Shpikja e shqiptarit Boutari...

Postuar në 21 Maj, 2018 15:56

Lajmi i sulmit ndaj kryebashkiakut të Selanikut, Yannis Boutaris, është përcjellë gjerësisht në mediat shqip. Si zakonisht profilizimi i personit në fjalë në mediat e Shqipërisë kalon nga refleksi i përhershëm për të gjurmuar prirjet shovene greke që janë bërë zhargon i denoncimit dhe i propagandës. Një nga mediat që ka dhënë diçka “më shumë” për Boutaris është televizioni Vizion Plus që del sot me një titull të tillë në faqen e vet online: Butari, shqiptari i Selanikut.  Pasi thekson se Butari është pasardhës i themeluesve të kantinës me famë botërore “Butari”, televizioni në fjalë kalon tek origjina.

Babai i tij Stelios Butaris ishte vllah nga Voskopoja, ndërsa e ëma ishte nga Krusheva në Maqedoni. Vet Kryetari i Bashkisë së Selanikut në një intervistë në vitin 2010 për gazetën greke “Ethnos” ka deklaruar se: “Origjina ime është nga Krusheva dhe nga Voskopoja. Si të thuash…ndjehem pak grek i diasporës. Nëse dëshironi, patriotizmi ose helenizmi është përtej kufijve

thuhet në shkrimin me autore Gerta Banushi.

Siç shihet Boutari deklaron përkatësinë vllahe që me gjasë është e tillë nga të dy anët e prindërve të tij, pasi Krusheva në Maqedoni është ndër qendrat historike të vllehëve. Por për gazetaren që ka përgatitur shkrimin duket se pak rëndësi ka se origjina vllahe është e qartë dhe e dallueshme nga përkatësia shqiptare, pavarësisht vendndodhjes gjeografike të vllehëve të origjinës së kryebashkiakut të Selanikut.

Sulmi i kësaj të shtune ndaj Kryebashkiakut të Selanikut do duhej të hapte në Greqi diskutime të mëdha, se sa i fortë e i rrezikshëm është nacionalizmi grek për çështje të ashtuquajtura kombëtare dhe se si Greqia duhet të ripozicionojë veten në rajon lidhur me identitetin e saj.

Mbase do të duhet ende kohë që autoret e sulmit të arrijnë të shohin historinë dhe të vërtetën në sy. Të pranojnë se një ditë në Ballkan kufiri do të jetë thjesht nocion gjeografik e jo pengesë. Deri atëherë Janis Butaris, shqiptari i Selanikut për të cilin mosha është si vera që familja e tij prodhon, duhet të luftojë shumë

përmbyllet shkrimi që i mvesh Boutarit kombësinë që dëshiron, në këtë rast shqiptare. Apeli për ripozicionim të Greqisë ecën këtu dora dorës me nevojën e medias në fjalë që të sqarojë me veten se çfarë është shqiptare ose jo. Shembulli ka rëndësi sepse reflekton sesi mendësia i prin gazetarisë dhe raportimit. Pak kohë më parë, në media qarkulloi një shkrim polemik i prof. Xhevat Lloshin që merrej me origjinën e një intelektuali të njohur nga Voskopoja të shekullit të XVIII, Teodor Kavalioti.

Ky i fundit është shqiptarizuar nga shkrime të ndryshme, përfshirë ato të akademikëve, por Lloshi vë re se Kavalioti është arumun, por si intelektual ai është edhe shqiptar. Ky fill për kombësinë nuk është një hollësi e vogël, pasi ai shpërfill një histori komplekse të një “dukurie ballkanike” si Voskopoja duke ia nënshtruar të vërtetën dëshirave, prirjeve apo edhe komplekseve nacionale të kohës sonë.

Aq më tepër merr vlerë kjo lloj gënjeshtre në epokën e internetit, kur burimet dhe mundësia për informim është shumë e madhe, çka e bën fare të pakuptimë titullin kumbues të Butarit të cilit media jonë i jep një pasaportë që nuk e ka. Përtej këtij aspekti qëndron edhe një kredo e rreme që synon të kundërvendosë kozmopolitizmin e supozuar të shqiptarëve me nacionalizmin primitiv të grekëve. Por kjo as është temë për trajtim në media, siç shohim p.sh rëndom me të ashtuquajturat dokuementarë propagandistikë si ato të Marin Memës, as edhe mund të sqarohet në kushtet kur nacionalzimi i grekëve goditet me frazat e një nacionalzimi folklorik që për fat të keq është përvetësuar si atribut profesional e ca më keq, si mision nga gazetarë apo media të ndryshme.

Fakti është i thjeshtë: Boutari nuk u sulmua as si vllah dhe as si shqiptar. Ai u sulmua për qëndrimet e veta dhe kjo zbardhje identiteti, edhe kështu e rreme, nuk shërben për asgjë, përveçse për një gënjeshtër, apo keqinformim më shumë dhe për ca klikime. Dhe kjo në fund quhet politikë editoriale…

s.zaimi 

Comments

Submitted by Grigor Banushi (not verified) on

Gazetaria ka fakte, të dhëna, komente dhe qendrime. Stili dhe mënyra e të shikruarit ka veçoritë e veta dhe mjete shprehëse të tillë si metafora etj. Kështu kur një gazetar del nganjëherë nga klishetë quhet shpikje me konotacion negativ nga kritizerët "profesionistë". Thelbi i shkrimit nuk është për të nxjerrë Butarin shqiptar.Thelbi është tjetërkund veçse do pakëz fare vrarje të mendjes për ta kuptuar. Pastaj kush tha që vllah nga Voskopopja nuk ka lidhje me shqiptarët.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.