Nga kronika e shtypit në Histori
Kushdo qoftë Erostrati*, krimineli që tentoi që fëmijët e azilit të gëlltisnin bashkë me karamelet edhe copëza metali, besoj se e njoh të keqen që e shqetëson: quhet Vetmi. Është po ajo e keqe(ky është opinion im) që pështjellonte Unabomber, terroristin që vepronte jo larg që këtu, nga kjo toka ime venete dhe që kërkonte të bënte goditjen e fatit, aktin e bujshëm që do t’i jepte damkë kombëtare e nëse ishte e mundur, ndërkombëtare. Erostrati kultivon të njëjtin mirazh. Dhe e jep të kuptojë këtë. Edhe pretendimi i tij për ngritjen e një statuje të Erostratit thotë shumë: në kohë krize ekonomike kush mendon vallë në Itali për Erostratin? Ai. Dhe askush tjetër.
Ka kryer akte të vockla terroriste, ky kriminel(një nga këto nuk është edhe aq i vogël) dhe kërkon të na e bëjë të qartë duke na cituar një bari nga kohët e vjetra që I vuri zjarrin tempullit të Artemisës në Hefes me qëllimin e vetëm për t’u bërë i famshëm.
U kap, gjykua dhe u dënua me vdekje. Për nga bukuria dhe përmasat, tempulli i Artemisës, në stilin jonik, konsiderohej një nga mrekullitë e botës. Ai mendonte se ja vlente shkatërrimi i një mrekullie të botës për të fituar lavdinë. Motoja e tij mund të jetë: “Më përçmojnë, ndonëse më kujtojnë”. Ngjarja ndodh në vitin 356 p.e.s, që është viti kur lindi Aleksandri i Madh.
Aleksandri po që ia doli të bëhej i famshëm, por me mjete të tjera. Çfarë do të thotë sot të bëhesh i famshëm? Do të thotë që “gazetat të flasin për mua”. Pra, që jeta ime të shkruhet. Tortura e madhe e banorëve të vendeve, të qytezave dhe fshatrave(si ky Erostrati që duhet të jetojë në Cesiomaggiore, në Bellunese), është ai i të jetuarit i një jete orale. I një jete nga e cila nuk mbetet asgjë. Është një jetë që nuk është. Besoj se për këtë arsye, Erostrati u dërgon letra gazetave. Për t’u shfaqur në publik. Për atë do të thotë “të jesh”. Këto janë vende që për një kohë të gjatë kanë qenë pa gazeta lokale, që do të thotë se nëse të ndodhte një aksident rrugor nuk gjeje as ngushëllimin për ta parë të tregohej në mënyrë të shkruar.
Tani gazeta lokale ekziston. Të publikosh një letër në gazetë është sikur të tregosh fytyrën në public, por në rastin e Erostratit, ky gëzim është shtuar nga fakti se fytyra maskohet: letra në fakt është e shkruar në alfabet runik, e gjitha me gërma të mëdha, me një stilolaps me ngjyrë të kuqe. E shpërndan një ditë, imagjinoj gëzimin e fshehtë kur e sheh ditën tjetër të publikuar si kopje në kronikën lokale, me një lehtësim të madh. Për banorët e fshatrave dhe qytezave kronika lokale është më e rëndësishme sesa kronika kombëtare për banorët e metrorpoleve.
Është Historia, Dhe pra, pranvera sekrete që shtyn Erostratin të bëjë atë që bën, që nxiste Unabomber-in friulian për të bërë atë që bënte, është ambicia për të kaluar nga kronika në Histori. Nuk do të doja të gabohesha, por nuk besoj se ambicia e atentarorit në Macerata të ishte e ndryshme. As ajo e studentëve amerikanë që hyjnë nëpër klasa me një automatik dhe bëjnë masakër mbi shokët e tyre. As edhe ajo e norvegjezit në Utoya. Vetëm se Utoya ishte një gjest force njësoj si masakrat në kolegjet amerikane.
Skenari në të cilin lëviz Erostrati është provincial njësoj si krimet e tij. Vandalizma, zjarrvënie, përdor referenca ezoterike, gjurmë svastikash. Prej shtatë muajsh tashmë. Krimi më i rëndë, ky po me të vërtetë diabolik, ishte ai i lënies para një azili, i një çante me karamele të buta brenda të cilave kishte copëza metali. Çfarë shpresonte? Që fëmijët të lëshoheshin drejt ëmbëlsirave, t’i gëlltisnin dhe të çanin fytin? A ka gëzim në këto veprime? Policia po heton një familje të vogël, sidomos babain dhe djalin. Nuk e dimë nëse janë ata, por kur djali mburret me kulturën e tij sataniste, them se ja pra, ka diçka satanike në përzierjen e ageve në gojën e fëmijëve. Do të kujtohet Erostrati. Kushdo qoftë, kujtimi do të jetë edhe dënimi i tij.
*Rasti Erostrati është një rast i një krimineli anonim që shantazhon publikisht nën pseudonimin në fjalë në Itali në Bellunese
Burimi: Avvenire
Përkthimi: ResPublica
Add new comment