Presidenti rus hedh poshtë spekullimet për mbytjen nga "jashtë" të nëndetëses "Kursk"
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka deklaruar se nëndetësja bërthamore “Kursk” u mbyt për shkak të një shpërthimi të brendshëm në zonën e silureve. Duke folur në kuadër të filmit “Putin”, presidenti rus ka rrëzuar kështu spekullimet se “Kursk”, mbytur më 12 gusht të vitit 2000, u godit nga mjete të huaja nënujëse, si nëndetësja amerikane “Memphis”, version që ka qarkulluar për disa kohë në media të ndryshme. Putin tha se në ato vite, Rusia ishte në vështirësi ekonomike që kishin prekur të gjithë vendin.
“Unë sapo kisha marrë detyrën dhe nuk e dija madje që po zhvillohej një stërvitje e madhe”, tha ai.
Putin ka sqaruar se në bazë të hetimeve të kryera në Rusi, nëndetësja u mbyt për shkak të një shpërthimi në tubin e katërt të lëshimit të silurit. Shkak ishte rrjedhja e peroksidit të hidrogjenit që nuk u arrit të izolohej. Mjaftuan 140 sekonda që zjarri të përhapej edhe në pesë silure të tjera të armatosura çka provokoi dëme të rënda për nëndetësen.
Versioni i presidentit rus hedh kështu poshtë çdo spekullim, ndërkohë që ai ak shtuar se në Rusi tashmë është krijuar një ushtri e re. Putin ka nënvizuar se Rusia nuk kërcënon njeri, por do të shfrytëzojë avantazhet e veta. Sipas tij, rajoni i Arktikut është i një rëndësie të veçantë për Kremlinin.
Add new comment