Duhet festuar apo përkujtuar akti formal i pavarësisë së Kosovës?
Sot Kosova përkujton 10 vjetorin e Pavarësisë së vendit. Përkujtim që po shndërrohet nga elitat politike në festim. Dita e Pavarësisë, apo akti i shpalljes formale të saj nga Kuvendi i Kosovës, duhet përkujtuar. Edhe pse Pavarësia e këtij shteti, ka nevojë për një korrektim historik sa herë përkujtohet, pasi akti formal i 17 shkurtit është i pamundur pa pavarësinë reale të 1999-ës.
Transformimi i një date me përgjegjësi dhe vlerë historike, në festë shtetërore është zakon ndër shqiptarë. Një zakon që nis e shndërrohet në pedan për legjitimin dhe lavdi të elitave. Rasti i Shqipërisë e dëshmon më së miri këtë lidhje perverse mes firmës në një akt dhe kredencialit politik inercial të mbiemrave që aderojnë qoftë edhe në mënyrë rrethanore në të.
Gjysma e parë e shekullit të 20-të, ishte një kohë konfliktesh më të mëdha të historisë së njerëzimit dhe nga kjo pikëpamje festa edhe përligjet. Por më pas, kur vendet bënë të vetin si vizion mirëqenien e shoqërisë dhe demokracinë, festa e pavarësisë duhet lidhur edhe me suksesin e një projekti politik, që përndryshe nuk na thotë asgjë. Në një botë në lëvizje dhe emigrantësh, nocioni i shtetit, kur ai përkon me një realitet mbushur me dështime, lidhet vetëm me një nostalgji të largët.
Kosova sot që flasim pak gjëra ka se çfarë të festojë. Në 10 vjet pavarësi jeta nuk ngjan më e mirë, edhe pse nuk ka asnjë dyshim se individi është më i lirë nga disa pranga ligjore dhe politike që duhet t’I përkasin Mesjetës. Kryeministri Haradinaj ka thënë sot se “ne po ndërtojmë një shtet model”. Dhe se ajo që ka mbetur pa u bërë do të bëhet në 10 vitet e ardhshme. Por kjo është larg të qenit të vërtetë. Në këto 10 vjet Kosova ka prodhuar po aq liri, sa edhe krim, emigracion, radikalizëm dhe sidomos varfëri. Varfëri e cila është armiku kryesor sot I botës shqiptare, e cila buron kryesisht nga korrupsioni dhe vjedhja e pasurisë publike. Kosova po ndjek për fat të keq rrugëtimin e elitës politike të Shqipërisë duke zhveshur shoqërinë nga çdo lidhje e qenësishme me vendin dhe institucionet.
Është kjo një arsye e mjaftueshme, simptomë kryesore e së cilës është emigrimi i pandërprerë, që Kosova në vend se të festojë duhet të përkujtojë. Dhe në vend se thjesht të përkujtojë një akt në Parlament, të pranojë reflekimin historik mbi një 17 shkurt që nuk ka asgjë thelbësor pa paradhënien e konfliktit të vitit 1999. Pavarësia e shkurtit është një dhuratë e Perëndimit dhe për të shmangur keqkuptimet e mëdha që burojnë nga heshtja e qëllimshme mbi të vërtetë historike, kjo duhet thënë përherë.
Add new comment