NATO krijon "Club 100" për anëtarësimin e Serbisë në Aleancë
Perëndimi po shton përpjekjet e veta që Serbia të heqë dorë nga doktrina e neutralitetit ushtarak dhe të bëhet pjesë e NATO-s. Lajmin e bën të ditur gazeta serbe “Vecernje Novosti” sipas të cilës në Serbi pritet të krijohet ai që quhet “Club 100”, në të cilin do të hyjnë profesorë universiteti dhe figura publike që do të promovojnë hapur nevojën e hyrjes së Serbisë në Aleancë.
Sipas gazetës në fjalë, përpjekja e Perëndimit lidhet me ndalimin dhe eleminimin e “ndikimit malinj rus në Ballkan”, me Serbinë si një "zonë kyçe të intensifikimit të propagandës”. Në qendër të interesit është edhe Republika Srpska, “ku shërbimet e NATO-s dhe ato perëndimore kanë detyrën specifike të prishjes së lidhjeve mes Milorad Dodik dhe Kremlinit”.
VN shton më tej se në muajin shtator një grup profesorësh do të takohen në Fruska Gora për t’u trajnuar dhe përgatitur për mënyrën sesi duhet popullarizuar NATO mes serbëve. Ky informacion i atribuohet sekretarit të dytë në Ambasadën amerikane në Beograd, John Bowermaster që lë së shpejti detyrën. Po kështu bëhet e ditur se muajin e kaluar në Beograd ka qenë Cincila Moli nga Komanda Europiane e NATO-s, që bën pjesë në departamentin e propagandës ku është takuar me përfaqësues të shoqërisë civile. Moli ka kërkuar që të prezantohet sa më mirë bashkëpunimi mes NATO-s dhe ushtrisë serbe dhe Ministrisë së Mbrojtjes, por edhe stërvitja “Serbia 2018” që do të organizohet nga Aleanca në Mladenovac në muajin tetor.
Add new comment