Debati mbi Tepelenën, kujtesa mbi të dhe objektiviteti historik

Postuar në 15 Prill, 2018 13:30
Enriketa Pandelejmoni(Papa)

Në debatin mbi ish-kampin e Tepelenës më bën përshtypje insistimi i  historianit të Mesjetës, Pëllumb Xhufi për vërtetësinë e fakteve historike, duke u bazuar në dy dokumente, atë të CIA-s dhe atë të një urdhri të ish-ministrit të Arsimit, Totozani, të cilat i përmend disa herë për të hedhur tutje çdo zë kundërshtues të argumenteve të tij, që kampi i Tepelenës ka qenë kamp vdekjeje dhe nuk ia vlen krahasimi me Auschwitzin. Arsyen e tij Xhufi e mbështet në vërtetësinë e dokumenteve arkivore, si një ndër mjetet thelbësore ku mbështetet historia.

Kështu, ai refuzon të pranojë një variant tjetër të historisë së kampit të Tepelenës, pasi nuk ka dokumente, që të dëshmojnë vdekjet dhe shfarosjen e atyre që ishin të mbajtur aty. Duke qenë se merrem me kujtesën dhe historinë, dua të sjell në vëmendje se, për të rikonstruktuar të kaluarën historike, qoftë dhe të një eventi të përveçëm për nga rëndë- sia historike, qoftë edhe të një eventi të dhimbshëm, siç mund të jetë rasti i Tepelenës, studiuesit duhet të marrin parasysh jo vetëm ato dokumente arkivorë, që i kanë mbijetuar amullisë së post-komunizmit në Shqipëri.

Përkundrazi, në analizën historike duhet marrë parasysh edhe kujtesa mbi atë ngjarje apo historitë gojore mbi të kaluarën komuniste në Shqipëri. Në rastin e kampit të Tepelenës duhet konsideruar dhe kujtesa e të mbijetuarve të tij, ajo që rëndom quhet “kujtesë kolektive” e grupit të “banorëve” të Tepelenës apo kampit të Turanit. Kujtesa kolektive është një paraqitje e së kaluarës e një grupi apo komuniteti të përbashkët. Kujtesa është një pleksje kujtimesh individuale dhe kolektive të atyre ngjarjeve që individi mban mend vetë sa është gjallë në këtë jetë, por dhe shndërrohet në memorie kolektive dhe sociale, kur ngjarja në fjalë rikujtohet dhe rrëfehet brenda komunitetit.

Njerëzit tentojnë të komunikojnë përmes kujtesës kolektive dhe kujtesa kulturore e një komuniteti kryesisht bazohet në tekste, në ceremoni, imazhe, arkitekturë dhe monumente të hartuara për të kujtuar ngjarje të rëndësishme për këtë grup. Të gjitha këto memoriale sanksionohen nga instancat shtetërore, qeveria apo nga vetë komuniteti i qytetarëve. Kujtesa kulturore ofron kështu një narrativë publike të ngjarjeve historike, bazuar në versionet zyrtare të historisë, por edhe në ato versione multivokale, të vetë narratorëve të ngjarjeve.

Këto narrativa historike plotësojnë nevojat për një histori të përbashkët, për një identitet të komunitetit dhe janë pjesë të rëndësishme në jetët e njerëzve dhe komuniteteve. Siç ka theksuar studiuesi gjerman Jan Assmann, kujtesa sociale mbi një ngjarje apo event të së kaluarës do të ndryshojë më kalimin e kohës, pasi personi o personat që e mbajnë mend ngjarjen, nuk do të jenë më gjallë për ta treguar “si ka ndodhur vërtetë”, nga këndvështrimi apo nga eksperienca e tyre personale. Sipas Jan Assmann, ky është momenti i kalimit nga kujtesa komunikuese (kommunikatives Gedächtnis) te kujtesa kulturore (kulturelles Gedächtnis) e gjithë komunitetit.

Pikërisht gjatë këtij kalimi ndodh edhe konflikti midis “historisë dhe kujtesës”, ku në thelb të historisë qëndron diskursi kritik që është jokompatibël ndaj kujtesës. Historia gjithnjë është dyshuese ndaj kujtesës. Ambicia e historisë (historianëve), sipas historianit francez Piere Nora, nuk qëndron tek ekzaltimi, lartësimi, por te zhdukja/asgjësimi e asaj ngjarjeje që nuk i përshtatet versionit zyrtar mbi të kaluarën. Një histori e përgjithësuar, pa dyshim, që do të ruajë disa muze, disa medalje e monumente – le të themi materialet e nevojshme për punën e saj – por ajo do t’i boshatisë ato nga ato që për ne (komunitetin) do të mund të ishin lieux de mémoire (vendet e kujtesës).

Për ta konkretizuar kërkimin e objektivitetit historik në analizën e atyre ngjarjeve që kanë ndodhur në kampin e Tepelenës do të konstatoja, se nëse këto rrëfime do të hidhen tutje, refuzohen si të pavërteta, si të pabazuara në dokumente të arkivave të shtetit komunist, atëherë do të shkojmë drejt humnerës së harresës, amnezisë kolektive. Siç ka pohuar dhe historiani Peter Burke, “historia edhe mund të harrohet nga fitimtarët”, duke lënë në hije ngjarje që nuk u interesojnë apo që duan t’i anashkalojnë e lënë në harresë.

Kështu, do të jetë shumë e kollajtë më pas ta rikonstruktojmë historinë e së shkuarës përmes varianteve “zyrtare”, duke pretenduar se regjimi i Enver Hoxhës “nuk ka qenë dhe aq i keq”. Ndaj na duhet edhe kujtesa e atyre që i mbijetuan atij kampi apo kampeve e burgjeve të komunizmit, na duhen rrëfimet e jetëve të tyre, na duhet historia e jetuar e tyre, për të kuptuar së pari si ka funksionuar ai sistem dhunues i lirive dhe të drejtave të njeriut dhe më pas, për të analizuar mjetet e dhunës komuniste. Pa “vendet e kujtesës” një histori e komunizmit bazuar vetëm në dokumente arkivore, do të jetë e mangët.

Panorama

Comments

Submitted by kurvelesh (not verified) on

ju duhet te shkoni te shihni ceshte aushwici birkenau dhe te kuptoni ceshte nje kamp internimi hitlerian.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.