Pacienti Erjon Veliaj
Erjon Veliaj ka hyrë tanimë në fazën e një pacienti publik. Ai është pacient i ambicieve të veta, i kostumit që i ka porositur imagjinatës politike që ka për veten, duke besuar se shndërrimi dhe tjetërsimi i dukjes do të sigurojë suksesin maksimal.
Zoti Veliaj është një njeri që nuk i ka bërë ende të 40-at. Ai i përket një brezi që u rrit në lirinë e plotë të zgjedhjes, por edhe në mes të kaosit, ai kaos që shenjoi një kohë të papërsëritshme. E megjithatë, ky njeri që mëton të marrë pushtetin maksimal i nënshtrohet modeleve të një kohe të shkuar e cila nuk mund të riciklohet veçse si karikaturë: ai beson te fryma e aksionit, kuptohet sa për dukje, te vullnetarizmi, kolektivi, e pse jo kolektivizimi, te ideja e tubimeve ku ai kakaris me këngën progresiste që nis që pa u gdhirë e mbaron kur nis turnin kryetari fantazmagorik i Natës. Të cilin edhe sot nuk e njohim kush është.
Zoti Veliaj beson se të ardhmes së Shqipërisë i duhet një supernjeri, një superpunëtor, një superdikush që bën të pamundurën. Ai po na sugjeron narrativën mediatike të këtij superheroi, me kronika të gatshme, me hapje “punësh” të përditshme nëpër trotuare sa për të thënë se punohet 24 orë, ai mbjell pemë e duket ku pemët mbillen, për të plotësuar me dekorin e gënjeshtërt dinamikën e një kryeqyteti që mandej nuk ka se çfarë të kërkojë më shumë sesa një Batman a një Superman me emrin Erjon.
Siç e kemi parë disa herë, z. Veliaj ia kalon edhe superheronjve të Marvel, ai shpesh ndodhet në dy vende të ndryshme në të njëjtën kohë. Sigurisht këtë e rregullon media, të cilën ai në intervistën e fundit në Report Tv deklaron se nuk e ndjek fare.
Madje, z. Veliaj thotë edhe se “jam shumë i lumtur që nuk e ndjek median”. Ai para disa muajsh madje tha se bën seks një herë në javë, duke shpjeguar më tej se “ka kohë njeriu për të gjitha”. Nuk është çudi që të ketë në Tiranë qysh tani njerëz, apo të rinj që po ndjekin këtë modë, pasi në këtë formë të pabesueshme, përmes një serie inskenimesh snobe, u katapultua edhe z. Veliaj në politikë.
Këto gënjeshtra nuk hahen e nuk i duhen kujt. Ne e dimë që z. Veliaj ka një tabor me njerëz në sektorin mediatik, ne shohim televizionet kombëtare që përditë i rezervojnë zotërisë kronika edhe për punë fare banale, e mund të hapin krahun edhe për lajme të tipit: kryetari i Bashkisë del në dritare. Është shumë e vështirë që një gjë e tillë të ketë ardhur për shkak të adhurimit që Frangaj apo znj. Hoxha kanë për z.Veliaj, apo se ata janë mahnitur nga punët e tij.
Në intervistën e para disa javëve në Tv Klan, z. Veliaj nuk ndalonte së turfulluari kundër mediave dhe një gjë e tillë nuk mund të vijë nga përmbledhjet e zyrës së shtypit, por nga ndjekja paranojake e medias.
Superheroi që po na serviret i ngjan atij njeriu prej bore, i bukur dhe argëtues për fëmijët, por vetëm për një natë. Dhe ky superhero, qesharak në çdo përmasë publike që pretendon, nuk i shërben as të ardhmes politike të z. Veliaj që sot u mburr se “jam me kryeministrin si mishi me thoin”.
Njeriu ka nevojë për pak liri, për pak hapësirë që të krijojë identitetin e vet. Z. Veliaj mundet edhe të puthet në buzë me romin më të parë apo të shërbejë dreka dhe darka, por sot atij i duhet të bëjë një gjest, qoftë edhe një të vetëm, të një njeriu normal që ka edhe ai nevojat dhe dëshirat e veta. Të mos e harrojë veten kaq shumë edhe sikur ta ketë kompleks të thellë për atë që mund të jetë realisht. Kjo është patologji për të cilën duhet të gjithë të japim ndonjë ndihmë. Të kontribuojmë që edhe kryetari i Bashkisë ta shijojë Tiranën si të gjithë ne të tjerët. Në fund të fundit, të paktat raste kur ky pacient del nga roli është kur ka përballë gazetarët, kur "pëllet" duke sharë. Më mirë kështu, se i kujtojmë Lalit që ka shpresë, se është gjallë, se e shohim të gjithë për atë që është, e jo për atë që imagjinon në vetmi të plotë.
Add new comment