Shqipëria mbetet vetëm me ambasadorin në Moskë
Dy diplomatë të ambasadës shqiptare në Moskë, Albert Jereasi dhe Arben Doçi njëri zv/ambasador dhe tjetri këshilltar duhet të lënë kryeqytetin rus dhe të kthehen në Shqipëri. Vendimi i është bërë i ditur ambasadorit tonë atje Arben Mazioni, i cili u thirr në ministrinë e Jashtme ruse këtë të premte.
Atij iu dorëzua nota e protesstës që parashikon zbatimin e masave të reciprocitetit pas dëbimit të dy diplomatëve rusë nga Tirana. Kjo nënkupton largimin brenda një jave të dy nga tre diplomatëve shqiptarë që shërbejnë në misionin tonë diplomatik në Rusi. Me largimin e dy diplomatëve ambasada shqiptare në Moskë do të përfaqësohet vetëm në nivel ambasadori.
Ministria e Jashtme shqiptare në një reagim të saj thotë se “Reagimi i Moskës nuk përbën surprizë për ne. Vendimi i marrë prej nesh pak ditë më parë në lidhje me dy diplomatët Rusë, i bashkërenduar me qëndrimet e aleatëve tanë strategjikë ishte proporcional ndaj sulmit kimik në Salisbury. Theksojmë se kanalet tona diplomatike mbeten të hapura në funksion të marrëdhënieve konstruktive dypalëshe, paqes dhe sigurisë”
Ministria e Jashtme ruse ka publikuar në faqen e saj 23 vendet që do t’i nënshtrohen reciprocitetit për dëbimin e diplomatëve, mes të cilëve edhe Shqipëria. Në deklaratë thuhet se "Moska shpall persona non grata të njejtin numër diplomatësh të cilët punojnë në misione diplomatike në Rusi, në përgjigje të dëbimeve të pajustifikuara të diplomatëve rusë, bazuar në akuzat pa prova të Britanisë së Madhe ndaj Rusisë lidhur me rastin Skripal”. Numri total i diplomatëve perëndimorë që do të dobëhen nga Rusia është 150, mes të cilëve 60 zyrtarë të ambasadës amerikane.
Add new comment