Tiranë- Kamëz, kriza e re ballkanike për emrin

Postuar në 17 Qershor, 2018 15:00

Zgjidhja e konfliktit për emrin e Maqedonisë, ka vënë në qendër të publicitetit kryeministrat Zaev dhe Tsipras. Por njëkohësisht ka ristabilizuar një zonë ekuilibri që ka interes për SHBA-të dhe Perëndimin, duke zgjidhur një konflikt që krijonte kushtet për penetrimin e aktorëve si Turqia apo Rusia.

Në kushtet e reja, Shqipëria që u ofrua si portë alternative për Maqedoninë humbet rëndësinë e vet gjeopolitike, për të mbetur një vend periferik dhe pa ndikim. Po kështu goditje merr edhe pozita e z. Rama, që pretendoi dikur të njihej si Lideri i Ballkanit. Çtensionimi i raporteve me Serbinë pati padiskutim efektin e vet, por marrëdhënia e personalizuar me Vuçiç nuk pati magjinë e pritur, sepse edhe njëherë, problemet mes Shqipërisë dhe çdo vendi tjetër në rajon, janë më shumë folklorike dhe nuk mbështeten nga ndonjë politikë e qëndrueshme në Tiranë.

Kësisoj, z. Rama mbetet në kryqëzimin e të qenit kryeministër I një vendi që vlen për ndonjë fundjavë pushim, por nga i cili nuk kalon historia dhe diplomacia.

Për të kapërcyer këtë situatë të pakëndshme dhe depresuese, mësohet se z. Rama ka nisur negociatat me Xhelal Mziun, për ndryshimin e emrave të rrugëve në Bashkinë Kamëz, e njohur për paradokse të mëdha. Z. Rama po kërkon heqjen e rrugës me emrin “Sali Berisha” dhe “Coca Cola”, duke provouar një krizë të vërtetë civilizimi. “Të Kripura” mësoi se kjo krizë e re ka vetëm për qëllim rifaktorizimin e z. Rama si aktor rajonal dhe me peshë, i cili në diplomacinë e vet udhëhiqet nga vizionet perëndimore.
Pyetja se përse katandisi kokoshi një thelë, pra pse erdhëm te kriza me Kamzën, merr përgjigje nga fakti se z. Rama iu refuzua ngritja e kampit për luftëtarët e ISIS të cilin do ta trumbetonte si shenjë të një tolerance të veçantë të shqiptarëve, ne emër të së cilës patjetër  që do kapardisej lart e poshtë. Por si e thotë edhe fjala e urtë: kur nuk ke pulën, ha sorrën.

Shaptilografisti

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.