Ekranizohet operacioni i Mossadit që shpëtoi mijëra hebrej etiopianë
Mossadi izraelit ka një mënyrë aktive për ta promovuar aktivitetin dhe mitin rreth vetes. Njësoj si partnerët e vet në SHBA, shërbimi i jashtëm izraelit preferon të deklasifikojë materiale të ndryshme që mandej gjejnë rrugën në media.
Së fundmi gazeta “Haaretz” shkruan për operacionin “Vëllezërit” organizuar nga Mossad në vitet ’80 e që u zhvillua në Sudan. Operacioni, që është deklasifikuar së fundmi po ekranizohet nën titullin "Resorti i Detit të Kuq" ku luajnë ndër të tjera Chris Evans dhe Ben Kingsley. Vendstacionimi real i operacionit ishte Arous Holiday Village që ofronte shërbime zhytjeje, vizita në shkretëtirë, në plazhe të bukura etj..
Pas këtij mbulimi, operativët e Mossadit do të shkonin drejt kampeve të refugjatëve sudanezë dhe prej andej do të tërhiqnin me mijëra hebrej etiopianë të cilët mandej niseshin drejt Izraelit.
I pari që hodhi dritë mbi ekzistencën e operacionit ishte agjenti Gad Shimron i cili publikoi në vitin 1997 librin: “Eksodi i Mossadit; shpëtimi i guximshëm dhe i fshehtë i fisit të humbur të hebrejve”. Ai thotë për gazetën se është arrestuar dhe marrë në pyetje nga autoritetet sudaneze të sigurisë. Ka patur raste kur njësitë e Mossadit janë qëlluar me armë ndonëse në finale operacioni shkoi mirë. Mijëra hebrej u zhvendosën drejt Izraelit, aty ku sot përballen me problemin e madh të integrimit në shoqëri. Pjesa tjetër e operacionit ishte thjesht pushime në një zonë shumë të bukur të Afrikës dhe çdo gjë paguhej.
Gazeta jep edhe disa hollësi për orgjinën e operacionit që nis me kryeministrin Menachem Begin në vitin 1977. Pas raportimeve se hebrejtë etiopianë po iknin nga vendi për shkak të luftës civile duke u drejtuar për në Sudan.
Begin thirri kreun e Mossadit, Yitzhak Hofi për të vlerësuar mundësitë e ndërhyrjes. Çdo gjë do të niste vetëm katër vjet më vonë, pra në vitin 1981 kur MOssad pikasi një grup vilash në plazh ndërtuar në vitin 1972 nga sipërmarrës italianë e që ishin braktisur pasi autoritetet sudaneze nuk mbajëtn premtimin për të sjellë rrugën dhe energjinë elektrike.
Që këtej nisi edhe plani për hollësitë e të cilit Mossad është kaq i njohur. Autoriteteve turistike sudaneze iu prezantua një kompani zvicerane e cila kërkonte marrjen me qera të resortit për 320 mijë dollar. Më pas agjentët e pajisën atë me energji elektrike dhe ujë duke e sjellë në standard funksionale. Sipas dëshmisë së Shimron, ishte vetëm një turist kanadez që kuptoi se drejtuesit e resortit ishin izraelitë. Vetë turisti ishte hebre dhe detaji që zbuloi se njerëzit aty ishin jo europianë ishte mënyra sesi pritej sallata.
“Vetëm izraelitët e presin sallatën aq hollë”, citohet turisti që duket se ka patur nuhatje të hollë.
Dyshime kishte edhe nga stafi sudanez nisur nga zakonet hebreje të Sabatit, por deri në vitin 1985 kur në Sudan ndodhi grushti I shtetit çdo gjë shkoi mirë. Një operacion humanitar në shkallë të gjerë që thotë shumë për një shërbim të një vendi të vogël si Izraeli, por që për shkak të specifikave dhe diasporës së madhe konsiderohet gati si shërbim global.
Add new comment