Për cilën liri në media është fjala?
Sali Berisha ka qenë dje viktimë e gabimit të tij kur nisi një ndërhyrje telefonike në një emision televiziv, që e përfundoi në një miniseancë plenare me sharje dhe akuza recipoke me gazetarin Artan Hoxha.
Duhet të themi menjëherë se debati apo sherri në studio nuk mund të konsiderohet seriozisht për shkak të gjaknxehtësisë së madhe të të dy personave, por edhe akuzave spontane që mbeten retorike sa kohë nuk trajtohen në nivel penal.
Nëse organet hetimore do të marrin një kallëzim nga një prej dy personave atëherë do të duhet pritur përfundimi për të parë se çfarë mund të vendoset. Por nëse një gjë e tillë nuk ndodh, siç edhe ka gjasa, është e udhës që ajo përplasje të vlerësohet për atë që është: një sherr banal në të cili ish-kryeministri nuk mungoi të ishte protagonist dhe viktimë.
Përtej këtyre kufijve çdo përpjekje për të instrumentalizuar sherrin alla shqiptar – nuk po themi që Berisha dhe Hoxha mund të dalin kushërinj – në kontekstin e vendosjes së drejtësisë, është I paqenë dhe demagogjik.
Të flasësh sot për rrezikun Berisha ndaj medias është e tepërt. Sot medias i kanosen rreziqe të tjera, si mungesa e profesionalizmit, mungesa e pavarësisë, paaftësia dhe mungesa e vullnetit për të investiguar realisht, tëhuajëzimi nga realiteti.
Medias po ashtu i kanoset rreziku fatal i korruptimit nga pushteti, përdorimi prej tij dhe kërcënimet e personalizuara dhe denigrimet që vijnë nga kryeministri aktual. Ato janë kërcënime të një lloji tjetër nga ajo që armiqtë e Sali Berishës duan të na mbushin mendjen se ky i fundit prodhon. Nuk janë imediate, por ama janë sëmundje aftagjata dhe sistemike.
Të emfatizosh gogolin Berisha për shkak të një incidenti që nuk nderoi asnjë në atë studio, është edhe joproporcionale. Mjafton të pranojmë logjikënse Berisha është trembur, apo se ka frikë nga drejtësia që bën kështu, për të pranuar se kemi të bëjmë me një person, një njeri politik të cilit po i “mbaron ujët e gamiljes”. I cili, po sipas kësaj logjike përpiqet për mbijetesën e vet dhe familjes dhe asgjë më shumë.
Kjo nuk e çliron z. Berisha nga përgjegjësia. Por ndërkohë që flitet për pastrim nga të gjitha anët, mos është vallë koha që edhe për median të nisë e të shikohet mundësia e pastrimit?
Le të pyesim: nga buron ky solidaritet i pakushtëzuar mes disa gazetarëve dhe mediave? A është i përligjur ky qarkullim qokash që synojnë si e si të mbyllin qarkun mediatik nga çdo gjë ndryshe?
A mund të pranohet që emri Berisha të shërbejë si alibi 27 vjeçare për çdo karrierë në këtë vend?
E përsërisim, z. Berisha ka kusure të mëdha. Ai është një njeri që qoftë edhe për të vënë në qetësi të gjitha dyshimet, duhet të përballet me drejtësinë. Por në asnjë rast kjo kërkesë nuk duhet të na ngatërrojë. Është e vështirë të imagjinohet një rast i ngjashëm në ndonjë vend tjetër. Gazetari mund të këmbëngulë në pyetje të vështira, apo edhe të largohet, por jo të bëjë hakërrime personale ndaj një njeriu që e konsideron kriminel. Ai duhet t’i drejtohet gjykatës.
Koha kur Sali Berisha përbënte kërcënim për lirinë e medias – e cila nuk ekziston as sot – ka ikur. Dhe liria nuk ka ardhur, sepse atë nuk e duan as gazetarët vetë që luajnë me defektet dhe frikën e pushtetit dhe politikës. Liria do të kërkonte denoncimin dhe jo solidarizimin prej sekti, as edhe protagonizmin qesharak dhe të shpëlarë që pamë sot me opinionin e moderatores Vasili që është në aksionin e klikimeve dhe kuotimit.
Liria do të kërkonte edhe zbërthimin e duhur të mënyrës si organizohen debatet, si përzgjidhen titujt, si censurohen materialet etj..
E pse nuk e duam e nuk na e mban për këtë, e shtyjmë mirë me lirinë e rreme të cilën na e do puna që ta shohim dhe shesim si të kërcënuar nga Berisha.
Add new comment