Legalizim falas, por a janë të vlefshme certifikatat e shpërndara në bazë të një VKM-je?
Qeveria e Edi Ramës premtoi legalizim falas. Dhe në fakt procesin po e ndjek si të tillë. Vetëm se eliminimi i kostove rrezikon vlefshmërinë juridike të të ashtuquajturave tapi për ata që legalizojnë pronën e tyre.
Në një kronikë të TemaTv, del në pah se certifikatat në këtë rast po jepen në bazë të një Vendimi të Këshillit të Ministrave të datës 22 qershor 2016, ndërkohë që legjislacioni shqiptar parashikon mënyra të tjera të kalimit të pasurisë. Përfaqësuesi i Dhomës Kombëtare të Noterëve, Erajd Dobjani, thotë se ky handikap krijon kushtet e pasigurisë juridike për ata që marrin këto certifikata, pasi procedura ka anashkaluar ligjin.
Pavlefshmëria e tyre vjen nga VKM e kësaj date e cila ndryshon procedurat e kalimit të pronësisë të parcelave ndërtimore, pra të pronës ku janë kryer ndërtimet dhe është në proces legalizimi. VKM-ja për të shmangur aktin e noterizimit e cila ishte kundrejt një tarife dhe për të përmbajtur premtimin e qeverisë Rama për legalizime falas shmangu aktin e noterizimit dhe ky veprim do bëhej administrativ pra u ngarkuan zyrat e ALUIZNI-t. Po ky vendim është në kundërshtim me ligjin e legalizimeve
raporton TvT.
Televizioni në fjalë shton se Dhoma Kombëtare e Noterëve në Shqipëri “ka ngritur padi ndaj kësaj VKM-je”, padi e cila u rrëzua në Gjykatën Administrative të Apelit. Dhoma ka bërë recurs në Gjykatën e Lartë, çka nëse rezulton me fitore të palës ankuese, do të passillte paradoksin e pavlefshmërisë së plotë të certifikatave që shpërndahen me vendime qeverie.
Add new comment