Japonia publikon emrat e pjesëtarëve të Njësisë 731
Japonia ka publikuar emrat e anëtarëve të Njësisë 731, e cila është e famshme për eksperimentet që kryente mbi civilët kinezë në vitet ’30-40. Njësia synonte zhvillimin e armëve biologjike dhe sipas dëshmive të publikuara, ajo përdorte njerëz për të testuar efektet e provave që bëheshin me bacilë të ndryshëm.
Arkivat japoneze i janë përgjigjur pozitivisht kërkesës së profesorit të universitetit të Shigas, Katsuo Nishiyama duke i kaluar emrat e 3 607 personav.
Dokumenti liston anëtarët e degës së Kwantung për Parandalimin e Epidemive dhe Departamentit të Pastrimit të Ujit – emri zyrtar i Njësisë – dhe daton 1 janar 1945. Lista përfshin 1000 persona mes të cilëve mjekë ushtarakë, doktorë, kirurgë, infermiere dhe inxhinierë.
Japonia ka njohur ekzistencën e Njësisë 731 në fundin e viteve ’90 por ka refuzuar të flasë për aktivitetin e saj që është rindërtuar pjesërisht nga dëshmi dhe rrëfime, apo foto të njerëzve që kanë qenë pjesë e saj apo dëshmitarë.
Mendohet se Njësia 731 ka kryer eksperimente mbi rreth 3000 të burgosur që ishin kryesisht kinezë apo koreanë. Në përfundim të luftës pjesëtarëve të Njësisë iu ofrua imunitet nga ShBA në këmbim të aksesit në kërkimet e kryera. Pas Luftës, disa prej tyre patën karrierë të suksesshme në mjekësi, botën akademike dhe biznes.
Burimi: The Guardian
Add new comment