“Flutura” e Bjarke Ingels Group në qytetin ku po fshihen gjurmët e së shkuarës

Postuar në 02 Korrik, 2018 15:01
Andrea Bulleri

Tirana është një qytet modern në kuptimin ekzistencial të fjalës, pothuajse i shpikur. Koha e saj ka vetëm dy përmasa: të tashmen dhe të ardhmen. E shkuara nuk ekziston”. Kështu e përshkruan Indro Montanelli kryeqytetin shqiptar në vitin 1939, me sikletin e një vështrimi të zhgënjyer. Pak fjalë arrijnë ta përmbledhin karakterin e një qyteti të angazhuar që atëherë, edhe tani, në ridefinimin e vetvetes. Pendimi është një barrë e padobishme, kur e ardhmja të paraqitet gjithnjë me e blertë dhe miqësore me natyrën nën petkun e T030, masterplanit të ri që parashikon 2 milionë pemë në një qytet ende të papërfunduar, me karakter të plotë urban dhe i projektuar në mënyrë të pashmangshme të shkojë drejt metropolit.

Ky qytet më në fund mikpritës, në të cilin hapësira e madhe pedonale e sheshit “Skënderbej” të lejon t’i shpëtosh trafikut të automjeteve, ka një sistem të vjetëruar dhe të papërshtatshëm infrastrukturor. Kjo mund të duket mundësia më e mirë për të rivlerësuar hapësirën publike, për të rishikuar ofertat kulturore dhe rekreative nën hierarkitë e reja, të vendosura nga ata që i tërheqin mediat larg nga mjerimi i një trashëgimie të viteve 900 që duhej hedhur poshtë. E ardhmja qëndron në mijëvjeçarin e tretë, nuk është hedhur pas krahëve.

“Tirana po shkon drejt një epoke transformimi dhe inovacioni pa precedent”. Këto janë fjalët që ka përdorur kryebashkiaku Erion Veliaj në prezantimin e projektit për Teatrin Kombëtar në Shqipëri, i dizajnuar nga Bjarke Ingels Group. “Teatri i ri i projektuar nga BIG do të kthehet në xhevahirin e këtyre transformimeve në zemër të kryeqytetit. “Flutura” do të bashkojë artistët, ëndërrimtarët, talentet dhe aspiratat e një qytetit që po lëviz me marshin e pestë brenda një ndryshimi konstant”, ka thënë Veliaj.  

“Flutura” në fjalë nuk është gjë tjetër veçse një prizëm i deformuar në formë papioni, i mbledhur në mes dhe i vendosur në afërsi të sheshit “Skënderbej”, pranë kompleksit ministror. Ai duhet të përmbushë një udhëtim ideal kulturor, duke përfshirë Operën dhe Galerinë Kombëtare të Artit.

Forma e veçantë e ndërtesës që zbut ndikimin volumetrik, është një ndërfutje problematike urbane me lehtësinë e një arkitekture që krijon strehim e hapësirë publike në nivelin e tokës dhe kufizon mbështetjen në skajet e jashtme. Një objekt me fuqi tërheqëse, që ngjan si i ardhur nga një botë tjetër dhe i zbritur krejt rastësisht në Tiranë (si për fat, “binjaku” i tij gjendet në Korenë e Jugut, ku mban firmën e studios “Forma”).

Forma e ndërtesës i përgjigjet logjikës së brendshme të një organizimi hierarkik të përbërë nga tre mjedise: një auditor kryesor në qendër, ndërsa në krahët e tij dy salla të vogla (njëra e dedikuar për koncertet, tjetra për spektaklet).

“Leximi” i kësaj hapësire bëhet menjëherë, si në konfigurimin e përgjithshëm, edhe në fasadat anësore: njëra e brendshme urbane dhe tjetra në një zonë të gjelbëruar. Ka gjithashtu edhe disa mekanizma simbolikë të aktivizuar. Pjesa veriore sheh në drejtim të një hapësire më intime dhe zbulon të gjithë prapaskenën, duke ekspozuar kështu në sytë e kureshtarëve funksionimin kompleks të “makinerisë” së teatrit, që zakonisht qëndron larg syve të publikut.

Pjesa jugore është një përzierje “kuadrosh” të futura brenda një kornize të hollë strukturore, që i dedikohet hapësirës ndihmëse të teatrit: hyrja, dhoma e pritjes, hapësirat e ekspozitës, bari dhe restoranti. Ky këndvështrim prej “shtëpie kukullash” nënkupton nevojën për transparencë ekstreme dhe një mjedis të dallueshëm vuajeristik. Në çati, konvergjenca e dy kateve është shfrytëzuar si një amfiteatër në natyrë, duke përdorur qytetin në ndërtim si sfond: tema për të cilën duhet të festojë teatri.

Studioja e ka konceptuar ndërtesën si një “makineri të mahnitshme” që vlerëson perspektivat e vendeve të hapura, me gjelbërim dhe pedonale, kur në të vërtetë teatri gjendet “i shtrënguar” mes shumë ndërtesave të tjera, të ndërtuara në epoka të ndryshme dhe në lartësi po ashtu të ndryshme. Por në këtë rast, imazhi duhet të jetë domosdoshmërisht bindës, me qëllim që të lihet në harresë fakti se vepra nuk gjendet në një zonë pa ndërtesa, por zëvendëson Teatrin historik Kombëtar.

Në një këndvështrim në tërësi, kjo ndërhyrje duket si një sakrificë, një proces i ridhënies së kuptimit që tejkalon ndërtesën ekzistuese: në këtë rast, një dëshmi e rëndësishme arkitekturore e periudhës italiane, kompleksi i destinuar për rrethin italo-shqiptar “Skanderbeg” dhe për Teatrin Popullor, i realizuar në vitin 1939 nga kompania “Pater” me teknologji inovative për kohën. 

Një ndërtesë e artikuluar që paraqet mbi aksin rrugor majat e dy godinave paralele (të lidhura fillimisht nga një portik), mes të cilave ka një oborr të brendshëm me pishinë, pistë vallëzimi dhe mjedise çlodhëse. I gjithë ansambli është ruajtur në pjesën më të madhe të tij, pavarësisht ndërhyrjeve dhe përshtatjeve që janë bërë në një periudhë të gjatë kohore (si Teatro Savoia 1938-1940, kinema “Kosova” 1945-1954, Teatri Kombëtar 1954-2008), gjatë së cilës është cilësuar gjithmonë si pikë referimi e rëndësishme në sfondin historik dhe kulturor të Tiranës.       

Por tani “e shkuara nuk ekziston”. Një topografi e re simbolike synon të vërë në dukje objekte dukshëm bashkëkohore, duke çmontuar nga ana tjetër pjesë urbane me domethënie. Në vitin 2011, prishja e kopshtit të ideuar nga Giulio Berte në vitin 1935 kaloi pothuajse në heshtje. Në vitin 2017, disa polemika e shoqëruan shkatërrimin e stadiumit monumental të projektuar nga Gherado Bosio (1939-1941), shkatërrim që ndodhi pavarësisht faktit se TR030 përfshiu në mesin e udhëzimeve të tij strategjike ruajtjen e trashëgimisë arkitektonike të shekullit XX. Asnjë zë nuk ngrihet në mbrojtje të asaj pak trashëgimie që mbetet nga “materiali” historik otoman.

Gjithçka ikën dhe nuk mbetet gjë pas. Pra, pikërisht e kundërta e procesit platonik të dijes, që del në pah në fjalët e Roberto Calasso-s: “Nuk ka risi, por kujtesë. E re është ajo që ne kemi si më antike”.   

Burimi: TemATv(Il giornale dell architettura)

Comments

Submitted by Art (not verified) on

Ka patur dhe do kete sahanlepires, kudo ku ka corba qe ofrohen per ata...

Ky tipi qe ka shkruar artikullin po manipulon me qellim kur thote "binjaku i teatrit eshte ne Korene e Jugut"!
Projekti eshte nje ide e vjedhur nga studio "Forma" qe duan ta ndertojne mbi nje toke te vjedhur.
Sa turp! Shkrime te tilla jane nje peshtyme ne fytyre.
...dhe Respublica boton, boton...

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.