Misteret që rrëfen mizanskena e një fotografie të paralajmëruar

Postuar në 30 Qershor, 2018 12:02
Bujar Alimani

Teatri Kombëtar i Shqipërisë është në Tiranë. 7436 km vijë ajrore nga vendi ku unë banoj. Nuk ka qenë kurrë më afër se këto kohë…Ose më saktë MË I AFËRT. Për herë të parë kam qenë në oborr të tij në pranverën e vitit 1988 kur vendosa të përgatitesha për konkursin e regjisë në Institutin e Lartë të Arteve të atëhershëm. Madhështor. I rëndë. Magjik. Mistik. Indiferent. Shpërfillës. Por gjithësesi shumë i bukur. Të gjitha këto i justifikonte. Atëherë. Dhe tani. Shfaqja e parë që kam parë ka qene “ZBUTJA E KRYENEÇES”.  Dhe tani të gjitha këto, si një re pluhuri mund të shkërmoqen e thërrmohen brenda lugëve të eskavatorëve të Bashkisë apo të kompanive të ndërtimit.

Dhe tani kur njësoj si në dramat e mëdha, në tragjeditë antike apo shekspiriane, heronjtë mbeten vetëm, mbeten të tradhëtuar. Kur thika e politikës, ndoshta më mizorja që ka parë Shqipëria pas thikave të regjimit të Enver Hoxhës, ka hyrë t’i gjakosë mes vedit. Pasi i ka poshtëruar, pështyrë për kaq vjet, pasi i ka robëruar në punëtorë helmatisësh emisionesh televizive, pasi i ka lodhur, dëmtuar, gjakosur e paguar veç për bukën e gojës, pasi u hoqi çdo status nderimi e dinjiteti, pasi i përbuz “o me ne o kundër nesh”,  i rimerr, i “mjekon” dhe tashmë i hedh në garnizonet e saj kundër llojit të tyre. Gaveta e Rilindjes kaq shumë e etur për militantë zgjerohet e fryhet dhe në këto kohë është luks mesa duket të mbetesh jashtë saj. Jashtë gavetës që e përdorin veç ushtarët. Ushtarët e Partisë.

Si fotografitë me Udhëheqësin. Të paktën ai shkeli një herë në teatrin e kombit. Dhe që atë mbrëmje bëri mynxyrën. Ndërsa ky i tanishmi bën mynxyrën pa shkelur kurrë.

Por të dy mbeten njësoj. Të dy shkaktojnë mynxyrë. Ndaj fotografia e jashtëzakonshme e publikuar nga Erjoni(Veliaj) në thelb shpjegoi të gjithë dramën. Lëvizja e Erjonit, krahu, dora. Kurrë në të njëjtin vend; njërit në brez, tjetrit në qafë, buzëqeshje të lodhura të të gjithëve. Dhe artistët e fotografisë duken të lodhur. Me siguri kanë menduar: 

“Në djall ky makth”.

Aktori i fundit djathtas duket se ka shpresë. Jo te kauza. Tek Erjoni. Të katërt më kujtuan çuditërisht shfaqjen e parë që kam parë në Teatrin Kombëtar, komedinë e Shekspirit: “ZBUTJA E KRYENEÇES”. Me protagonist Petrucion: Erjon Velinë. Pak ditë më parë, disa prej tyre, me mall dhe krenari i kisha vënë në murin tim në faqen e Facebook. Por nuk do e ngacmoj atë publikim. Sepse unë besoj. Nuk jam me orë. Besoj në çfarë besova. Nuk ndërroj ide në korridore institucionesh. Në ato institucione ku përgatitet mësymja kundër ëndrrës. Shqipëria ka rastin më të mirë të tregojë që nuk ka vdekur. Më kujtohet një publikim i para disa muajsh i Kastriot Cipit, që në mënyrë brilante paralelizonte krizën e Teatrit Kombëtar me krizën në ish-Jugosllavi, ku diktatori serb Milosheviç, kurrë nuk kishte menduar se fundi i tij do i vinte pikërisht nga krahina që ai urrente më tepër në shtetin e tij, nga Kosova. Dhe ashtu ndodhi. Gjasat mesa duket po e shtyjnë mendimin se dhe Edi Ramës, gjëma do i vijë pikërisht nga komuniteti të cilin ai për shkaqe psikike mesa duket e urren histerikisht më shumë – TEATRI.

Teatri Kombëtar mund të rrafshohet. Por Teatri Kombëtar për qeverinë Rama mund të bëhet njëherësh edhe kronikë e një vdekjeje të paralajmëruar. Në gjithë këtë vorbull, fotografia katërshe mbetet një kujtim i trishtë i një kauze të tradhëtuar, por kurrsesi të humbur. TEATRI KOMBËTAR i Shqipërisë është në Tiranë. Zero kilometra nga shpirti ku unë jetoj.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.