Mos u besoni sidomos kur flasin për dhurata!
Kryeministri Edi Rama dhe dy krushqit e betonit në Tiranë, kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj dhe ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, janë duke rrëmuar çdo fjalë pro prishjes së Teatrit Kombëtar, që në fakt është premise e vetme për tjetërsimin e pronës publike në një zonë ku parashikohet të ndërtohe gjashtë kulla.
Ministrja është personi më pa rëndësi në këtë debat dhe një rol të tillë e zgjodhi vetë, qoftë me heshtjen e saj, qoftë me firmën mbi një projektligj që sot po e mbron kryebashkiaku Veliaj. Por kjo nuk do të thotë se ajo është personi me më pak faj në këtë histori të turpit që nuk mbulohet as me interesat prej miliona eursoh që qëndrojnë pas kullave.
Një ndër argumentet që u përdorën për prishjen e Teatrit është se qeveria nuk ka para për të ndërtuar një të ri që sipas tyre kushton 30 milionë euro, ndërkohë që kanë bërë çmos të përjashtojnë opsionin e rikonstruksionit. Mirëpo me ditët që ikin, gënjeshtra në fjalë vetëm sa fryhet për të krijuar obezitetin e fjalëve të kota qeveritare. Sot të tri këta persona kanë shpërndarë një video të përfundimit të punimeve në të ashtuquajturin teatri “Turbina”, i cili është shndërruar nga ish-instituti i Hidroteknikës në teatër.
Vepra është dorëzuar muaj me vonesë, pasi parashikohej për në shkurt, ndërkohë që në këtë kuadër është me interes të shikohen shumat e hedhura në këtë vepër.
Ajo ka nisur të rikontruktohet në vitin 2016, bashkë me Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit dhe të dy bashkë kanë kushtuar 12 milionë euro. Pra 12 milionë euro të hedhura për rikonstruksionin e dy godinave, njëra prej të cilave ka ndryshuar destinacionin.
Të gjitha ankesat dhe kritikat e bëra ndaj të gjitha qeverisjeve për harresë të kësaj krenarie kombëtare janë të drejta. Keni hak në dhé e në qiell!
Por jeni dhe të fortë dhe pasionantë sepse arti dhe artistët që kanë krijuar, kaluar e projektuar nga ajo skenë janë jo vetëm ikona të skenës shqiptare por tashmë edhe yje të artit skenik botëror
shprehej asokohe ministrja Kumbaro.
Sigurisht që duhet ekspertizë për të folur sesa do të kushtonte rikonstruksioni i godinës së Teatrit Kombëtar, por një gjë është e qartë, qoftë edhe duke u nisur nga këto dy projekte: qeveria lekët i ka, apo i gjen dhe se ndërhyrja rehabilituese është e mundshme dhe madje efektikve. Ministrja nuk impresionon dot më as veten me pozat patetike që merr sa herë ka rast të dalë në publik, as me qeshjen kinse të shpenguar që duket se e stërviti edhe ca më tej, në kohën kur i dhuroi Parkut Kombëtar të Butrintit një salçiçeri që menaxhohet nga sponsorë elektoralë të Partisë Socialiste. Ekipi i tanishëm në qeverisje ka maninë demagogjike që çdo investim ta prezantojë si dhuratë të mirëqeverisjes, por përvoja me këtë kategori të kujton atë fjalën e urtë latine: Mos u beso danajve edhe kur vijnë me dhurata!
Nuk impresionojnë as këto videot me lule dhe ndriçim, as leksionet bajate të Erion Veliajt , pasi të dy janë ushtarët e një lojë që tërhiqet nga ai që sot preferon të heshtë dhe të përdorë për konsum këta artistë oborri që nuk e kanë për gjë t’i thonë të bardhës së zezë. Dhe është ajo heshtje që po ble kohë për kullat e dashura që do të ngrihen në truall publik, e që kushtojnë miliona euro që befas gjenden kaq lehtësisht, apo ofrohen nga një kompani e cila shndërrohet sa hap e mbyll sytë në mecenate të artit.
Add new comment