Nga "Kushtetuta më idiote" te polici të huaja në kufi. Kujt i duhen këto lloj negociatash?
As Austria nuk jep garanci apo datë për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë me Bashkimin Europian. Gjatë një konference për shtyp mes kryeminisrave Edi Rama dhe Sebastian Kurz në Vjenë, ky i fundit ka zbardur qëndrimin austriak që është një Po për Shqipërinë, por pa datë.
Do ta shohim këtë gjë, nuk mund t’u jap përgjigje të qartë apo siguri të qartë për këtë, dhe siç e tha dhe kryeministri ka disa shtete anëtare të BE që për shkak të çështjeve të Brendshme çojnë në faktin që e kanë të vështirë të marrin këtë vendim, megjithatë ka një dëshirë të fortë në Shqipëri që të shkojë drejt rrugë së reformave.
Ajo ka bërë shumë në rrugën e integrimit vitet e kaluara dhe negociatat e pranimit janë drejt një rrugë të mirë dhe ka mundësi të mirë po nuk e di kur mund të merret ky vendim. Është drejt një rruge të mirë dhe Komisioni e ka thënë këtë dhe kjo është ajo që vlen
citohet Kurz.
Kancelari austriak nuk ka nxjerrë ndonjë arsye specifike se përse nuk ka një datë për Shqipërinë dhe Maqedoninë, ndërkohë që ka vënë theksin te çështja e migacionit ilegal. Edhe njëherë, Shqipëria ka pranuar që të vendosë policë austriakë në kufi me Greqinë, pas policëve gjermanë dhe italianë që u ra dakord të vendoseshin vitin e kaluar.
Kryeministri më ka kërkuar ta mbështesë dhe i kam thënë që do e mbështesim fort Shqipërinë, mbështetje financiare për Shqipërinë po dhe vende të tjera që të luftojmë migracionin ilegal. Do e mbështesim dhe në marrëdhëniet bilaterale, me policë të rinj. Së bashku me Ministrin e Punëve të Brendshme do të marrim kontakt me kryeministrin, që së bashku me partnerë të tjerë të BE të ndjekim një rrugë bilaterale që fluksin e emigrantëve ta ndalojmë para se të shtohen më shumë
vijoi Kurz.
Rruga drejt BE-së po kthehet në një shteg ku Shqipëria po lëshon shumëçka në emër të një persepktive që nuk ka më asnjë garanci. Kujtojmë këtu deklaratat e ish-ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjani, pak kohë më parë, sipas të cilit reforma poshtëruese në sistemin e drejtësisë u bë në këmbim të premtimit për hapjen e negociatave.
Kushtetuta e Shqipërisë është e pangjashme në rruzullin tokësor, për shkak të disa ndërhyrjeve idiote. Shqipëria nuk ka bërë reformë në drejtësi, por spektakël. Kemi heshtur të gjithë, edhe unë gjuhëgjati. Ka shumë juristë me mend në këtë vend që kanë shprehur rezervat e veta në korridore, por heshtëm sepse na u premtua ftesa për hapjen e negociatave. Kur kam qenë ministër i Drejtësisë u arrit deri aty sa më thuhej “mos e prek këtë, mos e lexo se e ka lexuar Brukseli. Se përndryshe nuk na japin ftesën
u shpreh Manjani.
Z. Rama duket se është gati të poshtërojë çdo shqiptar duke ia besuar kufirin policive të të gjithë botës për të marrë një koncesion politik që nuk dihet nëse vlen kaq shumë.
Add new comment