Duan që të keqkuptohen
Sot Ministria e Brendshme e Shqipërisë është detyruar të publikojë atë që e quan një sqarim për prononcimin e zv.ministrit Julian Hodaj, i cili ka thënë për ADF-në gjermane se Shqipëria ka kapacitet të mbajë 600 mijë emigrantë. Ministria thotë se lajmi ka nxjerrë deklaratën nga konteksti duke ofruar me këtë rast edhe sqqarimin e vet:
Nisur nga jehona mediatike e një kronike televizive të rrjetit gjerman ZDF, në datë 19.06.2018, me qëllim evitimin e spekulimeve dhe keqpërdorimeve të përmbajtjes së kësaj kronike, Ministria e Brendshme sqaron se:
Ndërtimi i kampeve për imigrantë nuk është një çështje në shqyrtim apo në diskutim. Askush nuk e ka kërkuar deri më sot dhe askush nuk e ka ofruar një gjë të tillë.
Thëniet e zv.ministrit Julian Hodaj, të cituara në kronikë janë përgjigjja e një pyetje konkrete:
“Çfarë mund të bënte Shqipëria në kushtet e një emergjence imigrantësh?”
Përgjigjja e kësaj pyetjeje është ajo që citohet: “Shqipëria e ka treguar gjatë luftës së Kosovës se është në gjendje të përballojë këto emergjenca”.
Pra përgjigjja lidhet me një situatë hipotetike humanitare emergjence, si ajo gjatë luftës së Kosovës ku pati një angazhim shtetëror e popullor, dhe jo mbi një diskutim nëse një kamp mund të ndërtohet ose jo në Shqipëri
Ky version është një shpjegim mbi teknikën e lajmit e cila në perceptimin e institucionit të drejtuar ga Fatmir Xhafaj është keqpërdorur. Mirëpo nuk është hera e parë që lajthitje të tilla menaxhohen si çështje të keqkuptimit nga mediat. Pak muaj më parë, Ministria e Brendshme e drejtuar nga i njëjti ministër u bë objekt talljeje dhe debati, pasi ndryshoi dy herë qëndrim mbi aspektin operacional të kapjes së kokainës së Maminasit. Z. Xhafaj deklaroi fillimisht se kokaina u kap në bashkëpunim me partnerë të huaj, por më pas, Zyra e Kryeministrit imponoi versionin e vet sipas të cilit kokaina u kap nga forcat policore shqiptare pa asnjë ndihmë nga jashtë.
Situata u bë qesharake në kulm, kur kryeministri Edi Rama, deklaroi në intervistë e sipër me gjermanen “Die Welt” se droga e Maminasit u kap në bashkëpunim me italianët. Duke qenë se ky version përgënjeshtronte po kryeministrin, ky i fundit doli një ditë më pas për të risqaruar edhe njëherë, se version i dytë nuk qëndron, por ai i pari është i vërteti. Sërish keqkuptimi iu mvesh medias. Edhe pse komedia në këtë rast do kërkuar si pasuri e patundshme brenda gardhit të qeverisë. Intervistën e “Die Ëelt” e zbardhi Agjencia Telegrafike Shqiptare, prej nga ku e morën të gjitha mediat dhe në të drejtor është/ishte ish-punonjësja e Zyrës së Shtypit të Kryeministrit, Armela Imeraj. Çka e shpjegon disi më ndryshe këtë historinë e keqkuptimeve, që duket se burojnë sa nga paqartësia dhe paaftësia e zyrtarëve, aq edhe nga fakti se gjërat nuk mbulohen dot kaq kollaj. Mundet të jetë që edhe vetë z. Rama të jetë sugjestionuar nga përsëritja e lajmit se droga e Maminasit u kap me ndihmën e të huajve, por në rastin e z. Hodaj, ose kemi një deklaratë që kërkon të shesë më shumë nga sa mban, ose në fakt, negociatat për kampe refugjatësh janë të vërteta dhe jo spekullime siç po do t’i paraqesë qeveria.
Add new comment