"Raketa që provojnë dobësinë, jo forcën e Perëndimit"
Vendet e Perëndimit kanë përshëndetur dhe mbëshetur sulmin ajror mbi Siri të rakorduar mes SHBA-Britani-Francës. Janë tre vende që përbëjnë zemrën e aleancës atlantike të pas Luftës së Dytë Botërore, tre vende anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit që duket se ndjejnë se duhet të ruajnë dhe mbrojnë atë rend global që zuri fill me Jaltën.
Ndërkohë, Gjermania dhe Italia, dy vene të tjera të mëdha në gjirin e Perëndimit kanë mbajtur një neutralitet aktiv, duke deklaruar mospjesëmarrjen në sulme apo edhe mosdisponim të bazave për lëshimin e sulmeve. Aksionet e treshes në fjalë, anashkalojnë edhe NATO-në, aleancën e cila konsiderohet si gardiani i qytetërimit perëndimor dhe vlerave të tij, duke vënë në pikëpyetje rolin e saj sikundër mungesa e një mandati nga OKB kujton ndërhyrjen e fundit në Irak.
Kryeministrja britanike Theresa May deklaroi në një fjalim të sajin se “goditja që po zhvillojmë është në interesin kombëtar të Britanisë”.
Kur kërcënohen elementë të rendit global që na garantojnë sigurinë, ne ndërhyjmë dhe kështu do të bëjmë edhe në të ardhmen
tha ajo.
Mirëpo mediat e njohura ndërkombëtare kanë vënë në dukje se sulmit i mungon arsyeja reale dhe legjitimiteti. Në mos edhe koherenca logjike. Gazeta “The Guardian” shkruante se janë këto arsyet pse May nuk pranoi ta ndante këtë vendim me Parlamentin, ndërkohë që WikiLeaks publikonte një status të vitit 2013 të Donald Trump, në të cilën ai shkruante se
Presidenti për çdo sulm duhet të marrë aprovimin e Kongresit
Argumentit se sulmi është i paligjshëm i përmbahet edhe Rusia, e cila ndodhet në Siri me ftesë dhe kërkesë të Damaskut zyrtar. Ajo që sot po diskutohet me të madhe është se për cilën arsye realisht Perëndimi po përpiqet të parashutohet si aktor në Siri, ku për 8 vjet me radhë dështoi ta dominonte atë përmes njësive që i kontrollonte si ISIS, apo rebelët sirianë.
Në një opinion të botuar në gazetën katolike “Avvenire”, thuhet se sulmi synon që të imponojë vullnetin e Perëndimit dhe pjesëmarrjen e tij në ndarjen territoriale të Sirisë. Sipas autorit Fabio Carminati, sulmi duhet parë në kontekstin e takimit të 10 ditëve më parë në Ankara, mes Rusisë, Iranit dhe Turqisë që sanksiononte mes fituesve një ndarje të vendit.
Raketat e natës së shkuar, në mënyrë paradoksale, kanë sanksionuar dobësinë dhe jo forcën e Perëndimit në Siri…Sepse Trump mezi po pret të largohet, pasi braktisi edhe aleatët kurdë në duart e turqve, sepse shërbimi francez po çmobilizon agjentët e vet nga një zonë tradicionalisht e interesit të Francës dhe sepse Britania e Madhe ka vendosur tashmë se xhihadizmi i ISIS nuk luftohet më në vendet e origjinës por në ato ku ai godet
shkruan ndër të tjera ai.
Edhe BBC në një analizë me autor Frank Gardner vëren mungesën e një stategjie të vërtetë nga Perëndimi që është në këtë rast nën ndikimin e refleksit të humbjes së terrenit përballë Rusisë dhe Iranit. Por edhe dilemat e mëdha që ngarkohen mbi këtë aksion nga precedent me Irakun.
Jam informuar se përpara se të jepej drita jeshile për avionët e RAF, sekretari i Mbrojtjes kaloi disa kohë me Prokurorin e Përgjithshëm me të cilin diskutoi për ligjshmërinë në hollësi
raporton Gardner.
Revista gjermane “Spiegel” e konsideron ndëryrjen e bërë si të gabuar, çka krijon një pereceptim të gjerë mbi faktin se planëzuesit në Perëndim kanë vepruar formalisht nën ndikimin e ngjarjes së Doumas, ku u përdorën armë kimike, por nuk dinë se çfarë ndodh përtej përdorimit të disa raketave.
Një aksion ushtarak ndëshkues ndaj Assadit dhe ushtrisë së tij do të ishte lëvizja e duhur. Por në klimën e tanishme rreziqet janë shumë të mëdha…Gjermania nuk do të marrë pjesë në operacionin ushtarak në Siri dhe ky është vendimi i duhur
shkruhet në editorialin e revistës publikuar pak orë para nisjes së sulmit.
Rezultati i një sulmi të kufizuar duket se nuk pritet të jetë shumë i lartë, edhe sepse Assad ka dëshmuar se nuk impresionohet kollaj. Ai ka tetë vjet që qëndron në detyrë pa u stepur dhe pa hezituar aspak, duke përballur të gjitha kërcënimet dhe duke dëshmuar aftësi të tilla si durimi dhe gëlltitja e shumëçka që përndryshe do të quheshin të papranueshme. Po kështu ai ka provuar se është i gatshëm dhe i aftë të përdorë çdo mjet për të mos dalë nga loja. Sulmi ndaj disa instalimeve ushtarake të tij është thjesht një episod që provon nga një tjetër aspekt se politika perëndimore në Siri ka dështuar. Perëndimi nuk ka deri më sot asnjë projekt politik konkret për kurdët dhe rebelët. Theresa May edhe sot deklaroi se “sulmi nuk ka të bëjë me ndryshimin e regjimit”, ndërkohë që ata që luftojnë kundër Assadit duan të dëgjojnë pikërisht këtë gjë.
Po kështu, sulmi vjen pak vite pas marrëveshjes së shkatërrimit të arsenalit luftarak kimik të Sirisë, çka është një tjetër shenjë se pas parimeve që shpallen, qëndrojnë interesa të tjera të cilat Perëndimi nuk po duket i aftë t’i mbrojë dot.
Add new comment