Rekrutimi i opinionit dhe spektakli i instinkteve

Postuar në 06 Qershor, 2018 14:01
Agim Baçi

Tendenca për të përfshirë edhe të miturit në një debat rreth llojeve të seksit siç ka ndodhur kohët e fundit në mjaft shkolla, duket si një përpjekje për të ndryshuar domethënien e këtij debati në familjet shqiptare, duke vendosur haptazi rëndësinë e trupit përpara rëndësisë së mendjes dhe moralit. Autori i librit “Shoqëria e spektaklit”, filozofi i njohur francez Guy Debord, parashikonte që në vitet ’70 se shoqëria, përmes pushtetit të spektaklit, do të zëvendësojë qenien me aparencën dhe imazhi do të jetë gjithnjë e më shumë në vend të objektit.

Dhe në fakt, dhënia e një rëndësie të posaçme të debatit mbi seksin dhe llojet e tij, është në vazhdën e dërgimit të moralit dhe të të menduarit sa më në periferi të shoqërisë së sotme. Po t’i bashkojmë kësaj përpjekjeje edhe atë shqetësim që shprehte studiuesi Umberto Eko për inkurajimin që i bëhet sot injorancës që të mos fshihet më, por të shpallë krenarinë e vet në çdo ekran dhe dritare komunikimi, atëherë mund të themi se kemi të bëjmë me ndërtimin e cirkut më të frikshëm të së ardhmes së një shoqërie, që është cirku i zhveshjes së njeriut nga e shenjta dhe e vërteta dhe dhënies së autoritetit të fortëve dhe të fuqishmëve.

Show të ndryshëm që tentojnë të godasin shenjtërinë e mendimit përmes ndryshimit të gjuhës, pyetësorë në shkolla, emisione e shumë tekste që publikohen pa përfillur as një nga traditat dhe kulturën shqiptare, po e sugjerojnë debatin e seksit si rrugë drejt lirisë, si njohje të vetvetes!!! Lakuriqësia dhe orientimi seksual shtrohet tashmë si një çështje që duhet ta sqarojmë publikisht, me fqinjin, shokun e klasës, kushëririn apo me këdo tjetër që ka dëshirë ta rrëfejë.

Madje, çështjet e seksit duket sikur tashmë shtrohen për diskutim me formulën “tani dhe pa u fshehur nga publiku”, duke u dhënë udhë spektakleve që kanë në qendër inkurajimin e instinkteve dhe epshit. Dhënia e një hapësire kaq të madhe këtij cirku të zhveshjes së gjithçkaje nga morali, përgatit veçse breza që të menduarit do të vijojë ta konsiderojë çdo ditë e më shumë një luks të tepërt për jetët e tyre.

Si të tillë, të rinjtë e sotëm dhe brezat e ardhshëm, të cilëve iu është shtuar edhe prania gjithnjë e më shumë e pushtetit të “të fortëve”, do të vijojnë të kërkojnë gjithnjë e më pak llogari ndaj atyre që i drejtojnë, pasi do ta kenë gjithnjë e më të vështirë ta kuptojnë mungesën e lirisë. Ata do të jenë të lirë për të ekspozuar dëshirat, por jo për të kuptuar atë që i duhet, pasi manipulimi i zë çdo dritare të komunikimit me të vërtetën dhe ia zëvendëson rregullisht realitetin me dëshirat.

Ky ndryshim realiteti përmes gjuhës dhe ky inkurajim i komunikimit përmes instiktive, vjen për shoqërinë si një “radioaktivitet shpirtëror” me pasoja shumë më të mëdha se dhuna fizike dhe, për më tepër, shumë më i vështirë për t’u kuptuar nga kushdo. Nga ana tjetër, rekrutimi i opinionit publik në llogoren e duartrokitjeve i ka lënë shteg zvetënimit të së shenjtës.

Tërheqja nga debati publik i të paguarve si akademikë dhe studiues të këtyre çështjeve, si dhe zvogëlimi gjithnjë e më shumë i efektit publik të klerikëve të të gjitha besimeve, sidomos në debatin lidhur me pasojat e këtyre fenomeneve për të nesërmen tonë, i ka hapur rrugën mësymjes së madhe të spektaklit, duke e kthyer shoqërinë në pjesëmarrëse apo spektatore të cirkut të dëshirave. Ky cirk është dera e madhe nga ku manipulimi kthehet në mbretërinë e jetës së përditshme, një mbretëri ku shumica rrezikon më pas të kthehet në aktor të teatrit të mbijetesës – një teatër që ka treguar historikisht se synon të zhdukë fuqinë e njeriut për të ndryshuar dhe guximin për t’u revoltuar ndaj padrejtësive.

Panorama

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.