Shtet pa shtet
Titulli mund të duket sikur nuk shkon, për të vërtetën e thjeshtë se dikush, me të drejtë, mund të më kthehet: ”Ore mik i dashur, ka apo nuk ka shtet?! Dy pohime të tilla nuk shkojnë se përjashtojnë njera-tjetrën”. Drejt! Le ta shtjelloj më poshtë.
Nuk e kemi fjalën për shtetin shqiptar, si njësi territoriale-administrative por për atë sistem institucionesh që i shërben qeverisjes së këtij shteti. Prapë, dikush mund të ngelet i pakënaqur nga ky sqarim, madje edhe të revoltohet e të shtojë i ngrefosur, si të ketë zbuluar diçka të rëndësishme me të cilën do të më mbyllë gojën: “Ç’ia fut kot edhe ti?! Aty janë tërë ato ministri e zyra të tjera, nga dyert e të cilave hyjnë e dalin çdo ditë qindra apo dhe mijëra veta. Me sa kam dëgjuar apo lexuar, vetëm në Kryeministri hanë bukë më shumë se një mijë veta! Dhe ti më thua mua se nuk ka shtet?!”
Por unë, pa e prishur terezinë, sado e çuditëshme të duket, i jap të drejtë e, në të njëjtën kohë, vazhdoj me timen se Shqipëria jonë e dashur, të paktën tani për tani, është një shtet pa shtet. Mjafton t’i kujtoj lexuesit të mundshëm, se nuk ka rëndësi se sa pemë ke por sa fruta japin apo se mban një qen që nuk leh as kur të vjedhin shtëpinë. Për të mos u zgjatur, le t’i marrim me radhë disa nga institucioet më kryesore.
Parlamenti.
Dihet se ne jemi republikë parlamentare dhe si të tillë ky institucion merr një rëndësi të jashtzakonshme. Shumëkush, nga mendjet e shquara që janë marrë me shtetin, e krahasojnë atë me një tempull të shenjtë ku përfaqësuesit e popullit, të zgjedhur “me qiri” si ndër më të mençurit e më të përgatiturit, shqyrtojnë problemet e rëndësishme, diskutojnë për to dhe marrin vendime në të mirë të popullit e të vendit. Parlamentarët, normalisht, zgjidhen dhe nuk emërohen. Por ne, si dhe për çdo institucion tjetër, jemi ndryshe. Parlamenti ynë i sotëm nuk ka asgjë të përbashkët me gjitha sa thamë më lart, aq i kundërt është ai me atë që duhet të ishte. Si zor të ketë njeri që të mendojë ndryshe kur ka parasysh qoftë dhe një fakt të thjeshtë: seancat e të enjteve. Dhe s’kishte si të ndoshte ndryshe kur aty, me përjashtime të pakta, kanë hyrë njerëz fare të rëndomtë, madje edhe hajdutë, kriminelë e analfabetë, vetëm me një mision: të mbajnë në këmbë ata që i kanë sjellë aty, pra të mëdhenjtë e vendit. Unë, dhe besoj se nuk jam i vetmi, kujtoj me nostalgji parlamentin e parë pluralist kur ndiqnim me një frymë seancat e tij, nga që në foltore ligjëronin vërtet personalitete që e meritonin atë status. Por, në vend që nga një legjislaturë në tjetrën të ngrihej cilësia, siç e kërkonte logjika më elementare, me që jemi në pluralizëm e mundësitë përzgjedhëse e seleksionuese janë të pafundme, ndodhi e kundërta. Dhe sot kemi një parlament që vetëm emrin ka të tillë se në më të shumtën e seancave që shohim i ngjan një teatri grotesk që për nga humori që ngjall, ia kalon çdo estrade. S’ka si të ndodhë ndryshe me atë sistem elektoral që kemi ku listat i përgatsin kryetarët e partive me kriteret që iu shkojnë për mbarë. Dhe si qershia mbi tortë, ishte vendosja e Ruçit, ministrit të fundit të Brendëshëm të Diktaturës në krye të tij, po nga kryeministri ynë i nderuar. Kam bindjen absolute se në kushte të tjera, Rama do bënte namin për këtë zgjedhje, si i vetmi precedent në gjithë vendet ish-komuniste. Por Ruçi nuk është mbiemri i vetëm në atë parlament që na kujton nomenklaturën e vjetër, paçka se kjo është e keqja më e vogël për problemin që po trajtojmë. E keqja më e madhe e tij është gjetkë: duke qënë përfaqësuesi i popullit ai duhet të qe dhe pushteti më i lartë, prej nga e merr mandatin edhe ekzekutivi. Vërtet se kjo e fundit i përcakton vetë politikat e saj të brendëshme dhe të jashtëme, por ajo nuk mund t’i zbatojë ato nëse nuk ka besimin apo miratimin e parlamentit. Tek ne edhe kjo hierarki është përmbysur: parlamenti bën ç’i dikton qeveria apo më saktë, kreu i saj i gjithpushtetshëm. Përvoja e muajve të fundit na e forcoi edhe më tej bindjen për këtë.
Presidenti
Përsa i takon presidentit, dallojmë pak a shumë dy tipe qeverisjesh: republikë presidenciale,(apo dhe gjysëm-presidenciale) dhe parlamentare, si kjo e jona që, rolin e presidentit e ka më shumë honorifik. Atë nuk e pyet njeri, sidomos me amendamentet e fundit që bënë kryministrat apo dhe kryetarët e partive, të shtyrë nga babëzia për sa më shumë pushtet. E vetmja detyrë e presidentëve tanë, që nuk ka të sharë, është shpërndarja pa kursim e titujve të nderit, medaljeve e dekoratave, por kjo është një çështje tjetër. Ne deshëm të ndaleshim sado shkurtimisht tek presidenti aktual, zgjedhja e të cilit befasoi jo vetëm politikanët e analistët por dhe atë vetë, i cili qe betuar e stërbetuar se, hë për hë, nuk do ta pranonte atë post.
Në tërë Botën, në vartësi të formës së shtetit, presidentët zgjidhen pak a shumë në dy rrugë: me votim të përgjithshëm nga populli, (republikat presidenciale) apo me shumicë votash në Parlament. Edhe në këtë procedurë kaq të thjeshtë, ne bëjmë përjashtim, përsa i përket presidentit të sotëm: atë nuk e zgjodhi as populli dhe as Parlamenti por kryeministri ynë në një darkë të shijshmë tek Pazari i ri. Kjo dihet e nuk po themi gjë të re. Ajo që vlen të diskutohet nuk është fakti se pse e bëri Rama këtë por si e hëngri këtë kokër ulliri Meta që njihet tashmë si politikani më i shkathët e më pragmatisti e që ia ka parë hajrin politikës, mbase më shumë se kushdo tjetër. Unë nuk e kam të vështirë ta kuptoj dhe këtë: ai akoma ishte në krye të LSI-së dhe priste që të fitonte më shumë vota por, më kryesorja, se shpresonte se mik/armiku i tij Rama nuk do të arrinte të fuste në Parlament 74 deputetë. Shumë shpejt ai e kuptoi hilen e bashkëqeverisësit/kundërshtar por qe vonë. Me metodat e veta ala-Fushe, Rama arriti ta ulë në qoshe e t’i mbyllë gojën. Atë që po bën e shoqja e tij si zor ta shqetësojë sadopak Ramën. Ai e ka treguar veten se nuk do t’ia dijë sado ta ngrejë zërin Monika dhe sido që ta etiketojnë atë, qoftë edhe hajdut e kriminel, siç ndodhi pak ditë më parë, në parlament e jashtë tij. Ai, madje, nuk pyet as nga goditjet me vezë, domate apo edhe me çizme.
Qeveria – Kryeministri
Arritëm tek institucioni i tretë sipas radhës, por numri një sipas fuqisë vepruese, tek qeveria dhe Kryeministri. Po i marr bashkë se siç thashë dhe më lart, kreministri ynë arriti të bëjë zap jo vetëm qeverinë por dhe tërë institucionet e tjera. Kjo tashmë shihet qartë e pranohet nga tërë ata që merren me zhvillimet e brendëshme në Shqipëri, politikanë apo analistë qofshin. Mund të mos e kesh qejf Edi Ramën, apo dhe ta urresh, por këtë arritje nuk ia mohon dot.
Pavarësisht nga kjo, detyrohem të pohoj se ne kemi kryeministrin më megalloman e njëkohësisht më karagjoz në Botë, qëllimi i vetëm i të cilit është të tërheqë vëmendjen e të tjerëve. Për këtë ai është gati të bëjë çdo gjë: të shembë monumente kulture, të mbushë vendin me kanabis, të vejë në takime me popullin me brekushe, të shkojë në ceremoni zyrtare me atlete, paçka se disa shefa protokollash e kanë kthyer mbrapsht siç kthen në shtëpi mësuesi nxënësin e parregullt. Por ai, siç thamë, as që do t’ia dijë për tërë këto dhe vazhdon i qetë qeverisje/mbretërimin e tij.
Organet e “diktaturës”: Prokuroria - Gjykatat - Policia
Një nga detyrat kryesore të shtetit është të mbrojë rendin nga keqbërësit. Ndër institucionet apo organet që e realizojnë atë janë prokuroria, gjykatat dhe policia. Për të mos u zgjatur i mora bashkë. Jo rastësisht i quajta më këtë emër: Ne vërtet e përmbysëm diktaturën në fund të shekullit të kaluar, por kjo nuk do të thotë se jemi vend demokratik. Jemi tepër larg asaj. Edhe nga sa thamë më lart del e qartë se tek ne vendos vetëm njëshi, pra mund ta quajmë monarki, nëse do të kishte fituar referendumi i disa viteve më parë. Por, për nga mënyra e qeverisjes, ne ua kemi kaluar gjithë monarkive, sidomos atyre moderne konstitucionale, që gjallojnë akoma në Europën Perëndimore, ku monarku thuajse nuk ka asnjë funksion por ruhet si traditë, në rastin më të keq.
Fillojmë me Prokurorinë. Është thënë me të drejtë se ai që iku nuk bëri thuajse asgjë dhe i la dosjet e fryra ashtu si i gjeti. Po kjo që erdhi, në vend të tij, a thua se do t’i aktivizojë dot ato, duke futur në rrjetë të shumëpriturit “peshq të mëdhenj”?! Unë jam skeptik, jo duke pasur parasysh vetë prokuroren, që nuk e njoh fare. Por nisem nga dy tregues të thjeshtë: fakti që ajo pranoi atë detyrë në këtë situatë anarkie që po kalon vendi dhe sidomos mënyra se si kreu betimin, më krijoi përshtypjen, në mos edhe bindjen se nuk do të bëjë dot gjë. (Kam mendimin se ajo skenë është unike në Botë, e denjë për të hyrë në rekordet Guiness).
Për gjykatat është folur e po flitet aq shumë sa do të qe humbje kohe të shtjellojmë ekzistencën formale të tyre. Ato dënojnë fukarejtë e nxjerrin të pafajshëm hajdutë, trafikantë e kriminelë. Madje, edhe ata që janë futur me kohë pas hekurave, bëjnë ç’është e mundur që t’i nxjerrin jashtë, siç edhe ka ndodhur e po ndodh. Kaq mjafton që funksionimi i tyre të konsiderohet krejtësisht mision i dështuar.
“Policia që deshëm, më e mira e këtyre 26 viteve”- ishte një sllogan i Ramës që përsëritet si refren gjatë gjithë viteve të sundimit të tij. Mbase qe dhe vazhdon të jetë i sinqertë në atë që thotë se vetëm një polici e korruptuar kokë e këmbë mund t’i shërbejë një qeverie po aq të korruptuar. Krerët kryesorë të saj ose u shkarkuan, ose u dorëhoqën, ose u zhdukën në një drejtim të panjohur, tamam siç zhduken vrasësësit e kriminelët.
Ndërkombëtarët
Për statusin që kanë, këta mund të mos i përfshinim në institucionet tona por, për hir të së vërtetës, duhet të pranojmë se ata janë shumë më aktivë se tërë institucionet e tjera për të cilat folëm më lart. Nga një anë kjo duhet vlerësuar pozitivisht kur kemi parasysh dështimin gati të plotë të institucioneve tona. Por, kjo nuk përbën kurrsesi një dukuri me të cilën të krenohemi e ta përdorim për të përligjur gjithë veprimtarinë e organeve tona ligjvënëse apo ekzekutive, siç dëgjojmë vazhdimisht të flitet nga kryeministri. Në të kundërt, ky realitet është një turp për ne, se ata, ndërkombëtarët, nuk i shohim në rolin e përfaqësuesvë të vendeve përkatëse apo, tek e shumta, në atë të konsulentëve por në rolin diktues dhe llogari-kërkues. E kemi fjalën si për ambasadorët e akredituar në Tiranë dhe për ata që na vizitojnë nga BE, SHBA, e shtete të tjera të fuqishme.
Në vend të mbylljes
“Do të bëjmë shtet, që ka munguar gjatë këtyre viteve të pas-Diktaturës, në mos edhe në gjithë ekzistencën e shtetit shqiptar…”- thoshte Rama ende pa u ulur mirë në karrigen e kryeministrit, ndonëse, siç u përpoqëm ta shtjellojmë më lart, realiteti flet për të kundërtën. Por ai, pa u skuqur e zverdhur, vazhdon ta përsërisë këtë sllogan edhe në ditët tona, ndonëse jo vetëm Opozita por dhe tërë analistët, më përjashtim të “kazanit të vet”, ia kanë thënë e po ia thonë përditë. Apo, mos e kemi gabim ne, se mbase ai e ka pasur dhe e ka fjalën pikërisht për një “shtet pa shtet”, se vetëm kështu ai bën ç’të dojë, pa i hyrë gjemb në këmbë, duke ia kaluar çdo diktatori e monarku?! Mbase!?
Add new comment