Denoncimet pa vlerë të Patozit
Astrit Patozi reagoi sërish në fejsbuk kundër Lulzim Bashës. A mund të quhet ky zhvillim pozitiv për Partinë Demokratike? E para, kundërshtia e tij ndaj zotit Basha nuk është një lajm i ri. Qëkurse u hoq nga lista për deputet, Patozi shpalli veten opozitar të lidershipit zyrtar, duke aspiruar të marrë vetë drejtimin e partisë. Lëvizja që ai shpalli për ringritjen e Partisë Demokratike dështoi.
U zhvilluan disa takime në rrethe, të cilat nuk patën asnjë ndikimin në dinamikën politike të opozitës në vetvete. Ndonëse ish-nënkryetar i Partisë Demokratike dhe për një kohë të gjatë kryetar i grupit parlamentar të kësaj force politike, fjala dhe aksioni politik i Patozit nuk krijoi frymë apo në versionin më optimist, nuk u ngrit dot në këmbë si një projekt që mund t’i imponohej Lulzim Bashës apo akoma dhe më shumë Sali Berishës, me fuqi organizative apo grupe lobimi.
Ditët e fundit kemi një rishfaqje të Astrit Patozit me deklarata sërish në rrjetet sociale kundë Lulzim Bashës. Në postimin e tij të fundit, ajo që është e re dhe që vlen të analizohet është një paragraf ku Patozi lë të kuptohet se është në dijeni të aferave korruptive apo punëve të pista të zotit Basha kur ishte në drejtimin e Bashkisë. Ja se çfarë shhkruan Patozi:
“Pse të mos distancohemi, gjithashtu, nga korrupsioni me çdo tender, që kemi kaluar nëpër duar, nga thasët me euro për çdo leje ndërtimi dhe për çdo gjë, që kemi firmosur, nga pallatet tona dhe të fisit të gruas në vite, nga bizneset tona me dhe pa emër, nga kompanitë brenda dhe jashtë vendit (off shore ose jo), nga shitja dhe blerja e mandateve politike të Partisë Demokratike, si dhe nga çdo abuzim tjetër me pushtetin, që mund të mos më vijë ndërmend tani”.
Zoti Patozi e di se këto që thotë janë të pamjaftueshme që ai të jetë i besueshëm. Përtej pyetjes përse e denoncon tani zotin Basha dhe jo më herët, rastet konkrete për korrupsionin dhe klientelizmin e ish-kryetarit të Bashkisë do t’i shërbenin jashtëzakonisht edhe situatës politike meqë jemi në periudhën e peshqve të mëdhenj.
Sepse nuk bëhet fjalë vetëm për kryetarin e Partisë Demokratike, por për aspirantin për kryeministër të Shqipërisë. Dhe për të besuar se zoti Patozi përfaqëson një lëvizje apo alternativë ndryshimi në politikë, denoncimi nuk duhet të mbetej vetëm në emrin e Lulzim Bashës. Patozin nuk e kemi dëgjuar t’i bëjë opozitë as zotit Veliaj për mënyrën si po qeveris Tiranën.
Për më tepër që Patozi vjen nga një karrierë e nisur në media që kulmoi me drejtimin e gazetës Rilindja Demokratike. Por si në atë periudhë edhe pas hyrjes në politikë, ish-nënkryetarin e PD-së nuk e kemi dëgjuar të kundërshtojë qëndrime apo politika të ndjekura nga ish-shefi i tij, Sali Berisha. Në postimin e fundit ai fton Bashën të ballafaqohen në media, segmente të së cilës duket se sponsorizojnë këtë pseudolëvizje, ku Astrit Patozi duket së është fryt i sforcuar i saj.
Add new comment