PD-në e dëmton vetëm mosveprimi
Ka dy taktika opozitarizmi brenda Partisë Demokratike dhe në media kundër Lulzim Bashës. Të dyja i mëshojnë më shumë fjalës dhe kultivimit të perceptimit sesa ndonjë aksioni politik të mirëfilltë. Ideja e parë është ajo se Lulzim Basha është një ushtar i Sali Berishës, një kukull e tij. Por me marrëveshjen e majit dhe me zhvillimet e mëvonëshme politike, kjo tezë po humbet terren në lëmin e arsyetimit objektiv. Ndaj është kaluar me vrull tek ideja e dytë që ka një përhapje të natyrshme: Lulzim Basha nuk ja thotë për atë punë. Është I dështuar, nuk di, e ca më keq, ai nuk ngjit.
Nuk është se janë pa bazë të dyja idetë, por në politikë kjo nuk mjafton. Z. Basha, sado që ka një arkivë të tërë gabimesh dhe dobësish, apo shitje – blerje të veprimeve politike, sërish në një gjë nuk ka bërë gabim: nuk e ka lëshuar vulën e kryetarit. Ai madje ka një cilësi që në kohë po dëshmohet avantazhuese në disa rrethana: ai di të heshtë. Ka shumë çështje për të cilat, z. Basha nuk ka një mendim publik, ai lejon madje gjithfarë hamendësimesh për të lënë që uji i rrjedhshëm i tyre të shterrojë pa ndonjë kosto dhe përfundim imediat.
Por loja e mosmarrjes seriozisht të një lideri, nuk është domosdoshmërisht politikë serioze. As edhe efektive. Për këtë arsye dhe duke qenë se sot që flasim, nuk ka realisht asnjë alternativë reale, që do dhe ka vullnetit të ndryshojë diçka në PD, Lulzim Basha dhe grupimi i tij mbeten aktorë kryesorë. Në këtë kuptim, ai ka avantazhe të mëdha por të cilat duhen kapitalizuar.
Për të thyer barrierën psikologjike që ka krijuar kjo situatë dhe aciditeti I kritikëve që kanë mbështetje me gjithfarë axhendash në media, është e udhës që z. Basha të ndërmarrë aksione serioze. Aventurizmi dhe pragmatizmi janë sot për sot armiq të një opozite që ka deficit të madh në besueshmërinë publike.
Në këtë kuptim, z. Basha duhet të konsiderojë jo pa seriozitet thirrje si ato të ish-presidentit Bujar Nishani për hapje ndaj kritikëve të vet. Do të duhen takime, afrime, ftesa, integrime. Kjo qoftë për të mirë të vetë PD-së dhe zgjerim të frocës së opozitës, aq edhe për të ekspozuar mirë para opinionit këta kritikë, ose disa prej tyre si njerëz qejfprishur dhe asgjë më shumë. Pasi duhet thënë: jo çdo kritikë të bën automatikisht në krahun e duhur apo të dobishëm. Ka te kritika edhe interes personal, madje shpesh. Ky është një moment të cilin z. Basha nuk është keq ta luajë.
Po kështu, PD-së po i bëhet disa herë thirrje nga LSI-ja për koalicion. Këto thirrje janë një element delikat. LSI-ja është një parti që ka humbur perspektivën dhe garancitë numerike të saj sot, nuk janë detyrimisht garanci politike dhe elektorale. Z. Basha e dëgjoi pakkush në fushatë për programin e vet që ishte realist dhe me disa elementë shumë pozitivë. Atë program e vrau pabesia e z. Basha me marrëveshjen me z. Rama, por duke qenë se mandati aktual i socialistëve është vënë në sprovë nga ekonomia, atëherë çdo aleancë e opozitës do të duhet të konsiderojë patjetër këtë aspekt.
Shqipërisë nuk i duhet më një marrëveshje si e Lalëzit, asaj nuk i duhet ripërsëritja e një pazari. Z. Basha dhe PD-ja janë në pikën që me humbjen e tyre në zgjedhjet e afërme përcaktojnë një kah të rrezikshëm për vendin, por sado ekstrem të duket kjo situatë ajo ofron edhe mundësinë e ringritjes. Dhe ringritja nuk mund të vijë pa besim në vete, as edhe pa aksion në terren. Kryetari i opozitës dhe enturazhi i tij duhet të jenë më shpesh me njerëzit, puna politike në terren duhet te jetë më e strukturuar, me njerëz që kanë ndikim dhe jo me kaçaflaqë të tipit Salianji – Duma.
Z. Basha duhet të dëshmojë se për disa gabime të PS-së do të marrë veprime reale korrigjuese, se do të ketë vërtet një riekuilibrim në shpërndarjen dhe menaxhimin e pasurisë kombëtare, se do të ketë garanci për pronën, garanci juridike dhe jo vetëm fjalë.
Sado e errët të duket sot situata, koha punon për opozitën. Por kjo nuk do të thotë detyrimisht për PD-në nëse ajo vazhdon të luajë me dy porta. Kjo parti duhet të shkëputet sa më shpejt edhe nga të qenit ende peng i një poli që quhet Sali Berisha të cilit nuk i detyrohet më asgjë. Dhe kjo duhet kuptuar mirë: PD-ja i detyrohet qytetarëve që kanë humbur besimin përpara se të rendë të shlyejë borxhet e imagjinuara ndaj liderit historik.
Nuk ka asnjë sukses që të përligjë objektivisht ringritjen e imazhit të qeverisë aktuale, e cila siç duket ka avantazhin se luan pa opozitë. Ajo nuk e ka fshehur se është gati të thërrasë sërish në timon dhe në tepsi, LSI-në, çka për opozitën do të ishte pastrim real.
PD-ja në ndryshim nga PS-ja nuk ka ardhur ndonjëherë në pushtet me pazare të fshehta. Le ta themi këtë. Kjo patjetër që është meritë edhe e Sali Berishës që në vitin 2005 erdhi me transformimin që kreun në PD dhe me riafrimin e figurave të njohura, kurse në 2009-ën hyri në zgjedhje me aleatët e vet dhe vetëm pas zgjedhjeve ftoi LSI-në në qeverisje. Por kjo është logjika e sistemit. Një herë të vetme që PD-ja provoi pazarin, ajo humbi 200 mijë njerëz. Dhe ky është mësimi historik që duhet mbajtur shënim dhe jo vetëm tamtami për Berishën që as këtij të fundit nuk është se i duhet më.
Add new comment