Gjelbërimi i Tiranës/A e (keq)përdori kryebashkiaku Veliaj kryeministrin Rama?
Dje kryeministri Edi Rama nisi atë që e quan procesi i llogaridhënies publike. Siparin e hapin një takim në Tiranë në prani të kryetarit të Bashkisë Erjon Veliaj për të cilin Rama tha se:
Sot ne Tirane po ndertohen 17 shkolla të reja të standardeve më të larta që ka njohur vendi. 17 shkolla të reja të cilat do të zgjidhin njëherë e përgjithmonë problemin e turneve, e mbingarkesave e kështu me radhë. Pra në fund të ditës janë kontribute që kthehen mbrapsht. Vërtet paguhet tarifë gjelbërimi, por një kryetar bashkie që gdhihet duke mbjellë pemë dhe nuk shkon të flejë pa mbjellë pemë ia vlen që t’i japësh 5 lekë për të rritur numrin e pemëve dhe për të rritur përmasën e gjelbër të kryeqytetit
Kryeministri u ndal në shumë aspekete, por është (aspak) e çuditshme sesi disa media pranë të majtës dhe sidomos në flirt permanent me Bashkinë, e ndanë pjesëmarrjen e tij në këtë aktivitet me titullin:
Rama: Për një kryetar bashkie që nuk fle pa mbjellë peme, ia vlen ta financosh
Nuk mungon në këtë lajm që duket sikur përcjell dekretin qeveritar për mbrojtjen e fushatës së gjelbësuese të Bashkisë, edhe ky pasazh nga fjala e kreut të saj, Erjon Veliaj:
Konvertuam taksën e gjelbërimit dhe e çuam në fakt për shkollat. Gjelbërimin po e bëjmë kryesisht me kontribut vullnetar dhe katër shkollat e para kanë mbaruar
Pyetja që lind këtu është se për cilën arsye kryeministri merr në mbrojtje fushatën gjelbëruese të bashkisë duke garantuar se “ka dhënë edhe 5 lekë më shumë”, ndërkohë që vetë Veliaj nxiton për herë të parë të zbulojë se vullnetarizmi qëndron në bazë të kësaj pune?
Lajmi u nda në dy mikrolajme: së pari kjo që sapo përmendëm dhe tjetri, lajmi politik që sugjeronte se “Rama ishte tani shend e verë me Veliajn”. Ky lajmi dytë ndoshta i intereson edhe vetë kryeministrit që I është lëshuar qeverisë së vet, por le të na lejohet të hamendësojmë se fjalët e mira për gjelbërimin janë aty ndoshta me shtysë të Veliajt dhe z. Rama në këtë rast ngjan të jetë përdorur.
Ka patur edhe më herët shkrime për fushatën e gjelbërimit të z. Veliaj, janë shtruar pyetje nëse janë mbjellë apo jo 120 mijë pemë. Dhe këto pyetje kundrejt një institucioni që gënjeshtrën dhe mungesën e transparencës e ka tipar kryesor janë shumë të rëndësishme.
Nga të dhënat që disponon ResPublica, janë disa gazetarë që në drejtim të Bashkisë së Tiranës kanë kërkuar në rrugë zyrtare informacion për këtë projekt të gjelbërimit për të cilin nuk ka asnjë të transparencë. Çfarë qëndron pas kësaj propagande dhe sidomos sa është shuma e shpenzuar për një punë që nuk matet dot kollaj?
Në kuadër të këtij interesimi, z. Veliaj duket se ka shfrytëzuar rastin e daljes në krah të kryeministrit për të përcjellë mesazhin se ka mbrojtje të plotë dhe se ka edhe përgjigjen e pyetjes për financimin: e para se është punë vullnetare sipas tij dhe e dyta, këtë ja lë kryeminsitrit Rama ta thotë, se qeveria ka dhënë edhe “pesë lekë më shumë” për gjelbërimin.
Me këtë amnisti politike që shkon dora dorës me atë për taksën ndaj ndërtuesve, z. Veliaj ka trukuar ndoshta z. Rama që e ka nxjerrë si folës të përgjigjeve të veta të cilat nuk pëlqen t’i japë. Keqardhëse të shohësh një kryeministër që përdoret në këtë mënyrë nga një kryebashkiak që duhet hetuar për shumëçka dhe që është njeriu që ka një raport të përmbysur me interesin publik.
Add new comment