Zyrtarisht kampion edhe për licensa betoni
2017-a është mbyllur si një nga periudhat ku ndërtimi ka patur boom-in më të madh të 5 viteve të fundit, pas rënies që pësoi në 2008-ën. Instituti i Statistikave raporton se autoritetet kanë miratuar 819 leje ndërtimi vetëm gjatë vitit që shkoi, një shtim me 88%, ose 384 leje më shumë se në 2016-ën.
Edhe vlera e projekteve të ndërtimit është dyfishuar, duke kapur një shifër prej 500 milion dollarësh.
Numri më i madh i projekteve të reja janë për kryeqytetin, ku sipas INSTAT në total në Tiranë janë miratuar 231 leje, nga 106 në 2016-ën.
Vetëm në muajt e fundit kryeqyteti ka dhënë leje për 115 mijë metra katror sipërfaqe ndërtimi, duke përbërë 60% të totalit të sipërfaqes që do të ndërtohet në të gjithë vendin.
Në strukturën e lejeve të dhëna në muajt e fundit, INSTAT raporton se gjysma e tyre janë ndërtime për qëllime jo tregtore dhe rregullime banesash, ndërsa gjysma shkojnë për godina rezidentësh, hotele dhe ndërtesa tregtare.
Ndonëse me këtë nivel lejesh për betonizim, kryetari i Bashkisë prezanton imazhin e një njeriu që po gdhihet duke mbjellë pemë dhe shtuar hapësirat e gjelbra.
Megjithatë kryetarin e "palodhur" të bashkisë e pamë së fundmi të mbrojë me fanatizëm një kompleks ndërtimesh në zonën ku aktualisht ndodhet Teatri Kombëtar. Ndonëse 3 vjet më parë në fushatë fliste për një vizion të Tiranës pa ndërtime në zonat me densitet të lartë, Veliaj del se se është kampion edhe për licensa betoni.
Add new comment