Vështrim i shkurtër mbi marrëdhëniet Shqipëri-Turqi

Postuar në 12 Maj, 2018 14:25
Av. Halil Hyseni*

Për gjerësinë e mar rëdhënieve shqiptaro – turke, një pasqyrim të vlefshëm e ofron materiali arkivor i Ministrisë sonë të Punëve të Jashtme. Numri i lartë i shifrës, i raportimeve apo memove mbi këto marrëdhënie shfaqin larminë dhe gjerësinë e marrëdhënies. Trashësia e dosjeve vjetore pasqyron faktin se marrëdhënia shqiptaro – turke është ndër më të lëvruarat.

Përmes leximit të materialeve preket thellësia e tyre. Pasqyrohet aty raporti i posaçëm mes dy vendeve tona, uljet dhe ngritjet e saj. Pavarësisht kohërave dhe sistemeve të ndryshme shoqërore, në Shqipëri apo në Turqi, më së shumti hapur, por edhe në nëntekstin diplomatik të raportimeve gjen ashiqare respektin e ndërsjellët. Gjen pasqyrim të afinitetit njerëzor midis dy popujve tanë. Gjen interesa të përbashkëta.

Krahas tyre, të pranishme dhe me pasoja për vetë marrëdhëniet janë edhe veprimet individuale, emotive e në jo pak raste me pasojë frenimin e lirshmërisë në marrëdhënie. Janë të pranishme uljet dhe ngritjet. Uljet, në më të shumtën e rasteve e kanë vijën bashkuese te roli i unit politik, te puqja apo mospuqja e individëve të fortë në krye të shteteve tona.

Diagrama e marrëdhënieve shqiptaro – turke është edhe funksion i realiteteve përkatëse politike. Është fakt se realitetet politike, për periudhën 1929- 1990, janë karakterizuar nga kahja e kundërt. Triumfit të republikanizmit në Turqi i përkoi vendosja e mbretërisë në Shqipëri dhe pas Luftës së Dytë Botërore, instalimit këtu të diktaturës së proletariatit, në Turqi i korrespondoi sistemi kapitalist. Orientimit tonë kah lindja i përkonte orientimi pro perëndimor në Turqi dhe aderimi i saj në NATO. Ndryshësia e realiteteve la pasojat e saj mbi marrëdhëniet tona diplomatike.

Rrugëtimi 500-vjeçar në perandorinë otomane dhe shpërbërja e saj la pas për zgjidhje çështje të rëndësishme si, problemet e shtetësisë dhe të pronave të qytetarëve të një vendi në vendin tjetër apo problemi i Borxhit Publik Otoman, për shkak të së cilit administrata e re shqiptare u vendos shpesh përballë presionit për pagesë të tij nga vendet europiane kredidhënëse.

Veç problematikës së trashëguar u shtuan edhe pasojat e Marrëveshjes GrekoTurke të 30 janarit 1923, për shkëmbimin e popullsive. Marrëveshje, e cila prodhonte pasoja si për shqiptarët myslimanë të Çamërisë, edhe për shqiptarët ortodoksë që jetonin në Turqi. Shpopullimi i trevave shqiptare të ish- Jugosllavisë ishte një tjetër problematikë, për shkak të shkuarjes së tyre drejt Turqisë. Në pasojë u arrit Marrëveshja Jugosllavo – Turke e 11 korrikut 1938, të cilën Turqia nuk e ratifikoi. Shqipëria bëri e para hapin për vendosje të marrëdhënieve. U kurorëzuan më 17 shkurt 1926, Ministri Fuqiplotë i Turqisë paraqiti letrat kredenciale. Një muaj më pas, Rauf Fico i paraqiti letrat kredenciale Presidentit të Republikës Turke, Mustafa Qemal Ataturkut.

Fakt është që dy vendet tona edhe për t’i prishur marrëdhëniet nuk kanë përtuar. Nuk u përtua dy herë. Nuk përtoi as Ahmet Zogu dhe as Enver Hoxha. I pari, më 8 tetor 1929 tërhoqi përfaqësinë në Ankara dhe Konsullatën në Stamboll në kundërshtim të mosnjohjes mbret prej Ataturkut. I dyti, Enver Hoxha, pavarë- sisht se Turqia nuk e njohu okupimin e Shqipërisë, nuk e përtypi ndihmën turke dhënë Mbretit në ekzil dhe Konsulli turk u largua në 16 korrik 1945.

Ashtu si edhe për prishjen, nismën për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike e ndërmori pala shqiptare. Kërkesa për vendosjen e marrëdhënieve bëhet nga legata jonë në Paris më 4 shkurt 1958. Pranimi erdhi më 4 qershor të po atij viti. Mbushim tashmë gjashtëdhjetë vjetorin e ristartimit të marrëdhënieve tona. Edhe pse pa përfaqësi respektive, juridikisht marrëdhënia diplomatike rezulton të ketë qenë në fuqi. Trashëgimia e paraluftës konsistonte në katër akte, midis tyre edhe Traktati i Miqësisë. Në një udhëzim të ministrit të kohës, Behar Shtylla, evidentohet se: “Marrëveshjet e më- sipërme u shqyrtuan në dritën e vendimit nr.3, datë 27.5.1944, të Këshillit Antifashist Nacional Çlirimtar dhe për këtë qëllim doli vendim qeverie, në bazë të të cilit konsiderohen në fuqi të gjitha marrëveshjet e përfunduara me Turqinë, me përjashtim të atyre që kishin skaduar vetiu”. Duke vijuar se “…Qeveria jonë i konsideron gjithnjë në fuqi këto marrëveshje”.

Traktati i Miqësisë, i ratifikuar dhe përherë në fuqi, në nenin e dytë të tij i lidhte vendet në marrëdhënie diplomatike.

Rinisja u parashtroi diplomatëve respektivë një gamë të gjerë çështjesh për ndjekje dhe trajtim.  Edhe pse në një botë të polarizuar, me përkatësi në sisteme të kundërta shoqërore, Turqia dhe Shqipëria nuk patën tensione në marrëdhëniet e tyre të limituara.

Ndryshimi i sistemit hapi dimensione të reja bashkëpunimi. Përpos raporteve bilaterale, të dyja vendet tashmë ndajnë të njëjtin sistem, angazhohen, bëjnë pjesë apo synojnë të njëjtat organizata. Niveli i shkëmbimeve në të gjitha fushat kapi kulmet, vizitat e ndërsjella gjithashtu.

Marrëdhëniet shqiptaro – turke nuk kanë qenë kurrë periferike, kanë qenë përherë të rëndësishme, pse janë pasqyrë e interesave të ndërsjella. Rënia e perdes se hekurt i solli në qendër të vëmendjes, për secilën palë. Mbështetja e Republikës Turke ka qenë multidimensionale. Ka qenë në interes të Shqipërisë, ka qenë në interes të shqiptarëve. Mbështetja e Republikës Turke ka qenë dhe është e vlefshme në shumë sektorë të jetës shqiptare.

Mbështetja e Republikës Turke ka qenë pa pikë këputjeje në angazhimet e synimet ndërkombëtare të Shqipërisë apo të Kosovës. Mbështetja për anëtarësimin tonë në NATO dhe rrugëtimin tonë aty ka qenë pa mëdyshje dhe pa kushte. Në bisedime midis palëve dhe në realitet ka qëndruar dhe qëndron i pandryshuar angazhimi për forcim të marrëdhënieve miqësore dhe zgjerim të bashkëpunimit bilateral. Pasojë e angazhimit të dyanshëm është fakti që Turqia vitin e kaluar shënonte një nga pesë partnerët tanë tregtar më të mirë, me një volum tregtar prej 460 milionë USD.

Investimet serioze turke në sistemin bankar, në energjetikë dhe jo vetëm, apo të pritshmet në fushën e aviacionit civil kanë injektuar dhe injektojnë zhvillim ekonomik.

Nuk janë vetëm lidhjet e së kaluarës dhe leksionet e mësuara, është angazhimi për të ardhmen që i ka vendosur vendet tona në partneritetit strategjik. Është nevoja për një vend dhe rajon të sigurt e në paqe, që e ka përcaktuar këtë. Është edhe për këto arsye që pritet institucionalizimi i Partneritetit Strategjik midis Shqipërisë dhe Turqisë. Pritet nënshkrimi i aktit dhe bazuar në të, përparimi i mëtejshëm i marrëdhënieve midis vendeve tona. E kundërta nuk na shërben.

*Ish-zv.ministër i Jashtëm

Panorama

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Shume dakort per marrdhenie tregtare reciproke! Por ky partneritet strategjik ku bazohet? Ne ambicjet otomane te rishfaqura serish per pushtimin e Europes? Apo ne mbushjen e xhepave te politikanve shqiptare nga biznesi turk? Apo ne risjelljen e fese ne kurriz te laicizmit tradicional shqiptar?

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.