Banka Botërore: Bllokuam paratë për rrugën Durrës-Kukës, sepse rezultoi me probleme të rënda
Banka Botërore deklaron se autostrada Tiranë-Durrës, pas rivlerësimit të bërë, rezulton një rrugë me probleme të rënda. Zyra e shtypit e degës së kësaj banke në Shqipëri shpjegon për TemA TV se kjo rrugë është pjesë e njërës prej 4 kontratave të mirëmbajtjes, të cilat u rishikuan pas bllokimit. Ndërkaq, kreu i Autoritetit Rrugor, Afrim Qendro, tha se kontratat nuk kanë funksionuar dhe për to është bërë amendim.
Ka nisur këtë të hënë riparimi i autostrdës Tiranë-Durrës, një rrugë e cila ishte kthyer në mankth për udhëtarët. Për të inspektuar fillimin e punimeve ishte në zonë, drejtori i ARRSH-së, Afrim Qendro, dhe ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri, të cilët lajmëruan bllokimin dhe vënien në funksion në datën 1 korrik, sikundër edhe mosfunksionimin e marrëveshjes me Bankën Botërore.
“Kontrata e mirëmbajtjes me BB prej 1300 km rrugë ka pasur problemet e veta të trashëguara dhe realisht gjatë këtyre muajve përgatitëm të gjitha projektet dhe zgjidhëm të gjitha ngërçet kontraktuale dhe administrative që kishte mes këtij projekti, i cili ishte gati të dështonte, dhe autoriteteve shqiptare”, deklaroi Gjiknuri.
Në fakt, zgjidhja që po ndërmerret sot, parashikohej të kryhej deri para një viti, sipas referimit që japin për Tema Tv, si ARRSH, ashtu edhe Banka Botërore që financon mirmbajtjen e këtij aksi. Por, për drejtorin, Afrim Qendro, kjo kontratë dhe 3 të tjera nuk kanë funksionuar, prandaj u desh të bëhej amendim.
“Brenda muajit qershor ta përfundojmë këtë punim. Elementët e sigurisë rrugore dhe kalueshmëria do të përmirësohen shumë herë më mirë dhe nuk do kemi këto probleme në këtë aks rrugor. Natyrisht nuk është rehabilitim, pasi projekti i rehabilitimit që ne e paraqitëm dhe e bëmë gati, Banka Botërore nuk iu përgjigj sepse dilte jashtë kontekstit të kontratës dhe ARRSH është duke punuar për të gjetur fondet që ta bëjë me buxhetin e shtetit”, tha kreu i ARRSH, Qendro.
Ndërsa Banka Botërore i tha Televizionit TEMA se kontrata përfshin vetëm mirëmbajtjen, që nga aprovimi i projektit në vitin 2014, ndërsa institucioni ka kërkuar para pak kohësh edhe rivlerësim të gjendjes së rrugës.
"Kemi kërkuar rivlerësim për të parë gjendjen e rrugës. Autostrada Tiranë-Durrës ka rezultuar rrugë me probleme të rënda. Menaxhimi i kontratave bazuar në rezultate ka qenë i ndryshëm dhe kjo ka krijuar probleme, që ndërhyrja të shtyhet. Janë të njëjtat kontrata, por janë rishikuar projektet dhe dizenjimet", thuhet në reagimin e BB.
Banka Botërore, e cila është edhe financuesja e projektit “Mirëmbajtja dhe Siguria Rrugore bazuar në Rezultate” me një vlerë prej 65.9 milionë eurosh, në rishikimin e fundit të ecurisë e ka raportuar rishikimin e kontratave, ndërsa ndërhyrja në aksin Tiranë-Durrës, u paraprin edhe ndërhyrjeve në segmentet Vorë-Fushë Krujë, Kthesë e Kolonjës-Fier, Shkodër-Muriqan, Skuraj-Klos etj..
TemaTv
Add new comment