Qeveria u pret fondet bashkive debitore
Të gjitha bashkitë që nuk paguajnë detyrimet e prapambetura do t'u priten fondet që buxheti i shtetit jep në formën e transfertës së pakushtëzuar.
Paralajmërimi është konkretizuar edhe me një udhëzim të ministrit të Financave, ku urdhërohet bllokimi i transaksioneve financiare të njësive vendore nëse nuk shlyejnë detyrimet.
Udhëzimi po ashtu sanksionon që edhe në rastet kur ndërmarjet në pronësi të bashkive nuk shlyejnë borxhet ndaj palëve të treta, dhe evidentohet se përgjegjëse për këtë shkak është njësia vendore, sërish bllokon transaksionet.
Udhëzimi i kërkon bashkive që të respektojnë “ligjin për financat e vetëqeverisjes vendore” në fushën e vendosjes së taksave dhe tarifave, pa kaluar kufirin ligjor. Kjo pasi disa bashki përfshi edhe ajo e Tiranës kanë rritur taksat më shumë sesa qeveria.
Po ashtu kushtëzohet edhe lëshimi i garancive nga ana e bashkive për të marrë hua, nëse nuk merret një vlerësim me firmë të ministrit të financave, në çdo rast që ka kërkesë për hua. Pushteti vendor vijon të krijojë gangrenë në ekonomi për shkak të mos shlyerjes së detyrimeve të prapambetura, deri tani shuma e borxheve për 61 bashkitë zë shifrën e 280 milion dollarëve.
Add new comment