Tërheqje publiçitare!
Ka një ngjashmëri të personazheve që prodhon politika në Shqipëri me gjetjet regjisoriale të kinemasë së para viteve 90’. Një panoramë që përveçse konfirmon arritjet e Kinostudios Shqipëria e Re, na ndihmon të kuptojmë se vazhdojmë të jemi peng i tipologjive që personifikojnë degradimin e pushtetit dhe komizmin që e shoqëron një fazë të tillë. Kryeministrit që kemi i rri mirë ky kostum, pasi për të disatën herë detyrohet të justifikojë me teorizime tërheqjen nga “marrëzitë” që ndërmerr vetë.
“Duke qenë një eksperiencë e parë nuk kemi qenë të përgatitur se çfarë do të sillte një risi e tillë. Nuk kemi bërë sa duhet, jo se kemi qenë indiferentë dhe kemi lënë me vetëdije në harresë, kështu siç është manipuluar, por thjeshte se nuk kemi pasur intuitën e duhur për të kuptuar domosdoshmërinë e sqarimit të kësaj çështje”-deklaroi kryeministri në parlament.
Pasi ndjeu tymin e kabinave të Kukësit, inskenoi një interpelancë me banorët për të diskutuar mbi tarifën e rrugës. Intepelancë me banorët e Kukësit, por nga Tirana, jo në Kukës. On line në zyrë, përballë ekraneve dhe jashtë çdo rreziku për ndonjë skenar të paparashikuar. Shfaqja bëhet edhe më teatrale nëse marrim të mirëqenë denoncimin e opozitës që thotë se disa nga pjesëmarrësit në interpelancën me kryeministrin ishin funksionarë të administratës sipas një liste që deri më tani nuk është përgënjeshtruar ende nga qeveria.
Emrat Posti
Jaho Hoxha Drejtor i Postës Kukës
Agron Hoxha Drejtor i Drejtorisë së Shëndetit Publik
Fadil Morina Drejtoria e Shëndetit Publik
Shpresa Kërxhaliu Nëndrejtoreshë e Gjimnazit
Manushaqe Muça Mësuese
Afrim Hoda OSHEE
Ledian Halilaj Zyra Punës
Skender Ahmeti DAR
Clirim Spahiu Drejtoria e Transportit Rrugor
Azem Elezi Drejtor i Arkivit dhe kryetar i PS aktual
Besart Tota Drejtor i IKMT-së
Dhe në finale tërheqja nga nisma të cilën e mbrojti me fanatizëm, aq sa kërcënoi me forcën e ligjit “vandalët”, gjysmën e të cilëve gjykata i litoi me detyrim paraqitje. I njëjti film me metrazh të shkurtër si në rastin e armëve kimike apo ligjit për importin e mbetjeve ku pas kokëfortësisë erdhi monologu i ndjesës dhe zbrapsjes.
“Nuk do të fusim pagesën nëse nuk sqarojmë asnjë banorë dhe derisa që të jemi të qartë me atë që do bëjmë. Sipas ekspertëve duhen 6 muaj për të vlerësuar fluksin e përdoruesve të shpeshtë. Ne nuk do ta rivendosim funksionimin e sistemit të pagesës përpara pa konkluduar formulën për gjithë zonën. Sepse nuk duam që prapë të biem në kurthin ku ramë nga manipulimi i skajshëm që iu bë kësaj çështje” -tha Rama.
Partia që e ka mandatuar si kryeministër e ka në vokacionin e vet përzgjedhjen e njerëzve që gradohen për betejat publiçitare, ku natyrisht autorësinë e mban Tërmet Peçi dhe më pas Erion Veliaj dhe së fundmi edhe Edi Rama për strategjinë e tërheqjes, e përkufizuar në terma popullorë me thënien “Vër majat, nga vure thëmbrat”
Add new comment