Nga 1 qershori tarifat e reja gjyqësore, rritje 40%

Postuar në 27 Maj, 2018 15:19

Nga 1 qershori hyjnë në fuqi tarifat e reja gjyqësore, të cilat reflektojnë një rritje prej 40 përqindësh për hapjen e padive nga qytetarët. Në një intervistë për Tema TV, kreu Shoqatës së Avokatëve Penalistë, Sajmir Vishaj thotë se pagesat  e larta procedurale do të “frenojnë” qytetarët, për t’iu drejtuar dyerve të gjykatave.

“Duket sikur ka rëndesë në xhepat e qytetarit, i cili përdor të drejtën e aksesit për t’iu drejtuar gjykatës në çështjet civile apo penale. Kemi një rritje të të gjitha tarifave me 30-40%. Por mendoj se para se të ngrejë një padi apo t’i drejtohet një gjykate më të lartë, duhet të mendohet edhe për shpenzimet procedurale, sepse deri tani me çmimet e ulëta që kanë qenë nuk mbuloheshin shpenzimet procedurale.

Ndryshimet e reja kushtetuese dhe ato në Kodin e Procedurës Penale sjellin automatikisht edhe një zbritje të çështjeve, prandaj është vënë ky kufizim, duke rritur shpenzimet procedurale, por edhe duke zbutur edhe rënien graduale të dosjeve. Aktualisht në ligjin e ri të procedurës penale, shumë çështje penale do të kalojnë në dhomë këshillimi, nuk do të kalojnë në seancë gjyqësore më. Pra në dhomën e këshillimit do të vendoset pranimi ose mospranimi i tyre", thotë ai.

Vishaj e pranon se jo të gjithë qytetarët kanë mundësi të vazhdojnë gjyqet me këto kosto, prandaj sugjeron një zgjidhje për qytetarët, ndërmjetësimin dhe pajtimin pa shkuar në gjykatë.

"Problemin më të madh unë nuk e shikoj te çështjet civile, unë e shikoj te çështjet penale, te e drejta për t’iu drejtuar me ankim një vendimi të gjykatës së shkallës së parë p.sh. një i paraburgosur i cili nuk ka mundësi për shkak të izolimit të tij. Atëherë, si mund të paguhet një ankim në shumën 20 mijë ose 30 mijë lekë?

Për çdo konflikt që lind në Shqipëri, ne menjëherë i drejtohemi gjykatës. Në të gjithë botën, para se të zgjidhësh një konflikt civil ose kundravajtje penale, mund të hyjë në zbatim ligji për ndërmjetësimin. Duhet të shkosh te ndërmjetësi, përpara se të shkosh te gjykatësi. Prandaj rritja e tarifave do të sjellë uljen e numrit të padive civile dhe të ankimeve të bëra formalisht”, përfundon Vishaj.    

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.