Monologu i përparimit (Video)
Nuk ka vonuar dhe kryeministri Rama i ka dhënë merita vetes dhe qeverisë që drejton për rekomandimin e hapjes së negociatave me Bashkimin Europian, duke përmbledhur në një monolog eklektik kontributin që sipas tij ai dhe Partia Socialiste kanë dhënë në këtë drejtim.
“Ia kemi dalë që në 4 vjet të kthejmë besimin e popullit tek ne për dy arritje të mëdha. Në vitin e parë të mandatit të parë i dhamë Shqipërisë statusin. Në vitin e parë të mandatit të dytë, i dhamë çeljen e negociatave. Këto nuk janë dhurata. Brukseli është një makineri e pamëshirshme që sheh dhe njeh vetëm meritat”-deklaroi kryeministri.
Duke e quajtur vlerësimin më të lartë 30 vjeçar për Shqipërinë kryeministri tha se do të çojë deri në fund amanetin e Skenderbeut dhe rilindësave për ta bashkuar Shqipërinë me Europën, duke i kërkuar edhe opozitës të kapet dorë më dorë me qeverinë në mënyrë që të përmbushet kjo spiratë e shqiptarëve.
“Dora jonë është përsëri e shtrirë ndaj opozitës dhe e ftoj sot përpara të gjithë shqiptarëve, në emër të të gjithë fëmijëve të Shqipërisë, opozitën dhe kryetarin e saj që mos ngatërrojmë përplasjet shqip për gjithçka na ndan së brendshmi. Kur të flasim në gjuhë të huaj, mos të tregojmë me gisht njëri-tjetrin, por t'i dalim shqiptarisht zot Shqipërisë dhe të ardhmes së saj”-theksoi kryeministri në një konferencë ku nuk pranoi sërish pyetje nga gazetarët. Edhe pse e klasifikoi si ngjarje të madhe, kreu i qeverisë nuk preferoi të analizojë në detaje progres-raportin dhe për më tepër të tregojë pritshmëritë e qeverisë shqiptare për aprovimin ose jo nga 28 vendet anetare në qershor.
Add new comment