e cila zgjati jo pak dhe solli një frymëmarrje ekonomike për Shqipërinë.
Duket se afiniteti me Pekinin zyrtar nuk ka qenë në kushtet e një raporti tradicional mes të voglit dhe të madhit, nevojtarit dhe kreditorit, të paktën në fillimet e veta. Kjo mund të shihet, ndonëse në një mënyrë të pjesshme, nga të dhënat që publikohen për aktivitetin diplomatik të Shqipërisë në raport me Kinën. Wilson Center publikon së fundmi një përmbledhje, të cilësuar Top-Secret, të takimit të mbajtur në vitin 1964 mes Zhou Enlai(Cu Enlai) kryeministër i Republikës Popullore të Kinës dhe ambasadorit të Vietnamit në Pekin, Tran tu Binh, ambasadorit shqiptar Nesti Nase dhe atij koreanoverior Pak Se-chang. Takimi është mbajtur në 3 gusht në Fujian Hall dhe në të u shqyrtua e ashtuquajtura “çështje rumune”, apo më saktë nevoja e ngutshme për të ndihmuar Rumaninë e Georgi Dezh, kundër përpjekjeve izoluese të Nikita Hrushovit.
Përmbledhja në të vërtetë është një paraqitje nga ana e Zhou Enlait e përpjekjeve koordinuese të Kinës në këtë drejtim, që ka konsideruar asokohe ndihmën ndaj Bukureshtit, duke përfshirë një klub vendesh brenda kampit komunist ku përfshihej Kina, Shqipëria, Vietnami, Korea e Veriut dhe në një mënyrë koniunkturale llogaritej edhe sjellja e Jugosllavisë. Ajo çfarë bie në sy në këtë përmbledhje është fakti se takimin, apo më mirë lojën diplomatike kundër Hrushovit në Ballkan e ka iniciuar Shqipëria e Enver Hoxhës që kishte vetëm 3 vjet që ishte ndarë nga Bashkimi Sovjetik.
Herën e fundit ambasadori Nase dhe shoku Peng Zhen(sekretar i Komitetit Qendror të Kinës) diskutuan kontradiktat e mëdha mes Rumanisë dhe revizionistëve sovjetikë dhe propozimin e Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë drejtuar Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës që të dyja vendet të bëjnë diçka në përkrahje të Rumanië
nis bisedën Zhou Enlai.
Nuk dihet mirë kur është “hera e fundit”, por me siguri bëhet fjalë për çështje muajsh, pasi Enlai shton se qysh atëherë, situata dhe mendimi i palëve ka evoluuar nga një pikëpamje për veprime të ndara, drejt një ideje për veprim të përbashkët.
Rreth kohës kur u bë biseda e fundit me ambasadorin Nase, shoku Georgiu Dezh ftoi ambasadorin tonë(të Kinës) për një bisedë të gjatë. Unë e diskutova këtë situatë në terma të përgjithshëm jo shumë kohë më parë me shokët Ho Chi Minh dhe Kim Il Sung kur shkova në mënyrë sekrete në Hanoi dhe Phenian
shprehet ai, duke konfirmuar se iniciativa antisovjetike në këtë front është ndërmarrë nga Shqipëria.
Kina, për arsye të vetat, ka adoptuar pikëpamjen e Shqipërisë, se sjellja e sovjetikëve edhe në Këshillin e Ndihmës Ekonomike Reciproke ka tentuar të zhvillojë një raport kolonial me vende të Europës Lindore, duke propozuar madje, sipas tij edhe
ndarjen e territorit të Rumanisë
Sipas tij propozimi për krijimin e një zone ekonomike ndërkufitare në Danubin e Poshtëm u bë nga profesori i Universitetit të Moskës, L.B Valev sipas të cilit në të do të përfshiheshin 6 rajone rumune nga 16 të tillë, veriu i Bullgarisë dhe jugu i Besarabisë sovjetike. Zhou Enali e cilëson këtë një akt të pastër shovinizmi kolonial, çka mesa duket ka zgjuar gjithfarë frikërash në Ballkanin e asaj kohe, përfshirë Shqipërinë.
Kundërshtimi rumun ndaj këtij propozimi dhe trajtimi i tij si plitikë shtetërore nga sovjetikët, i ka të gjithë elementët e një mbrojtjeje të domosodoshme legjitime. Për këtë arsye kryeministri kinez propozon që në 28 gusht, kur është edhe 20 vjetori i Ditës Kombëtare të Rumanisë duhet dërguar një delegacion si mbështetje. Me interes janë këtu edhe vërejtjet e tij për interpretimin sovjetik që i shihte operacionet e Ushtrisë së Kuqe në përfundim të Luftës së Dytë Botërore si akte çlirimi për vende si Rumania:
Më 28 gusht populli rumun çliroi me armët e veta Bukureshtin. Sovjetikët mbërritën aty vetëm më pas. Por sot sovjetikët nuk e njohin këtë pikë, duke thënë se populli rumun nuk mund të arrinte çlirimin pa Bashkimin Sovjetik(Bashkimi Sovjetik jep këtë interpretim edhe për Korenë. Në fakt populli Korean u bazua te forca e vet). Në atë kohë ambasadori rumun tha se nëse dikush nuk mbështetet në forcat e popullit dhe partisë së vet, nuk do të kenë vlerë trupat e një vendi tjetër. Ushtria sovjetike pushtoi edhe Finlandën dhe Austrinë, por pushteti politik shkoi në duart e të tjerëve dhe në fund ata duhet të tërhiqeshin
Me një frymë nacionalizmi vëllazëror, zyrtari kinez sugjeron një pikëpamje koniunkturale të kohës, si politikë të jashtme komode për vende si Shqipëria që dueht të luftonin edhe për versionet e historisë së tyre të afërt. Në këtë kuadër, duhet nënvizuar se politika e jashtme e Shqipërisë në këtë kohë nuk synonte acarimin e mëtejshëm me jugosllavët, edhe pse Tito luante mirë fijet me sovjetikët. Një pasazh nga fjala e Enlait e jep të kuptojë këtë gjë:
Thelbi i asaj që ne të tre(Zhou Enlai, ministri i Jashtëm kinez, Chen Yi dhe sekretari Peng Zhen) i thamë amabasadorit rumun ishte ky: Në disktuimin tonë ne nuk sollëm në vëmendje marrëdhëniet mes Rumanisë dhe Jugosllavisë, as faktin që Rumania po zhvillon marrëdhënie ekonomike me SHBA dhe Francën. Kjo edhe për shkak të sugjerimit të ambasadorit Nase, me synim që të mos shmangemi nga orientimi kryesor
Duket qartë se Shqipëria e Enver Hoxhës kishte gjetur te Kina një partner që jo vetëm e trajtonte si protektor, por edhe e dëgjonte të paktën për çështjet ballkanike.
Zhou Enlai referon po ashtu qëndrimet jugosllave kundër përpjekjes së Hrushovit për të mbajtur një konferencë të lëvizjes komuniste që do t’i kundërvihej nismës kineze për një konferencë të partive të majta. Tito e kishte analizuar një gjë të tillë si jo të përshtatshme, shenjë kjo edhe e faktit se liderin sovjetik nuk e merrnin për shumë të besueshëm. Tito madje citohet t’Iijetë shprehur ndaj Hrushovit se ai “nuk beson që Rumania është anti-sovjetike”.
Çështja nacionale ka qenë në vijë të parë në këto debate dhe në përmbledhjen e Enalit del sërish debati mes sovjetikëve dhe rumunëve për Bukovinën dhe Besarabinë. Hrushovi propozoi edhe referendum, që ishte më tepër një gjetje retorike sesa reale. Kjo panoramë komplekse që lidhet kryesisht me një çështje të Rumanisë me Bashkimin Sovjetik, përbën në fakt premisën e afrimit strategjik të Kinës komuniste drejt Ballkanit. Zhou Enlai konkludon duke thënë se:
Siç mund të shihet nga kjo bisedë, Partia Rumune po përparon në kundërvënien ndaj shovinizmit prej fuqie të madhe të Hrushovit dhe egoizmit të tij nacional. Për shkak të kësaj, propozimi i shokëve shqiptarë është realist. Në mënyrë që të trija partitë tona motra dhe vendet tona vëllezër të kuptojnë të gjithë situatën, ne jemi gati që të dërgojmë pjesë të bisedës që kemi patur me shokët rumunë ju shokëve ambasadorë
Kryeministri kinez flet edhe për ndihmë ekonomike ndaj Rumanisë, duke pranuar edhe njëherë se kjo strategji anti-sovjetike është përpiluar falë propozimeve të Shqipërisë.
Në lidhje me çështjet e zhvillimit ekonomikm, tregëtisë dhe ndihmës ushtarake, ata thonë se do të dërgojnë njerëz më vonë për bisedime dhe na falendëruan për mirësjelljen tonë, duke thënë se i kuptojnë vështirësitë. Në këtë materie ne duhet t’i japim vlerën që meriton propozimit të Partisë së Punës të Shqipërisë. Jeni Ju që na shtytë të ecim përpara në këtë drejtim. Z. Nase, Ju lutem i përcillni falënderimet tona shokut Hoxha, shokut Shehu dhe shokëve të tjerë udhëheqës të Shqipërisë
deklaron Enlai, i cili më vonë erdhi personalisht në Shqipëri.
Duhet thënë se këto ecejake po bëheshin në vitin 1964, konkretisht në gusht, ndërkohë kur në Kremlin Brezhnjevi, Susllovi, Semichastny dhe Shelepin kishin nisur komplotin për rrëzimin e Hrushovit. I cili u largua nga detyra e Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror të PKBS-së në tetor të këtij viti.
Në çdo rast, manovra e Hoxhës, edhe pse orientuar kundër Hrushovit, për mbijetesën e vet, i dha atij kohë mjaftueshëm që të bëjë pastrimet e radhës në shtëpi duke ndikuar në një optikë të Kinës së Maos në punët e Europës komuniste. Ndihma ekonomike kineze vërshoi në Shqipëri duke u përqendruar në industri, aty ku Hoxha mendonte se do të themelonte pavarësinë e vet dhe të vendit.
Burimi: http://digitalarchive.wilsoncenter.org/document/119074
Përgatiti: S. Zaimi
Ndalohet ripublikimi në media të tjera
Add new comment