Opozitë që legjitimon pushtetin
Opozita parlamentare shqiptare po i referohet përherë e më shumë skenarit maqedonas që çoi në rrëzimin e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski.
Audiopërgjime të cilat nuk dihet nga vijnë dhe që stisin apo publikojnë skandale prej nga ku mandej provokohet reagimi popullor, ja një skemë që e ngjeth regjimin opozitar të Shqipërisë.
Por skenari maqedonas na mëson se edhe në kushtet e bombave apo skandaleve që nxiten dhe kapitalizohen nga një opozitë, kjo nuk garanton rotacionin politik. Gruevski i fitoi zgjedhjet dhe ndryshimi në Maqedoni as që do të kishte ndodhur nëse nuk do të ndërhynte SHBA. Një mësim i mirë ky në shoqëri ku korrupsioni nuk është dukuri e izoluar, por masive.
Nga kjo pikëpamje, objektivat e opozitës shqiptare kanë rëndësi për të kuptuar axhendën e saj me një audiopërgjim, pas të cilit ajo pretendon të fitojë terren, por edhe njofton video të reja, të cilat siç thuhet ka kohë që i disponon. Mospublikimi nga njëra anë dëshmon dallimin me opozitën maqedonase, e cila mori kosto të mëdha, ndërkohë përdorimi i një audiopërgjimi në një formë që lë shumë dyshime, nuk mundëson as besimin minimal te PD-ja dhe LSI-ja.
Sot kryeministri Edi Rama është shprehur i sigurtë se ekspertiza do verifikojë se audiopërgjimi është i manipuluar dhe nuk përjashtohet që lajmi në fjalë të hidhet në treg ditën e protestës. Sipas tij, pas audiopërgjimit ka një skenar serioz dhe këtu duhet të kujtojmë se për disa ditë me radhë PS-ja ka aluduar se pas drogës së Maminasit qëndrojnë njerëz me pushtet në PD.
Krijohet ideja e një përballjeje për tregun e drogës, linjat e menaxhimit të saj, ndërkohë që audiopërgjimi shitet si zbulim ekskluziv.
Sërish, skandali i pretenduar nga PD-ja me këtë audiopërgjim do të kërkonte minimalisht largimin e qeverisë dhe zgjedhje të reja. Por ajo nuk e bën këtë duke kërkuar bashkë me LSI-në vetëm largimin e ministrit të Brendshëm, çka kompromenton aksionin politik opozitar. Po shkohet drejt një pike kritike kur opozita parlamentare luan rolin e atij që legjitimon me paaftësinë dhe intrigat e veta pushtetin e tanishëm, duke u kthyer nga alternativë në pjesë thelbësore të problemeit. Edhe sot që flasim, PD-ja nuk e përjashton në asnjë moment bashkëqeveisjen me PS-në dhe nuk distancohet nga marrëveshja e majit 2017.
Add new comment