Rama: Nuk tërhiqemi nga inceneratori në Fier
Kryeministri ishte në Fier për të prezantuar projektet që qeveria ka për këtë qark. Investimi që ka hasur në pengesa është ai i inceneratorit, për të cilin kreu i qeverisë deklaroi se nuk ka kthim mbrapa. Rama solli si model të suksesshëm inceneratorin e Elbasanit, ndërsa përmendi se shembuj të impianteve të tilla ka edhe në Vienë.
“Ajo që njerëzit duhet të kuptojnë nga këta sharlatanë është që mbetjet jashtë kontrollit vazhdojnë të ndosin ujrat, ndërkohë që në mes të Vjenës ka impiant mbetjesh që prodhon energji. Ajo që do të ndodhë si në Elbasan dhe në Tiranë është se do vendosim në prioritet bujqësinë dhe do shmangim ndotjen”- deklaroi Rama.
Lajmi se qeveria do të ngrinte një incenerator me djegie shkaktoi protesta të banorëve të fshatit Verri në Fierit. Nga ana tjetër opozita ka deklaruar se ndërtimi i 3 fabrikave për djegien e plehrave në Elbasan, Fier dhe Tiranë është një nga aferat më të mëdha korruptive të qeverisë.
Sipas saj, qeveria i ka mbajtur të fshehta kontratat e inceneratorëve, madje 2 prej 3 kontratave, ajo e Fierit dhe e Tiranës nuk janë botuar as ne Buletinin e Agjensise se Prokurimeve Publike dhe as ne Fletoren Zyrtare, duke kryer kështu edhe vepër penale. PD thotë se kontrata për Fierin nuk ka patur të specifikuar vendin se ku do të ndërtohet, duke hyrë në histori si kontrata më antiligjore e firmosur ndonjëherë.
Add new comment