Shqipëria me probleme, borxh i lartë publik
"Vendi ende nuk është duke përfituar plotësisht nga kostoja e ulët e punës dhe afërsia me BE-në, për shkak të një mjedisi të vështirë biznesi, që pengon investimet. Prandaj është e rëndësishme që qeveria të përdorë këtë situatë të favorshme për të nxitur axhendën e reformave, në mënyrë që të nxisë rritjen potenciale, çka do të mundësojë që vendi të përfitojë nga pranimi potencial në BE".
Ky është një nga konkluzionet e raportit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për Shqipërinë në fund të programit të parë vjetor të monitorimit. Sipas FMN hapja e negociatave të pranimit në BE mund të ofrojë një mundësi për të përparuar në zbatimin e axhendës së reformave, duke çuar në rritjen e investimeve dhe rritjen e PBB-së.
Raporti, ndonëse konstaton rritje ekonomike, është mjaft kritik dhe e vë theksin te niveli i lartë i borxhit, kreditë me probleme që vijojnë të mbeten ende të larta pavarësisht uljes, akumulimit të detyrimeve të reja të prapambetura, dobësive të institucioneve publike dhe sistemit gjyqësor dhe një mjedisi të vështirë për biznesin.
"Borxhi publik mbetet i lartë. NPL-të, ndonëse në rënie, vazhdon të ndikojë në rritjen e përgjithshme të kredisë, veçanërisht në sektorin e korporatave. Përmirësimi i pajtueshmërisë dhe administrimit të taksave është vendimtar. Progresi drejt taksimit të pronës bazuar në vlerë është i mirëpritur, por zbatimi i tij kërkon përgatitje të kujdesshme"- thuhet më tej në raport.
FMN kërkon nga autoritetet të marrin masa shtesë për rritjen e të ardhurave, duke përfshirë zgjerimin e bazës tatimore.
Add new comment