Mekanizmi i vendimmarrjes në politikën e jashtme të Shqipërisë

Postuar në 12 Shkurt, 2018 12:14
Romeo Gurakuqi

Më datë 21 dhjetor 2017, qeveria shqiptare, pa një mandat të arsyetuar dhe të legjitimuar paraprakisht në organin sovran, e përfshiu Shqipërinë në bashkësinë e vendeve, që sulmuan politikisht SHBA-në në të drejtën e tyre për të ushtruar sovranitetin e vendimmarrjes në politikën e jashtme, që kishte të bënte me lëvizjen e Ambasadës së SHBA-së nga Tel Aviv drejt kryeqytetit të shpallur të Shtetit izraelit, Jerusalemit.

Votimi i qeverisë shqiptare u bë, pavarësisht paralajmërimeve që ambasadorja e SHBA-ve në OKB, Nikki Haley, kishte bërë paraprakisht mbi vendet, që do votonin kundër vendimit amerikan. Vendimi i njëanshëm i qeverisë së Shqipërisë u regjistrua nga State Department, duke e vendosur vendin tonë në radhën e vendeve që votuan kundër politikës amerikane.

Vendi ynë kishte mundësi t’u bashkohej disa prej vendeve Ballkanike me histori të ngjashme interesash strategjike, sikurse Kroacia, Rumania etj., që u përfshinë në 36 vendet, që abstenuan ose në 21 vendet që nuk votuan, por ky gjykim i moderuar nuk i përkiste vendimmarrësve të mbyllur të politikës së jashtme shqiptare. Dua ta lë në fund arsyetimin mbi nevojën e një qëndrimi të moderuar dhe të kujdesshëm, por gjithsesi, që në krye me duhet të nënvizoj që qëndrimi i sugjeruar abstenues do të ishte një pozicion i paanshëm respekti reciprok të drejtash mbi konfliktin e mirënjohur izraelito-palestinez mbi vuajtjet e panumërta të arabëve dhe izraelitëve dhe një indikacion i mjaftueshëm që Shqipëria është e palëkundur në krahun e shtetit, që në ditët më të vështira të historisë së tij bashkëkohore, mbrojti qeniet shtetërore të dy shteteve shqiptare.

Gjithsesi, rasti solli që nga ky qëndrim të kuptojmë mënyrën e vendimmarrjeve të diplomacisë, që ndjek qeveria e socialistëve: Votimi në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së më datë 21 dhjetor 2018, bisedimet e fshehta dhe aspak transparente në lidhje me kufirin detar në Kanalin e Korfuzit, fatin e të drejtave të shtetësisë dhe pronësisë së popullsisë shqiptare, të nxjerrë para 70 vitesh forcërisht nga Thesprotia, deformimi i delegacionit Parlamentar në institucionet përfaqësuese të BE-së kanë nxjerrë në evidencë disa aspekte të vendimmarrjes mbi politikën e jashtme në Shqipëri në këto 5 vitet e fundit: Së pari, problemi kryesor mbetet kualiteti, përvoja dhe aftësia e atyre, që marrin vendimet e politikës së jashtme të Shqipërisë së papërfillshme.

Çdo departament i punëve të jashtme, i një vendi serioz, është i përbërë nga ekipe analistësh të palëvizshëm nga pozicionet për dekada me radhë, që e fillojnë karrierën dhe e mbyllin atë në nuklin e ekspertizës më të lartë të dikasterit të çështjeve europiane dhe të jashtme. Ata sigurojnë qëndrueshmërinë, vijimësinë dhe kompetencën shkencore dhe politike të vendimmarrjes së qeverive që ndryshohen.

Pyetja e parë që lind vetvetiu është kjo: a ekziston një strukturë e tij e analizës diplomatike?

Së dyti, zhvillimet e fundit kanë nxjerrë në pah se, në politikën e jashtme mungon procedurialisht procesi i ligjësuar, në të cilin formësohet vendimi për shkak të një seti pilarësh strategjikë në sjelljen e jashtme të Shqipërisë. Shqipërisë i mungon një legjislacion mbi punët e jashtme të vendit, në të cilin janë të përcaktuara marrja e vendimeve të rëndësishme të politikës së jashtme dhe këtu kam parasysh qëndrimin e shtetit tonë ndaj procesit europianizues dhe qëndrimin konstant ndaj krijuesit dhe mbrojtësit të Shqipërisë dhe Kosovës si shtet, që është SHBA-ja.

Së treti, ata që kanë vendosur mbi politikën e jashtme, respektivisht Kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të këtij vendi me shtet të dobët, autoritet të rënë përtokë, kanë harruar se ata “nuk janë të lirë” të vendosin nga restorantet e qejfeve për çështje madhore, me sensibilitet të lartë dhe interes strategjik. Ata janë të detyruar të kenë parasysh se mbi vendimmarrjen e tyre ka një numër kufizimesh, që imponohen nga nevoja e mosdëmtimit të shtetit, autoritetit të tij ndërkombëtar dhe për këtë arsye, ata kanë qenë të detyruar ta konsultojnë rastin në fjalë dhe të tjerat, që po vijnë furishëm në derën e ndërtesës së Bërrylit të Tiranës, me aktorët themelorë jo vetëm të ekspertizës së punëve të jashtme, por edhe me aktorët themelore të spektrit politik dhe shtetëror të RSH-së, përfshirë shefin e opozitës dhe ministrat e Jashtëm të këtij vendi në kohë të ndryshme.

Së katërti, votimi i Shqipërisë në AP të OKB ka nxjerrë në pah se vendimet strategjike nuk janë ende të vendosura në sisteme të qëndrueshme në dikasterin e punëve të jashtme të këtij vendi dhe ato herë pas here, dërrmojnë efektet afatgjata të politikës së jashtme të shtetit. Qëndrimi i shtetit shqiptar në OKB nuk është një korrekturë momentale dhe as pragmatizëm transitiv, me të cilin mund të manovrohej. Ambasadorja e SHBA-së e kishte bërë qartë paraprakisht paralajmërimin ndaj vendeve, që do votonin kundër politikës amerikane dhe vendimmarrësit e politikës së jashtme shqiptare e dinin se pas këtij votimi Shqipëria e varfër dhe e mjerë do të futej në rrethin e vendeve që do harroheshin, jo vetëm për ndihma, por para së gjithash në kornizimin e demokracisë, ligjit dhe lirisë nën garancinë amerikane.

Qëndrimi i qeverisë shqiptare ka dëmtuar kredibilitetin, besueshmërinë e politikës së jashtme të vendit ndaj aleatit strategjik. Me ShBA-në dhe politikën e jashtme të administratës së Presidentit Trump, janë të papranueshme qëndrimet ‘makiaveliste”, jashtë parimeve dhe vlerave të një vendi serioz me politika të jashtme të qëndrueshme, të ngjyera me prapaskenat e diktatorëve, që burgosin gazetarët, profesorët universitarë, elitën e vendit të vet.

Dhe këtu lind pyetja: Kush e drejton politikën e jashtme të Shqipërisë? Si shpjegohet, që pikërisht në kohën kur ShBA-të janë të angazhuara fuqimisht në mbrojtje të publikut dhe në përparimin e Reformës në Drejtësi, në garantimin e sigurisë shtetërore të vendit përballë krimit të organizuar, korrupsionistëve që e kanë kapur për fyti shtetin dhe lirinë zgjedhore, diplomacia e vendit tonë, në mënyrë të fshehtë si në kohën e Ramiz Alisë dhe Reiz Maliles, merr vendime që shkojnë ndesh me pritshmërinë masive të publikut, ndjeshmëritë e qindra dhe mijëra shqiptarëve, që jetojnë në ShBA si garantë të dy vendeve të pandara strategjikisht?

Përgjigja është e thjeshtë: E drejton vendin e njëjta klikë, që ndali dhe prapësoi procesin integrues në Europë; E njëjta klikë, që shkatërroi standardet dhe mekanizmat demokratikë të vendimmarrjes politike, të respektimit të strukturave dhe tagrave të Parlamentit; E njëjta klikë, etërit e të cilëve në vitin 1990 firmosën pa ndjeshmërinë më të vogël, vrasjet makabre të djemve, duke ua këputur jetën në lulen e rinisë, vetëm se ata guxuan të ndërmerrnin akte heroike duke tentuar të kapërcenin kufijtë e frikshëm, me ëndrrën për ta ndërtuar jetën në një vend të lirë dhe demokratik siç ishte Amerika?

E njëjta klikë, që ka zgjeruar veprimin e qeverisë në të tilla përmasa sa ajo sot ndërhyn me urdhër vertikal në çdo pore të shoqërisë dhe në të gjitha tagrat e organeve të specializuara shtetërore. Jemi në konditat e fshirjes graduale të veprimit indipendent administrativ dhe shuarjes së dallueshmërisë ndërmjet Institucionit të Parlamentit dhe Institucionit të Ekzekutivit, në rrethanat e vendimmarrjes së kulisave dhe kulimave, që për karrigen dhe miliardat, prekin ardhmërinë dhe orientimin e një populli, që sapo kishte filluar të kuptonte vendin e tij në qytetërimin perëndimor.

Është e njëjta qeveri, që veprimin e saj në planin e politikës së brendshme e ka të bazuar mbi përdorimin e forcës së kapjes së të gjitha pushteteve, në funksion të interesave jopublike, bazuar mbi patronazhin, klientelizmin dhe koordinimin e veprimtarisë me një kastë të ngushtë pasanikësh të rinj, të paskrupuj, interesat e të cilëve, aty ku ndodhen, në kurorën juglindore të Tiranës, shkojnë përkundër interesit publik për një Shqipëri të ndershme, të drejtë dhe të paqtë. Është e njëjta klikë që priret të plotësojë, jo rastësisht, vendet e KLGJ dhe KLP, me gjykatës që kanë dënuar rininë shqiptare në vitin 1989, 1990, 1991.

Kjo është drejtësia e re që do të krijojë dhe kontrollojë PSSH-ja. Dhe një qeveri që ka në qasje të tillë në planin e politikës së brendshme, kërkon me patjetër të çlirohet nga çdo kornizim dhe mbikëqyrje e jashtme strategjike, qoftë nga ShBA, qoftë nga BE. Shqipëria, sot ndodhet në ditën më të zezë në planin e raporteve të politikës së jashtme: e refuzuar nga Europa për të pafundmen herë, gjuan me shqelmat dhe metodat e kamufluara te aventuriereve edhe ShBA-në. Zhvendosja e politikës së jashtme të shtetit shqiptar, nga tagrat orientuese të politikës amerikane të presidentit amerikan mbi Shqipërinë, është thjesht një frikë e klikës neopuniste, që drejton vendin nga të papriturat që një president i jashtëzakonshëm mund t’u imponojnë kastave të jodemokratizuara të vendeve të vogla aleate si Shqipëria.

Pse jo: Kryeministri i vendit ka frikë nga Reforma në Drejtësi dhe precipitimi i pandalshëm i saj, përshkallëzimi dhe zgjerimi i rrjetës antikorrupsion, që SPAK-u do ketë mbi klikën. Dhe kjo do ndodhë një ditë, pavarësisht mekanizmave të përkohshëm që qeveria në mënyrë klandestine kërkon t’i vendosë nën rrota procedurës së pandalur të imponimit pa kthim mbrapa të Shtetit të së Drejtës në Shqipëri. Shteti shqiptar duhej të votonte qëndrimin e kompromisit për të shmangur pozitën pa rrugëdalje ku ndodhet sot, kur edhe Europa e refuzoi pa datë.

Ky qëndrim kompromisi do ishte në pajtim me qëllimet afatgjata të politikës sonë të jashtme, do të respektonte të drejtat e popullit dhe shtetit palestinez dhe njëkohësisht do të ruante marrëdhëniet e stabilizuara me shtetin e izraelit. I njëjti qëndrim diletant bëhet edhe ndaj të vërtetës dhe të drejtave të trashëgimtarëve të shtetasve grek me nacionalitet shqiptar: 24000 shqiptarë janë shpërngulur forcërisht nga shtëpitë dhe pronat e tyre ne Thesproti në periudhën (qershor 1944- mars 1945). Asnjëherë që nga kjo kohë, këta shtetas të Greqisë me nacionalitet shqiptar, pasardhësit e tyre, nuk janë lejuar të kthehen më në vatrat e tyre legjitime, të regjistruara ashtu nga koha që nuk mbahen mend.

Pronat e tyre u grabitën, shtetësia iu mohua, ndërsa autortët e vrasjes së fëmijëve, grave dhe parësisë së Çamërisë mbetën të pandëshkuar në shtetin helen dhe u trajtuan si heronj të spastrimit etnik të Epirit të Jugut. Shteti shqiptar i Enver Hoxhës, Spiro Kolekës, Koci Xoxes dhe komandantëve të tjerë të Zonës së Parë Operative, heshti për 50 vite për fatin e bashkëkombësve të vet të përhapur si popull refugjat nëpër zonat më të varfra të Shqipërisë së mjeruar nën dhunën e komandantëve.

Pas 27 vitesh të rënies së perdes ndarëse mes Thesprotisë dhe Kaonisë, Kryeministri i socialistëve, që fitoi zgjedhjet me forcë dhe para, deklaron sot pa u druajtur se asnjë problem nuk ekziston ndërmjet dy vendeve në këto anë. Askush nga udhëheqja qendrore me kompozim krahinor e shtetit shqiptar nuk bëzan dhe nuk distancohet nga politika e tij personale e shitjes të së vërtetës dhe e të drejtës.

I njëjti rreth familjar dhe krahinor, që uzurpoi për 50 vite pushtetin në këtë vend dhe harroi shqiptarët e trojeve etnike, sot, me pasardhësit e tyre miliarderë, shet hapësira detare, fshin me një të rënë të lapsit mijëra tituj pronësie dhe të drejta shtetësie, vetëm që të largojë çdo rezistencë ndërkombëtare ndaj njohjes së pushtetit të tyre të blerë me para droge, trafiqesh dhe koncesionesh. Dhe megjithatë, shqiptarët sot po i nënshtrohen sërish fatit të tyre të keq, duke pranuar mjerimin ekonomik dhe trajtimin diskriminues , që po i ofron kjo Qeveri në çdo moment. Koha e ndaljes me mjete demokratike të kësaj vendimmarrjeje të njëanshme dhe arbitrare të qeveritarëve socialistë, tashmë ka ardhur.

"Panorama"

http://www.panorama.com.al/mekanizmi-i-vendimmarrjes-ne-politiken-e-jash...

Comments

Submitted by Taras (not verified) on

Ky popull per sa Kohe te kete profesore e lektore servil ne politike e kulture kurre nuk do te ngrihet ne nivelet e kombeve te tjere.
Se c’fare i shtyn shqiptarucet qe te lepihen mbas Israeliteve nje Zot e di. Kur dihet se Israeli kurre nuk ka investuar ne Shqiperi dhe ne te gjithe BE akuzohet per politiken e tij fashiste e rraciste ne Palestine.
Ky Romeo na ka dashur te beheshim pjese e ishujve te vegjel qe jane koloni e jo pjese e BE ne vote, biles na merr per shembull edhe Kroacine e Rumanine qe jane shtete trok pa penevreke.
Peshtirosja dhe b.thlepirja eshte primare per eunuket e klases elitare te Shqiperise

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.