Tani partner strategjik edhe për Izraelin*

Postuar në 03 Korrik, 2018 16:39
Zvi Bar'el

Në fillim të vitit 2012, një vit pas shpërthimit të luftës civile në Siri, Ministria e Jashtme(e Izraelit) propozoi rekomandimet e veta mbi qëndrimin e Izraelit në raport me presidentin sirian, Bashar Al Assad. Ministria e Jashtme rekomandonte denoncimin e gjakderdhjes në Siri dhe apelin për largimin e Assad. Ajo argumentonte se Izraeli nuk mund të mbetej si i vetmi vend perëndimor që nuk e dënonte Assadin, pasi kjo do të ushqente teoritë konspirative se Izraeli preferonte vrasjen në masë si mjet të qëndrimit në pushtet të Assad.

Ministri i Jashtëm i asaj kohe, Avigdor Lieberman, e pranoi këtë rekomandim, por kryeministri Benjamin Netanyahu, e kundërshtoi atë. Netanyahu denoncoi gjakderdhjen dhe ushtrinë siriane, ai akuzoi se “disa liderë nuk kanë brenga morale në vrasjen e fqinjve por dhe të popullit të vet”. Por ai nuk e përmendi kurrë Assadin si person përgjegjës apo të kërkonte rrëzimin e tij. Ambasadori i Izraelit në OKB gjatë asaj periudhe, Ron Prosor, tha se Assad “nuk ka të drejtë morale të drejtojë popullin e vet”, por vetëm kaq.

Këto akrobaci diplomatike dhe fërkimi Lieberman-Netanyahu vetëm sa ushqyen teoritë konspirative dhe liderët rebelë sirianë ishin të bindur se Izraeli donte që Assad të mbetej në pushtet. Ata kishin të drejtë.

Tani që Assad ka marrë nën kontroll pjesën më të madhe të Sirisë dhe po zhvillon betejën finale kundër rebelëve në jug të vendit, Izraeli po vepron sikur të jetë duke riformuluar politikën e vet drejt një pajtimi me idenë e vijimit të pushtetit të Assad. Disa javë më parë, Izraeli i deklaroi Rusisë se nuk do t’i kundërvihet një skenari të tillë, duke u sjellë sikur vendimi është në dorë të tij, apo sikur të ketë ndonjë mundësi veprimi rreth faktit se çfarë qeverie do të qëndrojë në pushtet në Siri pas përfundimit të luftës.

Por Izraeli nuk është se thjesht bie dakord që pushtetin ta ketë Assad. Ai i druhej perspektivës që disa grupe militantësh rebelë do të arrinin të rrëzonin atë dhe mandej do të hynin në një luftë civile me njëri-tjetrin. Disa propozime të dy viteve të fundit të ushtrisë izraelite dhe Minsitrisë së Jashtme, nuk jepnin mbështetje për presidentin sirian, por vlerësimet e tyre tregojnë se ata e shihnin vijimin e pushtetit të tij si variant preferencial apo edhe jetik për sigurinë e Izraelit.  Bashkëpunimi i ngushtë i Izraelit me Rusinë, e cila i dha dorë të lirë forcave izraelite që të sulmonin Hezbollahun dhe objektivat iraninë në Siri, iu shtua aleancës jozyrtare me shtetet arabe që mbështesin vijimin e sundimit të Assad.

Presidenti egjiptian. Abdel-Fattah al-Sissi, që u takua me kreun e shërbimeve sekrete siriane në vitin 2015, tha po atë vit se “Egjipti dhe Siria janë në të njëjtën anije”.  Delegacioni egjiptian vizitoi Damaskun pavarësisht përjashtimit të Sirisë nga Liga Arabe dhe në një intervistë të vitit 2017, Al-Sissi tha madje se “Egjipti mbështet ushtritë e shteteve si Iraku, Libia dhe Siria”.

Mbreti Abdullah i Jordanisë ishte ndër liderët e parë që denoncoi Assadin dhe kërkoi largimin e tij. Por ai më vonë ndryshoi qëndrim, duke acaruar Arabinë Saudite. Pas bisedimeve që pasuan mes Princit të Kurorës Mohammed bin Salman dhe zyrtarëve rusë, edhe Riadi zyrtar nuk duket se i kundërvihet më publikisht qëndrimit në pushtet të presidentit sirian.

Ndërhyrja ushtarake ruse në Siri, e cila filloi në vitin 2015, u pa fillimisht nga Izraeli si joefektive dhe e destinuar të dështonte. Por në realitet, ajo e përforcoi pushtetin e Assadit në planin e brendshëm, nxiti krijimin e një koalicioni me Iranin dhe Turqinë dhe neutralizoi ndërhyrjen e vendeve arabe si Katari, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Dhe sa kohë që SHBA janë tërhequr nga fushëbeteja edhe më herët, Izraelit i duhej të kënaqej me të keqen më të vogël. Por koalicioni rus nuk është lidhje dashurie. Teherani dhe Moska ndajnë qëndrime të kundërta lidhur me zonat e vëna nën kontroll. Turqia, e cila pushtoi rajonet kurde në very të Sirisë, kërcënon dëshirën e Rusisë për një shtet të bashkuar sirian.

Për pasojë, synimi i Izraelit është të nxjerrë Iranin nga Siria dhe Rusia, më shumë sesa SHBA apo shtetet arabe, është e vetmja fuqi e aftë të kufizojë operacionet e Iranit në Siri dhe ndoshta edhe ta detyrojë atë të largohet.

Assad ka varësi shumë të madhe ndaj Rusisë, edhe më shumë sesa ndaj Iranit. Dhe kjo është e përshtatshme për Izraelin, sepse do të thotë se politika e jashtme e Sirisë, përfshirë politikën e saj të ardhshme ndaj Izraelit, do të vetohet nga Kremlini, që të paktën do të thotë garanci për koordinim me TelAvivin dhe një reduktim të kërcënimit sirian. Në këmbim, Izraeli është angazhuar që të mos minojë pushtetin e Assadit.

Më tej akoma, Izraeli ka këmbëngulur që marrëveshja që pasoi luftën e Yom Kipur në vitin 1974, të qëndrojë në fuqi, çka do të thotë që Izraeli nuk të pranojë që forcat siriane të vendosen në zona të çmilitarizuara të Lartisive Golan që janë objekt i saj. Zyrtarisht, vëzhguesit e OKB-së monitorojnë zbatimin e marrëveshjes, por në praktikë ishte regjimi i Assadit që siguroi që Siria t’i përmbahej marrëveshjes dhe të mbante kufijtë të qetë për dekada të tëra. Izraeli, që ka një mendim jo të mirë për vëzhguesit e OKB-së, e ka përdorur aftësinë frenuese ushtarake që të bindë Assadin se respektimi i marrëveshjes ishte në interesin e tij.

Tani Rusia po i bashkohet kësaj force mbikëqyrëse dhe bie dakord me Izraelin për nevojën e ruajtjes së qetësisë në kufij. Për këtë arsye TelAvivi do të dëshironte suksesin e plotë të Assadit dhe jetëgjatësinë e tij. Dhe kur ministrat e Izraelit kërcënojnë pushtetin e tij të mëtejshëm nëse ai lejon forcat iraniane që të shfaqen afër kufirit izraelit, ata duhet ta dinë se po kërcënojnë gjithashtu Rusinë – sikurse partnerin e ri strategjik të Izraelit në pallatin presidencial në Damask.

*Përkthimi dhe titulli: ResPublica

Burimi: Haaretz

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.