Shembulli bullgar i luftës ndaj korrupsionit dhe parasë së pistë

Postuar në 30 Janar, 2018 10:34

Media të ndryshme në rajon njoftojnë për një urdhër të organeve hetimore në Bullgari për hetimin e subjekteve që kanë kryer blerje pasurish të patundshme për më shumë se 317 mijë dollarë në vitet 2015-2016 dhe që po ashtu posedojnë makina luksi. Sipas Reuters janë rreth 350 bullgarë që kanë blerë pasuri me vlerë më shumë se 317 mijë dollarë – 500 mijë levs - në këto dy vite në një vend ku rroga mesatare mujore është vetëm 1000 levs.

Po ashtu, sipas prokuorisë së këtij vendi, numërohen 450 bullgarë që kanë blerë makina luksi si Maybach, Bentley, Ferrari, Rolls Royce apo Lamborghini. E gjithë kjo pasuri për këta 600 bullgarë vjen në vëmendje në një vend që ka 7.2 milionë banorë, pra 2.5 herë më shumë rezidentë sesa jetojnë në Shqipëri. 

Ndërhyrja e prokurorisë bullgare bëhet e ditur se ka ardhur si pasojë e presionit të shtuar nga Bashkimi Europian, ku Bullgaria është anëtare me të drejta të plota. Rasti i Bullgarisë është një model formal për të parë atë që ndodh në Shqipëri, një vend që pret të çelë negociatat për anëtarësim.

Shifrat e pasurisë që përfliten në rastin bullgar ngjajnë si shfaqje modestie e tepruar po të krahasojmë me vendin tonë. P.sh 350 bullgarët që kanë blerë pasuri të patundshme për më shumë se 317 mijë dollarë, kanë xhiruar në dy vjet një sasi parash që shkon në minimum 110 milionë dollarë. Diçka qesharake krahasuar me miliardat që përfliten në Shqipëri nga trafiku i kanabisit. Milioni është zhvlerësuar si kut matës për atë që quhet scoop mediatik, përderisa edhe zyrtarë të OSBE-së kanë folur për një xhiro prej 2 miliardë dollarë nga droga.

Po kështu është evident ndryshimi në ndëryrjen që bëhet. Sot që flasim Shqipëria eksperimentoi teatrin e ndalimit të makinave të luksit nga policia, por që u ndal dhe sot “lufta ndaj të fortëve” është ndalur. Të paktën mediatikisht.

Nga ana tjetër, qeveria shqiptare nuk e ka shqetësim pastrimin e parave, sa kohë që edhe me masat e fundit të propozuara nga Bashkia e Tiranës për përgjysmimin e taksës në infrastrukturë po e stimulon investimin. Por do të vijnë këto para? Një mënyrë për ta gjurmuar paranë është kreditimi bankar, por në një treg që për disa vite ka vuajtur nga blerjet e ulëta, është e vështirë të shohësh banka që vijojnë të japin kredi për ndërtime të reja, lejet për të cilat janë sërish në bum. Banka shqiptare të nivelit të dytë janë të ekspozuara edhe për faktin se kanë akumuluar një vlerë kolaterali prej 200 milionë eurosh që ka mbetur stok për shkak të kredive të marra deri më tani. Është disi e pashpjegueshme se për cilat arsye bankat do të lirojë para për ndërtime sërish, ndërkohë që shqetësimi se në ndërtim do të hidhen paratë e kanabisit, as është marrë në konsideratë seriozisht deri më tani.

Çfarë përbën realisht shqetësim është heshtja e plotë që shtron dyshimin se njësoj si për trafikun e drogës, ashtu edhe për pastrimin e parave, ka një konsensus politik që do ta çojë nesër Shqipërinë në një situatë ku trafikantët dhe ata që kanë përfituar para të pista do të jenë në majën e piramidës shoqërore, të paktën ekonomikisht. Dhe atëherë me të ëvrtetë që ikja është jo më opsion, por detyrim ndaj të ardhmes.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.