"Kushtet" e ambasadores Vlahutin: Pronat, Tahiri dhe kanabisi

Postuar në 07 Shkurt, 2018 20:27

Ka një dileme të madhe nëse BE do i hapë negociatat me Shqipërinë në Qershor. Përtej sugjerimeve për zgjidhjen e çështjeve me fqinjët, Brukseli do të peshojë edhe zhvillimet e brendshme që lidhen me procesin ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Sajmir Tahiri, rezultatet në luftën kundër kanabisit dhe zgjidhjen e problemeve të pronësisë. Të paktën këto janë detyrat e shtëpisë sipas atyre që thotë ambasadorja Romana Vllahutin në një intervistë për DW.

“Diçka që personalisht mendoj se duhet të jetë në krye të agjendës sonë është çështja e pronës. Nuk është vetëm një problem ekonomik, por edhe një burim padrejtësie të tmerrshme. E kuptoj kompleksitetin e çështjes, por është e rëndësishme që kjo çështje të adresohet”-thekson ambasadorja e BE.

Me çështjen e pronave qeveria ka vënë përpara një proces, ku nga njëra anë shteti dhe nga ana tjetër sekserët duken përfituesit më të mëdhenj. Nisma për ndryshimin e ligjit për kthimin dhe kompesimin e pronave dhe dy VKM që pasuan në dhjetor të këtij viti vetëm sa çertifikuan grabitjen dhe padrejtësinë e tmerrshme për të cilën flet zonja Vllahutin. A do ta çertifikojë BE këtë katrahurë dhe grabitje shtetërore, këtë ndoshta e di ambasadorja Vllahutin.

Qeveria thotë se ka pastruar vendin nga kanabisi, por gjithçka do të mësohet pas vlerësimit që do bëjë Guardia Di Finanza në fund të misionit monitorues, ndonëse në raportin e fundit u hodhën dyshime të mëdha për shifrat e prezantuara. Përpos të tjerash koka e Saimir Tahirit mund të këmbëhet si sukses në luftën kundër drogës dhe një lloj katharsisi i qeverisë nga drutë e shtrembër që i prezantonte si kampionë. Barra e provës i është lënë Prokurorisë, pasi Partia Socialiste bllokoi gjykatën të shprehej për kërkesën për arrestim.

 “në vitin 2017 ka një rënie dramatike të numrit të plantacioneve të kanabisit dhe ne po  presim të shohim, këtë pranverë, paketën tjetër të të dhënave nga fluturimet  mbikqyrëse, të kryera nga Guardia di Finanza. Po presim gjithashtu të shohim nëse Prokuroria do të bëjë progres të pandërprerë për rastin e ish-Ministrit të Brendshëm”-shtoi Vllahutin.

Pyetjes nëse është optimiste se Shqipëria do të hapë negociatat e anëtarësimit gjatë Presidencës Bullgare të Këshillit të BE, Vllahutin i dha këtë përgjigje.

“Nuk jam as optimiste, as pesimiste, jam duke punuar shumë, me plot kolegë të tjerë që punojnë ditë dhe natë, me mijëra homologë shqiptarë për të mbajtur vëmendjen tek  përparimi, sepse ka vetëm një përparim të qartë, të pamohueshëm dhe të prekshëm që do të sjellë Shqipërinë në BE”

Comments

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.