Vuçiç flet në emër të Ballkanit Perëndimor: Duhet të bashkohemi ekonomikisht
Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç ka publikuar së fundmi një opinion në “politico.eu” të cilin e titullon: “Ballkani Perëndimor duhet të heqë barrierat tregëtare”.
Shkrimi i Vuçiç dominohet nga termi Ballkani Perëndimor dhe nga një frymë avokatie për rajonin tonë. Serbia përmendet vetëm një herë, duke na ofruar kështu një qasje më të gjerë të Vuçiç të paktën në mënyrën si do të prezantohet.
Ai e nis me të shkuarën e afërt të luftërave, vrasjeve dhe përçarjes rajonale për të ardhur te realiteti i tanishëm i afrimit dhe komunikimit.
“Ne vendosëm të mësojmë nga gabimet e së shkuarës. Ne vendosëm që të parët janë vendet dhe njerëzit tanë. Ne duhet ta festojmë këtë arritje. Por duhet gjithashtu të njohim se ka ende shumë punë për të bërë. Tani që Ballkani Perëndimor është i bashkuar në ambicien tonë për t’u bërë pjesë e BE-së që së fundmi ka publikuar një strategji për rajonin – ne kemi një mundësi unike”, shkruan ndër të tjera Vuçiç.
Sipas presidentit serb, Europa po kupton rëndësinë dhe vlerën e biznesit me vendet e rajonit tonë dhe për këtë ka disa të dhëna: 44 miliardë dollarë shkëmbime tregëtare për vitin 2016 në një treg 20 milionë banorësh.
Vuçiç vlerëson si të ulëta investimet private, si problem papunësinë e rinisë çka sugjeron si rrugëdalje optimale: krijimin e një tregu të përbashkët mes vendeve tona.
Sipas tij, tregu i përbashkët rajonal do të sillte 8-9 miliardë dollarë investime vjetore krahasuar me 4.6 miliardë që është aktualisht.
“Kjo do të shërbente si pikë konvergjence mes vendeve të Ballkanit Perëndimor”, shkruan Vuçiç sipas të cilit tregu rajonal i përbashkët do të frenonte edhe emigrimin masiv të njerëzve.
“Historia tregon se bashkimi ekonomik është kyç për stabilitetin politik”, vijon presidenti serb. Sipas tij CEFTA është gur themeli i një procesi që duhet përmbyllur me krijimin e tregut të përbashkët.
Çështja e tregut të përbashkët është mbështetur nga Shqipëria, apo më saktë qeveria aktuale, por nuk shikohet mirë në Mal të Zi dhe në Kosovë, ndërkohë që raportet ekonomike sa vijnë dhe ndërthuren. Duhet theksuar edhe njëherë se shkrimi nuk merret formalisht me çështjet serbe, por i mëshon idesë së Ballkanit. Një mesazh me disa kuptime mes të cilëve edhe ai se Serbia është aktualisht vendi kyç që udhëheq procesin e tregut rajonal.
Add new comment